Sfidat reale të BE-së

Opinione

Sfidat reale të BE-së

Nga: Nijazi Halili Më: 21 korrik 2017 Në ora: 11:11
Nijazi Halili

Hendeku ekonomik, anëtarët e rinj, ruajtja e unitetit, kriza e eurozonës, vendet më të prekura nga kriza, problemet politike, armët atomike, papunësia dhe emigracioni, mjedisi, zhvillimi ekonomik, pranimi i anëtarëve të rinj. Një ndër sfidat thelbësore të BE në ditët tona është të vendosë në një stad të ngjashëm zhvillimi të 27 ekonomitë evropiane. Niveli i ndryshëm i zhvillimit që kanë mbi të gjitha vendet e Perëndimit me ato ish- komuniste ka sjellë probleme të fuqishme në tregun e përbashkët evropian. Pesha më e madhe bie mbi shtetet e zhvilluara, të cilat japin një kontribut domethënës në drejtim të vendeve më pak të zhvilluara. Po punohet me strategji e politika të shumta ekonomike nga ekspertë të fushës, por edhe nga Banka Evropiane në mënyrë që zhvillimi të jetë në vazhdim i njëtrajtshëm e progresiv.

 Nëse flitet për sfidat reale të BE-së nuk mund të lihet pa përmendur problemi i anëtarësimeve të reja. Rruga e anëtarësimit i është hapur të gjitha vendeve evropiane, por vetëm disa arrijnë t’i përmbushin kriteret e nevojshme. Janë të pakta vendet që kanë mbetur jashtë këtij unioni, gjithsesi janë vendet më problematike e me zhvillim më të ulët. Përjashtim bëjnë këtu Zvicra dhe Norvegjia, të cilët për mos dëshirë të tyre janë jashtë bllokut. Çështja e Turqisë është ndër temat më të nxehta të arenës evropiane. Ajo është një ndër vendet e pakta që i është refuzuar kërkesa për anëtarësim dhe për shumë vite nuk është bërë pjesë e BE. Arsyet e mospranimit të Turqisë në BE lidhen mbi të gjitha me mosrespektimin e rezolutës së BE dhe konfliktet e vazhdueshme që minoritetet islamike krijojnë atje. Pjesë e BE kanë kërkuar të bëhen edhe shtete të tjera jo pjesë e kontinentit Evropian, por i është refuzuar kërkesa. Të tillë kanë qenë Izraeli e Maroku. Arsyeja e refuzimit të kërkesës ka qenë mospërfshirja në këtë rajon gjeografik. Gjithsesi po shqyrtohet mundësia e përfshirjes edhe të vendeve të tjera mesdhetare.

Arritja e unitetit të vendeve evropiane ka qenë një sfidë shumë e vështirë, por më e vështirë se kjo është ruajtja e këtij uniteti. Vitet e fundit është vënë re një prishje e lehtë e ekuilibrave të vendosur dhe uniteti i vendeve evropiane është venë në diskutim. Organizmat e BE punojnë fort për ta ruajtur dhe për ta forcuar këtë unitet.

Kriza që ka prekur vendet e Eurozonës vitet e fundit është jo e para e llojit të saj. Gjithsesi është ndër problemet thelbësore të viteve të fundit. Kriza ka nisur që nga fundi i vitit 2008 ku shume vende të Eurozonës patën kolaps ekonomik e shoqëruar me rritje të borxhit shtetëror.

Jo të gjitha vendet e BE u përfshinë në mënyrë të njëtrajtshme nga kriza. Disa prej tyre arritën t’i mbijetonin kolapsit ndërsa disa të tjera jo. Ndër vendet me pasoja më të rënda ishin: Greqia e cila shpalli falimentin në 2011 dhe Bankat Evropiane e Botërore po i huazojnë sasi të madhe huaje.

Bashkimi Evropian ndeshet sot edhe me probleme të mprehta politike. Kundërshtimi i Kushtetutës së përbashkët nga Franca e Holanda ka paralizuar këtë proces. Qëndrimi i Britanisë së Madhe në zgjidhjen e krizës ekonomike ka sjellë pakënaqësi të shumta te shtetet e tjera dhe kjo mund të çojë në konflikt politik mes tyre, e në veçanti largimi i saj, nga BE-ja.  Marrëdhëniet me SHBA-në janë të acaruara në lidhje me luftën kundër terrorizmit dhe pjesëmarrjen ushtarake në vendet e Lindjes së Mesme. Këto janë dukuri që shqetësojnë Bashkimin Evropian sot dhe duan zgjidhje të menjëhershme. Shtoji kësaj edhe konflikti i përhershëm me fqinjën lindore Rusinë e cila kurdoherë kërkon të fitojë territor mbi vendet e Evropës Lindore.

Armët bërthamore apo atomike janë një ndër temat më të nxehta jo vetëm në BE por në të gjithë botën. Dy vende të cilat kanë ligjet më strikte kundër armëve bërthamore janë Franca e Britania të cilat ndihen edhe më të rrezikuara. Komisioni Evropian ka krijuar një sistem të vetin mbrojtës, të quajtur CFSP , e cila ka të njëjtin funksion si çdo organizëm tjetër kundra njësive terroriste ( të predispozuara për të sulmuar me armë bërthamore). BE po punon shumë edhe në rrugë diplomatike për të ndaluar jo vetëm përhapjen por edhe prodhimin e tyre.

 Kriza ekonomike e Eurozonës ka sjellë pasoja të renda në jetën shoqërore të banorëve të saj. është rritur shumë shkalla e papunësisë veçanërisht në vendet me paqëndrueshmëri ekonomike. Ekspertët e fushës ekonomike në Evropë janë përpjekur ta minimizojnë këtë efekt përmes politikave stimuluese e ndihmuese. Pasoja e menjëhershme e rritjes së papunësisë por jo vetëm e saj është edhe emigracioni. Vendet e Evropës Perëndimore janë kryeqendrave të emigrantëve jo vetëm nga Evropa por edhe nga Azia e Afrika. Metropolet më të mëdha janë metropole multietnike, me popullsi të racave të ndryshme. Ky fenomen ka pasur kurdoherë problemet e tij, pasi përballja e kulturave dhe mendësi të ndryshme shkakton konflikte.

Problemet mjedisore po kërkojnë vëmendje gjithnjë e më të madhe nga organizmat ndërkombëtare një ndër ta edhe BE. Komisioni Evropian ka një sektor të veçantë të tij që merret me problemet mjedisore. Ata shohin si problemin thelbësor të këtyre viteve uljen e resurseve natyrore. Kjo është edhe arsyeja se përse kësaj çështjeje i kanë kushtuar një rëndësi të veçantë. Strategjia e vitit  2012 e Komisionit Evropian i shtyn të gjitha vendet anëtare të BE të shndërrohen në ekonomi të zgjuara (pra të dinë të shfrytëzojnë me kriter resurset natyrore duke gjetur edhe burime alternative). Për shumë vite kjo metodë ka qenë e vlefshme. Synimi i ardhshëm është të prodhojnë 20% të energjisë elektrike me anë të energjisë së erës në të gjitha vendet e BE-së. Life është ndër organizmat kryesore të Komisionit Evropian në lidhje me problemet mjedisore.

Bashkimi Evropian po përballet me probleme e sfida të shumta. Që nga fillimet e tij e gjer më sot ndryshimet dhe përplasjet kanë qene të mëdha po të tilla kanë qenë edhe arritjet. Fakti që për shumë vite ky union ka funksionuar e gjithnjë e më shumë vende kërkojnë të bëhen pjesë e saj tregon se BE ka vlerë të madhe në stabilitetin dhe zhvillimin e një vendi. Këto sfida mund të kapërcehen lehtësisht me kontributin e çdo vendi pjesëmarrës. Arrihet të kuptohen qartë që roli i BE është i jashtëzakonshëm jo vetëm në arenën evropiane por edhe atë ndërkombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat