Të dua, as unë ty!

Opinione

Të dua, as unë ty!

Nga: Driton Gumnishta Më: 24 korrik 2017 Në ora: 10:55
Driton Gumnishta

Shqiptarët andej e këndej kufirit, për shumë kohë të ndarë e duke jetuar secili në « arrallëkun » e vet, akoma nuk po munden të gjejnë kahjen e përbashkët orjentuese.

Duhemi por edhe vuajmë sepse në mes nesh vazhdimisht mbretron një gjendje gati e padurueshme « nxehtë-ftohtë ». Si në Shqipëri edhe në Kosovë, institucionet tona përfaqësuese, janë shumë « të çullta » dhe aspak në lartësinë kombëtare të pritjes që ka kombi si tërsi.

Ky hendikep institucional u jep pastaj hapsirë quazi-opinionistëve, pseudo-gazetarëve, anti-kombëtarëve, të padishmëve, të gjithdishmëve dhe lloj lloj soji e sorrollapi që për përfitime e interesa ekskluzivisht personale, të lansojnë në popull qëndrime provokuese të nivelit të ultë që me t’o të ndërtojnë lumturinë personale pa marr parasysh dëmin, hematomin, apo fatkeqësinë kombëtare që do të mund ta shkaktojnë!

Ishte kohë kombëtare e shkurtë por relativisht e mirë ajo e fillimeve të viteve ‘90 kur në kontaktet, takimet e ndenjat e para të përbashkëta, andej e këndej kufiri, rishfaqej e qiltërt dashuria vëllazërore që buronte direkt nga ndërdija kolektive dhe ADN-i kombëtar. Nuk ishim parë e takuar por njiheshim, ngjanim, respektoheshim e duheshim. Njëfar tërheqje e fortë ndër-kombëtare gati si magnet.,. 

Atbotë, ne nga Kosova, edhe pse akoma të shtypur dhe duke vuajtur nga okupatori shekullor, materialisht qëndornim më mirë. Në Shqipëri, ishin shumë më të varfër materialisht por kishin një pasuri institucionale. Vërtetë thonin se kishin vuajtur e vuanin por kishin shtetin e tyre për të cilin ne rriheshim, burgoseshim e vriteshim çdo ditë, vetëm pse donim ti bashkoheshim të njejtit apo pse donim që për fillim, ta kishim edhe ne një shtet si ai. Nuk kishim parë e gjetur plotësisht atë që pritnim nga/te ata, por askush nuk provonte as të na e ndalonte e gati as të mendonte se nuk jemi një apo të bashkuar (një ditë…). E thonim hapur, sigurt e aq shpeshë, çdokund e me secilin. Paradoksalisht, përshtypja ishte se ata ishin ngirë e bile fryrë me shtet dhe donin më tepër, kushte, mundësi levizje, jetë materiale, lek,…, gati çdo gjë perveq shtet !!!

Edhe pse gjetja e distancës së duhur për secilin ishte delikate edhe pse me diferenca të dallueshme, ishin pikërisht ndërdija dhe ADN-i kombëtar që ndërtonin një lloj simbioze interesante, dhe të pranueshme për të dyja palët ! Në kushte normale, pas një kohe, çdo gjë do të duhej të binte në binarë, raportet stabilizohen, vëhen ekuilibrat dhe do të duhej të fillonim bashk-rrugëtimin, qoftë edhe jo formal por natyrshëm, të të njejtës kahje.

Fatkeqësisht, në rastin tonë, si andej edhe këndej, kjo gjendje mbetet kaotike dhe e pa qartë prej shumë vitesh. Kritika, sjellje refuzuese, pa pranueshmëri personale, grupore e institucionale, të drejtëpërdrejtë apo tërthorazi!  Një herë ndjehemi të dashur e të pranuar, tjetrën herë themi se nuk po bëjnë mjaft për ne… Në anën e tyre, po kështu. Dhe kësi soji vazhdon e vazhdon. Një ditë ju duam, ditën tjetër lavde për serbët e Serbinë (si selame për ne !),…, Ahhh se veq Xhaxhi …, ua kthejmë plot mllef !

Mirësevini në qarkun vicioz të sindromit : Të dua, as unë ty!

Po e kemi pyetur vehten çka ne duam në të vërtetë ? Po nëse nuk duam të jemi një dhe të bashkuar?

Sigurt dhe me probabilitet të pa kontestueshëm e pa as më të voglin dyshim, kombi si tërsi, është për bashkim në shumicën e tij absolute. Bile, në afatgjatë, edhe konjuktura politike ndërkombëtare është në favorin tonë. Problemi qëndron te institucionet të cilat si andej edhe këndej importojnë e konsumojnë me tonelata Europë e Euroatlantizëm e nuk kanë guxim të provojnë të eksportojnë atje as edhe një gram të vetëm bashkim, duke e ngulfatur kështu këtë kërkesë të kahmotshme kombëtare të shumë gjeneratave! 

Sapo një ditë flasin pakëz diku, me ndonjë mini-deklaratë, dy ditë më vonë e demantojnë në mediat kërcënuese të institucioneve të fqinjëve tanë, gjithmonë sy e vesh hapur.
Mungesë vetëbesimi institucional!

Për pasojë, çdokush pastaj, individualisht, me vet iniciativë, pa formim profesional paraprak, pa fuqishëm, vend e pa vend, me e pa dije, mundohet ta plotësoj këtë mungesë vizioni institucional kombëtar afatgjatë.  Pak kush i propozon anës së vet që mos ti hudhim barut zjarrit dhe të ndalojmë së verifikuari çdo herë se a vërtetë na duan ata apo jo. Sepse pastaj do të konstatojmë edhe në anën tjetër po këtë mungesë vetëbesimi dhe tentimin që edhe ata të na verifikojnë.

Dhe si gjithmonë, pa humbur asnjëherë rastin, tani në emër të lirisë së shprehjes por edhe të privilegjeve absurde që gëzon, shfaqet « shpenkeqja » përplotë helm. Kësaj  radhe në cilësinë e opinion-bërësit dhe intelektualit të pasur (materialisht !),…, gjithmonë toksike, gjithmonë e zezë si futa, gjithmonë me konstatime të pa vend, gjith tug e vrerë. Jo ju merrni bukë me veti, jo andej jo këndej,…, duke ndejur pastaj gjithë sy e veshë hapur për të parë e dëgjuar reagimet!  Kjo është pritshmëria dhe qëllimi i vetëm i saj!

Po pse pra duhet t’i a ushqejmë muhabetin dhe të mirremi me të ?  Le ti injorojmë të tillët pa mëshirë. Të bëjmë që t’u vdes ajo qirrje e egër vullnet-keqe si një zë i padëgjuar më larg se në kokat e tyre të zbrazura kombëtarisht. Le të mirremi me anën tjetër të medales. Ti citojmë e vlerësojmë zërat konstruktiv të të dy anëve dhe pa kompleks a ngurrim, hapur dhe publikisht, t’u a pranojmë meritat për vullnetin dhe punën e mirë që kanë e që bëjnë. Le të provojmë të avancojmë bashkë duke mbledhur, pak nga pak, këtë energji pozitive andej e këndej kurfiri. Të mos i ndalim vizitat e ndërsjellta për qejf të vullnet-këqinjëve por ti shtojmë ato, more me a pa bukë nëpër çanta, boshqe e janxhika,…

Dua të nënvizoj që në natyrën time nuk është asnjëherë ofendimi si qëllim, sidoqoftë, më duhet ta citoj për qartësim pikpamjeje dhe konteksti, proverbin e njohur  « Qentë lehin, karavani hecë »! 

Të mirremi me karavanin sepse sa të ketë jetë me njerzë mbi tokë, qentë nuk kanë pasur as nuk do të kenë të ndalur së lehuri. Tek e fundit, edhe po deshëm, nuk do të mundemi as ti bëjmë të gjithë kombëtar e bile as Shqipëtar. 

Të vëmë, në njërën anë, qoftë edhe një gurë të vetëm në themelin e tolerancës kombëtare, aty ku mundemi e na ipet rasti, dhe të kontribojmë shumë, në anën tjetër, që ti shtyjmë institucionet andej e këndej kufirit, që sa më shpejt të orjentohen e të shohin në një dhe të vetmin objektiv të përbashkët kombëtar. Qoftë edhe jo formal përkohsisht !

Në të kundërtën, jo që nuk do të ketë lumturi kombëtare as andej e as këndej, jo që duke u grindur do të humbim kot gjithë atë energji, jo që nuk do të mundemi të bëjmë as edhe ndonjë projekt të vogël të përbashkët, jo që nuk do të ketë kurrë bashkim, por vazhdimisht do të kemi një gjendje tensionuese me rivalitet destruktiv e përplot hipokrizi, alla : Të dua, as unë ty!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat