Krishterimi në trevën e Dardanisë

Opinione

Krishterimi në trevën e Dardanisë

Nga: Dedë Palokaj, arkeolog Më: 19 korrik 2017 Në ora: 17:35
Dedë Palokaj, arkeolog

Zbulimet arkeologjike gjatë decenieve të fundit në territorin e Dardanisë antike kanë nxjerrë në dritë një repertor faktesh dhe të dhënash arkeologjike, që argumentojnë vendndodhjen dhe shtrirjen e saktë të monumenteve sakrale të krishterimit të hershëm. Dardania që nga antikiteti u shqua me vepra monumentale sakrale të krishterimit siç janë: bazilikat, katakombet, afreskat, varrezat, mozaiqet, reliktet e ndryshme arkeologjike me tematikë krishtere etj. që shumica prej tyre shquhen me përmasa të jashtëzakonshme.

Dardania në kufijtë e saj shtrihet në veri deri të qyteti i Nishit, kurse në jug deri në Kukës dhe në rrjedhën e sipërme të lumit Vardar. Ndërsa kufiri lindor i Dardanëve dhe Dardanisë fillon në zonën e qytezës Zletovë në Maqedoni, aty ku gjendet pika bashkuese e tri provincave: Moesia Superior respektivisht Dardania, Maqedonia dhe Trakia. Mbretëria Dardane u krijua në shek. IV p. Kr. dhe përfshinte mesin e Ballkanit, territorin e Kosovës së sotme e të krahinave të tjera përreth saj. Në bazë të studimit të materialit arkeologjik dhe të shënimeve të autorëve antik, kufijtë e Dardanisë për shkaqe të ndryshme politike ndryshonin.

Fara krishtere u mboll në trojet e Dardansë që në fillim të përhapjes së krishterimit dhe u përcjellë tek arbërit nga predikimet e vet apostujve të Jezu Krishtit. Lidhur me këtë Shën Pali, apostull rreth vitit 58 na shkruan: “Qysh prej Jerusalemit e për qark në Iliri e kam përhapur Ungjillin e Krishtit“ (Rom 15, 19). Kjo tregon se dardanët respektivisht shqipëtaret janë ndër të parët europianë që e pranuan krishterimin nga vet apostujt.

Dardania dhe mbarë Iliria kishte një pozitë të përshtatshme gjeografike dhe gjeostrategjike sepse ajo ishte një portë e madhe e Ballkanit dhe Europës që lidh Lindjen me Perëndimin, dhe që në fillim u bë një nga trevat kryesore të përhapjes së krishterimit. Është ky krishterimi i kohës së apostujve, janë rrënjët krishtere që gjatë gjithë zhvillmit të historisë ushqeu botëkuptimin, karakterin, bindjen morale dhe fetare të brezave me virtyte më të larta të lirisë dhe dashurisë.

Sipas Daniele Farlatit në veprën “Illyricum Sacrum“ i pari prej apostujve që ka predikuar krishterimin në Dardani ka qenë Shën Mateu ungjilltar, i cili në radhët e apostujve zgjedhet në vend të Judës (Vap 1. 12 - 26). Ai u ka predikuar krishterimin fiseve Maqedone, Dardane, Tribale dhe Bastarne. Përveç Mateut, Palit, Titit në trevat ilire kan predikuar edhe shumë misionar të tjerë dhe prej këtej kan kaluar në hapësirat tjera ballkanike.

Në Iliri nisin aktivitetin ipeshkvijt më të hershëm krishterë, si Shën Asti, ipeshkvi i Durrsiti cili u denua me vdekje në vitin 116, nga perandori Trajan, ipeshkvi Irineu (shek. II), Shën Niketa i njohur edhe me emrin “Shën Niketa i Dardanisë. Argumentët tjetra janë martirizimi i dëshmitarëve të parë, Florit, Laurit, Prokulit dhe Maksimit në kohën e perandorit Hadrian (117 - 138)  të cilët bashkë me shumë shokë (socii plures) nga shtresat e gjëra të popullësisë e kishin pranuar krishterimin me respekt dhe dashuri, duke u mbështetur në shpresën e re krishtere. Janë edhe shumë autorë tjerë kishtarë të cilët në mënyrë të tërthortë shkruajnë mbi krishterimin e Ilirisë së madhe e këta janë: Shën Jeronimi (340/45), ipeshkvi Asterius (shek. IV - V), Shën Gregori Madh (540 - 604), papa Gjoni (914 - 929), Shën Pjetër Damiani (1007) nga i cili kuptojmë se Shën Pali kishte vizituar krejt Ilirikun etj.

Burimet e shkruara dhe të dhënat arkeologjike dokumentojnë qartë përhapjen e krishterimit që herët në Dardani. Menjëherë pas ediktit të Milanos (313) në Scupi (Shkupi), themelohet Selia ipeshkvore e cila shumë shpejt bëhet edhe metropoli, titullari i parë i së cilës ka qenë Dakë Dardani (Dacus Dardaniae) nga Dardania. Burimet e shkruara flasin se në shek. IV u themeluan edhe tri seli tjera ipeshkvore: Ulpiana, Naissusi (Nishi) dhe Remesiana (Bella Pallanka) të cilat i takonin mitropolisë Scupi (Shkupi).

Gjatë dhjetëvjeçarit të parë të shekullit IV-të, në shumë qytete të mëdha të Dardanisë, krishterimi i kishte lëshuar rrënjë e veta shumë thellë. Këtë e dëshmon Koncili i Nikesë (325) ku ndër ipeshkvet pjesëmarrës ishte edhe i përmenduri Dacus Dardaniae, nga Upliana e cila tash më ishte qendër ipeshkëvore e provincës Dardane.

Qendrat e para paleokristiane të themeluara nga veprimtaria predikuese e apostujve dhe përkrahëseve të tyre nga shekulli I - VI vërtetohen nëpër shumë qytete dhe vendbanime të ndryshme të Dardanisë dhe të mbarë Ilirisë. Ndër to dallohën: Ulpiana, Municipium DD afër Soçanicës në komunën e Albanikut (Leposaviçit), Studenica afër Vrellës së Istogut, Kalaja e Korishës në komunën e Prizrenti, kështjella e Harilaqit në komunën e Fushë Kosovës, Naissusi (Nishi), Scupi (Shkupi), pastaj Durrësi, Butrinti, Onhezmi (Saranda), Jerikova, Vlora, Apollonia, Amantia, Bylisi (Balshi), Antipatrea (Berati), Skampis (Elbasani), Scodra, Lihnidi (Ohri) etj. Në shumë prej këtyre qendrave janë zbuluar objeke kishtare, monumente epigrafie, mozaiqe etj. me simbole paleokristiane si psh. simboli i hardhisë së rrushit, të bimëve me gjethe në formë zemre, figurat e kryqeve në mozaiqe (Saranda etj.), figurat e peshkut në gdhendjet e Balshit apo në mozaikë si ai i Linit në Pogradec etj. Këto dëshmojnë se Iliria si një korridor natyral ndërmjet lindjes dhe perëndimit u bë që në fillim një nga trevat kryesore të përhapjes së fesë së krishterë. Kështu kthimi i plotë në krishterim në trojet ku sot banojnë shqiptarët, duhët të jet kryer gjetë shekujve V - VI.

Në vititn 343 u mbajt Koncili i Serdikës (Sofia e sotme në Bullgari) ku morën pjesë mbi 280 ipeshkvij, nga Lindja dhe Perëndimi lidhur me veprimtarinë kishtare. Ipeshkvijtë e mbledhur ishin nga qendrat më të njohura të botës së atëhershme: Nga Roma, Spanja, Galia, Italia, Kalabria, Afrika, Sardania, Panonia, Myzia, Dakia, Dardania, Maqedonia, Thesalia, Ahea, Epiri, Thrakia, Rodopa, Azia, Karia, Bitynia, Helesponti, Pisida, Kapadokia, Ponti, Frygia, Pamfylia, Lydia, Egypti, Thebaida, Libia, Glatia, Palestina dhe Arabia.          

Në kët Koncil kanë qenë edhe prelatët e Kishës së Ilirikut, të cilët edhe u nënshkruan në aktet koncilirae, si: Paregorius a Dardania de Scupi, Gaudentius nga Naissusi dhe Machedonias nga Ulpiana, të cilët njëzëri e denuan mësimin e Ariusit - prijesi shpirtëror i një grupi heretik. Në përfundim të Koncilit ata dërgojnë një letër ipeshkvijëve të Ilirisë me këto fjalë: “Ipeshkvijtë e kishës romake Damasi, Valeriani dhe të tjerët që morën pjesë në këtë koncil, i përshendësin vëllezërit e tyre në Zotin e dashur, ipeshkvijtë në Ilirik“.

Pjesëmarrja e ipeshkvit nga Dardania në kët ngjarje kaq të madhe tregon për një shkallë të lartë të organizimit kishtar dhe për një shtrirje të gjërë të krishterimit tek popullata. Kjo tregon se popullësia në trevën Dardane ishte kompakte, në pjesën më të madhe ishe e formuar mirë shpirtërisht, pra në aspektin krishterë. Kjo tregon se atdheu i shqiptarëve për shumë shekuj ka qenë e domunuar nga tradita fetare krishtere.

Në trojet të banuara me dardanë, krishterimi nuk erdhi me dhunë. Përkundrazi krishterimi ishte përndjekur në mënyrë më të paskrupull dhe më të përgjakshme nga perandorët romakë disa prej të cilëve ishin të gjakut ilir. Roma antike nuk kishte parë asnjëherë mizori dhe skena aq të pamshirshme e të përgjakshme, sadizëm aq të sëmuar sikur ndaj të krisherëve! Mijëra të krishterë martirizoheshin për fenë që kishin pranuar, në mesin e tyre edhe Shën Pjetri dhe Shën Pali. Këta martirë, dëshmitarë të fesë së krishterë e pranonin vdekjen me një guxim dhe heroizëm që nuk ishte parë ndonjëherë. Martirizimi i tyre ua rrëmbej vëmendjen e njerëzve të asaj kohe ashtu që edhe Seneka filozof i famshëm romak dhe mësues i Neronit famkeq ishte i mahnitur jashtë çdo mase kur i shikonte të krishterët se si shkonin në vdekje në emër të Jezu Krishtit në mënyrë të qetë, të gëzueshëm dhe me fytyrë të buzqeshur. Shumë të krishterë që kundërshtonin pranimin e hyjnive pagan, edhe pse të larë me gjak nga torturimi i egër, u thoshnin haptas atyre që u shkaktonin gjitha këto vuajtje: “Ju mund të na vrisni, por nuk mund të na jepni të keqën me forcë.” Kjo tregon se krishterimi nuk ishte fe e ndonjë pushtuesit të huaj. Edhe pse na ndajnë shumë shekuj nga këta besimtarë të hershëm, por besimi në themeluesin e krishterimit, në Kishën Katolike ka mbetur po i njëjtë - kohës apostulike. Perandoritë e huaja, fiset barbare dhe pushtuesit qe më vonë u vërsulen këndej, e shkelen, e shtypen dhe e shkretnuan kët vend mozorisht në çdo aspekt. Mu për këtë historia jonë iliro - shqiptare nuk mundi të qëndroj çdo herë në anën tonë.

Gjatë shekullit IV dhe definitivisht pas rënies së Perandorisë Romake (476) kur ajo filloj ta humbas kontrollin e saj në Europë, treva dardane u bë pre e dyndjeve të shumta barbare, të cilët shkatërronin gjithçka që kishin përpara. Kështu para këtyre sulmeve shkatërruese, u gjunjëzua jo vetëm Dardania, por tërë Iliriku i cili përjetoj plaçkitje dhe rrënim të pamëshirshëm. Ja, si përshkruhen masakrat e barbarëve në Dardani nga kronikët e kohës: “Me rrëqethet shtati kur mendoj të tregoj për shkatërrimet në kohën tonë. Në vazhdim të njëzet vjetëve gotët, sarmatët, hunët, vandalët, sllavët dhe narkomanët shkatërronin, plaçkitnin dhe grabisnin Maqedonin, Dardaninë, Dakinë. Kudo zi, kudo afshe dhe hija e madhe e vdekjes.“ Krejt kjo krijoj një situatë të re dhe ndikoj në krijimin e një sistemi të ri fortifikues në përputhje me nevojat mbrojtëse të vendbanimeve dhe qendrave urbane.

Dihet se në gadishullin Ilirik ardhacakët sllav erdhën të paganizuar. Në këto hapësira ata e gjetën një popullsi kompakte, të formuar mirë në fenë monoteiste, por për dallim nga popujt tjerë, ata këmbëngulen me forcë në këto troje. Serbët shumë vonë e pranuan krishtërimin (shek. IX - X) dhe me pranimin e kësaj feje ndodhi përvetësimi i kishave tona katolike të cilave ua ndryshuan format dhe stilet dhe duke ia përshtatur kulturës së tyre ato i identifikuan si kisha serbe. Gjatë periudhës Nemanjide mbi themelet e kishave të vjetra katolike, ndërtuan kisha të reja të shekullit XIII – XIV të ritit lindoro - bizantin të cilat sot i quajnë: “themelet, apo djepi i shtetit Serb.”

Nga pjesët e ruajtura të kishave katolike, filloj rindërtimi i kishave të reja serbe në të cilat futën elemente tjetërsimi, pa u përmendur asnjë argument dëshmues historik as arkeologjik mbi origjinen e tyre si dhe pa pasur argumente se ato janë kisha serbe. Këtë gjë nuk mund ta mohoj asnjë studiues serioz serb. Por, edhe për asnjë kishë tjetër në Kosovë qe i përket rrënjëve të lashtësisë krishtere, pra të ndërtimeve paraserbe, nuk ekziston asnjë argument se ato janë kisha serbe sepse të gjitha ato janë të periudhës iliro - bizantino - shqiptare, pra janë kisha katolike qe meritojnë përkujdesje, hulumtim dhe trajtim të veçantë.

Vlen t’i përmendim gërmimet arkeologjike në Patrikanën e Pejës gjatë viteve 1931-1932, ku u zbuluan themelet e një kishe shumë më të vjetër se sa kisha e ekzistuese. Hulumtimet arkeologjike në Patrikanë na ofrojnë të dhëna se themelet e zbuluara jenë të dhënat e para qe flasin për themelet e një bazilike madhështore paleokristiane me tri aniata.   

Manastiri i Graçanicës është shembull tipik i tjetërsimit. Është me interes t’i përmendim rezultatet e gërmimeve arkeologjike të cilat e kan zbardhur të kaluarën e vërtetë të këtij manastiri dhe kan argumentuar ndërtimin e kishës së tanishme mbi themelet dy kishave tjera. Themelet e vjetra janë themelet e një bazilike monumentale paleokristiane me tri aniata e shekullit VI. Kjo bazilikë palokristiane është 19 m e gjatë dhe 10 m e gjerë e cila duhet të ket lidhje me qendrën ipeshkvore të Ulpianës, Bazilikën e Studenicës afër Vrellës së Istogut dhe me qendrat tjera kishtare të kohës. Në bazë të sondimeve arkeologjike këto themele argumentojnë shumë qartë ekzistimin e bazilikës në fjelë. Mbi këto themle në shekullin XIII Serbët ndërtojnë një kishë të vogël me një aniat kushtuar Zojes së Bekuar, kurse në vitin 1310, mbreti Millutin ndërton manastirin ekzistues ku mbulohën gjurmet e bazilikës katolike.

E njëjta gjë vlen edhe për Manastirin e Deçanit ku skulpturat - kokat e njerëzve, kafshëve, zogjëve, shermendeve, pastaj arkitektura etj., janë tipare të stilit romanik, pra kishë perëndimore e ritit katolik. Kështu është edhe me kishen e Shën Mhillit dhe Gabrielit afër Prizrenit, Kishen e Shna Prenës në Prizren etj.

Fatin e kishave të përmendura e përjetoj edhe Bazilika katolike në Studenicë ku serbet e bën pronë të tyre duke ia dedikuar kishën Zojes së Bekuar të cilën më vonë e bën edhe qendër episkopale ortodokse.

Pra, intelektualet serb sa herë që shkruajnë për zanafillën e kulturës materiale shqiptare, shkruajnë për kulturën materiale të periudhës osmane, në veçanti atë të shekullit XVIII - XIX, ku sipas tyre lashtësia shqiptare nuk e kalon lashtësinë e mesjetës. Duke i përmendur enkas kullat, xhamitë, tyrbetë, teqetë etj., të cilësuara prej tyre si trashëgimi të kulturës Osmane, shqiptarët i prezantojnë si musliman pa u përmendur qëllimisht kishat dhe prania e popullatës katolike shqiptare.

Pas shekullit VI-të popullata e krishtenizuar ndodhej përballë dyndjeve dhe stuhirave të reja të cilët sipas kronikave Bizantine përshkruhen si tepër shkatërruese qe s’linin gjë të gjallë dhe merrnin me vete edhe popullsi si skllevër për shfrytëzimin e tyre.

Rrënjët tona të kulturës materiale dhe shpirtërore shqiptare janë të thella. Ato i vërtetojnë të dhënat arkeologjike dhe historike të cilat na ofrojnë dëshmi të mjaftueshme shumëshekullore mbi begatinë e të kaluarës sonë. Duke gjurmuar të vërtetën ajo vetvetiu del në shesh dhe kërkon trajtim specifik dhe praktik. Sepse, e vërteta na mëson origjinën, na bënë popull që gëzon lirinë e plotë dhe që nderon të kaluarën për të sotmën e lirë dhe të ardhmen e sigurt.  

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat