Marrëzirat e antishqiptarit Paul Tedeschini!

Opinione

Marrëzirat e antishqiptarit Paul Tedeschini!

Nga: Sadik Elshani Më: 22 korrik 2017 Në ora: 10:02
Sadik Elshani

Emrin e Paul Tedeschinit e kam dëgjuar kalimthi nëpër shtypin shqiptar, por nuk kam ditur asgjë për qëndrimet e tija antishqiptare, derisa ditëve të fundit pata rastin të lexoj në “Bota Sot” (12 korrik, 2017) shkrimin e tij me titull: “Reagim ndaj shkrimit të prof. Mehdi Hyseni mbi bashkimin e Kosovës me Shqipninë”.  Zoti Tedeschini ka çdo të drejtë të mospajtohet me qëndrimet e prof. Mehdi Hysenit për bashkimin kombëtar dhe këtu nuk ka asgjë të keqe. Por ajo që më shtyri t’i shkruaj këto radhë është, se në këtë shkrim-reagim zoti Tedeschini e shfrytëzon rastin që ta shprehë jotolerancën, tërbimin, urrejtjen e tij të pakontrolluar ndaj bashkëkombësve të tij të fesë myslimane. Qëndrim të tillë si të z. Tedeschini mbajnë vetëm armiqtë tanë të përbetuar shekullor. Urrejtje e një niveli të tillë kurrë nuk mund të pritet nga dikush që i thotë vetes shqiptar. Ja si shprehet vetë z. Tedeschini në këtë shkrim me plot gabime gramatikore e drejtshkrimore, që është edhe një dëshmi për nivelin e mjerueshëm intelektual e kombëtar të tij:

“Dy gjana me vend ka ba Europa gjatë shekullit të XX: Coptimin e trojeve filosmane shqiptare dhe coptimin e Gjermanisë naziste. Shkak për coptimin e trojeve shqiptare që të mos u formohej në Ballkan/Europe nji Turqi e Re Osmane ishin veglat antishqiptare e arnauto – turke Haxhi Qamiliste – Esat Toptaniste, të cilat bertisnin Duem Babën Sulltan. Në të njejtin kor ka qenë edhe shumica e klerit renegat musliman pjellë e Turqisë Osmane dhe vegel kuislinge e sajë.”

Në këtë mënyrë shprehen vetëm armiqtë më të përbetuar të kombit tonë dhe jo një shqiptar. Por, ja që paska edhe shqiptar të tillë! Si është e mundur që një shqiptar t’i gëzohet copëtimit të vendit dhe kombit të vet?! Siç duket z. Tedeschini as që e çanë kokën për vëllezërit e tij shqiptarë në Kosovë e viset tjera shqiptare në ish Jugosllavi, Çamëri, të cileë vuajten (njeë pjesë ende është duke vuajtur) edhe më keq se nën sundimin Otoman. Regjimet çnjerëzore të Serbisë e Greqisë ushtruan dhunë të tmerrshme, të padurueshme ndaj shqiptarëve, ua ndaluan përdorimin e gjuhës së tyre, kryen krime të tmerrshme, u munduan t’i largonin, t’i çrrënjosnin nga trojet e tyre shekullore, ushtruan gjenocid. Lista e krimeve të tyre është e pambarim dhe tani këto krime janë të dokumentuara mirë, prandaj  nuk ka nevojë që të përsëriten në këtë shkrim. Zoti Tedeschini qenka kënaqur me ato çka kanë ndodhur në Kosovë në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar si dhe gjatë tërë historisë së saj nën sundimin e egër të thundrës serbe! Z. Tedeschini e njëjtëson Shqipërinë dhe shqiptarët e vuajtur me Gjermaninë Naziste. Urrejtja e egër t’i mbyll sytë, ta bllokon trurin, ta turbullon mendjen, ta zhduk arsyen. Si mund te krahasohet Shqipëria me Gjermaninë Naziste?! Gjermania Naziste e kalli flakë kontinentin e Europës dhe një pjesë të mirë të botës, ndërsa nga Shqipëria e shumëvuajtur Europës kurrëë nuk i ka ardhur ndonjë e keqe.

Fatkeqsisht, secila fe, secili vend a komb i ka delet e veta të zeza, horrat e vet, por për disa individë (vetje), për një pakicë të vogël, nuk njolloset një komb, një vend i tërë, apo një pjesë e tij, siç bën z. Tedeschini për një pjesë të bashkëkombësve të tij  në shkrimin e tij plot mëllef. “Mal pa ujq nuk ka” – thotë një fjalë e urtë e jona. Ndërsa një tjetër thotë: “Fis pa pis nuk ka.” Kombi ynë, si të gjitha kombet tjera në botë i ka të mirat dhe të metat e veta. Por kombi ynë ka krijuar vlera të larta morale e njerëzore, kod të lartë moral, për të cilat edhe shumë kombe më tëë mëdha e më të përparuara ia kanë lakmi. Vlen të theksohet këtu fakti se, kur gjatë Luftës së Dytë Botërore Gjermania Naziste dhe përkrahësit e saj po i çfarosnin hebrenjtë në mënyrën më barbare, shqiptarët i mbrojtën ata, madje duke e rrezikuar jetën e tyre dhe të familjarëve të tyre.

“E mos shikoni kish e xhamija…”

Ne nuk kemi një fe kombëtare, një fe për të gjithë shqiptarët. Gjatë historisë së tyre shumëshekullore shqiptarët e kanë pranuar edhe krishterimin edhe islamin. Por populli ynë më fort e ka përqafuar shqiptarizmin, tolerancën, harmoninë ndërfetare, për shkak të arsyeve të njohura historike. Dhe për këtë shqiptarët janë të njohur në tërë botën. Kjo është një nga ato vlerat e larta njerëzore që ka krijuar populli ynë. Shqiptarët gjithmonë janë identifikuar me përkatësinë e tyre kombëtare dhe jo atë fetare. Secili me krenari thotë: Unë jam shqiptar! Këtë e kanë vërejtur edhe udhëtarët që kanë udhëtuar nëpër trojet shqiptare në periudha të ndryshme historike.

Jemi fatlumë që patëm Rilindësit tanë mendjendritur, të cilët me mençuri, urtësi e përkushtim ia ndriçuan rrugën popullit tonë, punuan ditë e natë për t’i bashkuar shqiptarët për të punuar e luftuar për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë. Këtë e ka bërë edhe Skenderbeu shekuj më parë me organizimin e Beselidhjes së Lezhës, sepse bashkimi bën fuqinë. Besoj se nuk ka shqiptar që nuk i di përmendësh vargjet e Vaso Pashes nga poezia “O, moj Shqypni”: “E mos shikoni kish e xhamija, /Feja e shqyptarit asht shqyptarija.” Janë këto vargje, është kjo shprehje që vulosi tolerancën dhe harmoninë tonë ndërfetare, që zuri vend në mendimin e luftëtarëve kombëtarë shqiptarë gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare e që për fat të mirë vazhdon edhe sot. Historikisht dihet që një pjesë e popullit tonë e ndërroi fenë, por nuk e ndërroi kombin. Shqiptarët myslimanë e luftuan Turqinë po me aq furi sa edhe vëllezërit e tyre të krishterë. Madje, sipas akademik Mark Krasniqit, luftën më të madhe kundër Turqisë e bën pikërisht shqiptarët myslimanë, sepse ata ishin në numër më të madh.

Në një vend me një shumicë të popullsisë me përkatësi fetare myslimane, cilët janë tre ndër personat më të dashur e më të adhuruar? Që të tre janë të krishterë: Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastriot – Skenderbeu (katolik – disa thonë ortodoks), Fan Noli – Peshkop Ortodoks, Shën/Nënë Tereza – murgeshë katolike. Në të gjitha anketat, sondazhet ndërkombëtare shqiptarët dalin si njëri ndër popujt më properendimor e proamerikan.

“Për inat të vjehrrës…”

Përhapja e vahabizmit, islamit radikal në Kosovë e Shqiperi, si dhe çdo dukurie, ideologjie të tejskajshme (ekstreme) duhet të jenë shqetësuese për të gjithë dhe duhet të pengohen në çdo mënyrë dhe me të gjitha mjetet, sepse pasojat mund të jenë katastrofike për të ardhmen e Kosoves, Shqipërisë. Të kritikosh dukuritë negative që paraqiten në shoqërinë shqiptare, të kritikosh kombin, vendin tënd kur është në rrugë të gabuar është detyrë atdhetare, është guxim intelektual. Por kur disa dukuri negative dikush i shfrytëzon për të vjellë vrer, për të shprehur urrejtjen e tij ndaj shumicës së popullsisë, siç bën zoti Tedeschini në këtë rast, atëherë kjo është e papranueshme. Siç i thonë asaj fjalës: “Për inat të vjehrrës…” Të shkosh gjer në atë shkallë, të arrish në atë gjendje  sa t’i gëzohesh copëtimit të vendit, kombit tënd?! Këtë mund ta bëjnë vetëm njerëzit që zemrën e kanë të mbushur me plot urrejtje.Kritikat duhet të jenë ndërtuese, vëllazërore e të kenë një qëllim të mirë: përmirësimin e gjendjes, mënjanimin e dukurive negative.Kur flasim për tolerancë ndërfetare, mund të shtoj këtu edhe diçka personale: Unë nuk e shpreh tolerancën ndërfetare me fjalë të zbrazta, por e jetoj atë. Bashkëshortje ime është katolike, vajza e ka mbaruar shkollën e mesme katolike, ndërsa djali i ka vijuar studimet në një universitet katolik dhe në familjen tonë gjithmonë i festojmë Pashkët dhe Krishtlindjen (Kërshëndellat). Dallimet fetare populli ynë i ka tejkaluar shekuj më parë dhe askush nuk mund të na kthejë prapa.

Bashkimi kombëtar (kundër të cilit është z. Tedeschini) është një proces i natyrshëm për shqiptarët dhe duhet të jetë qëllimi, synimi përfundimtar i çdo shqiptari. Kjo ishte dhe mbetet ëndrra e të gjithë atdhetarëve të vërtetë shqiptarë. Edhe nga shtrati i vdekjes, akademik Mark Krasniqi na porosiste, na linte amanetin: “Kurrë mos hiqni dorë nga bashkimi kombëtar!”

Autori është doktor i shkencave të kimisë dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat