Qeverinë po e krijon një rrjet kriminal

Opinione

Qeverinë po e krijon një rrjet kriminal

Vehbi Kajtazi Nga Vehbi Kajtazi Më 8 gusht 2017 Në ora: 11:41
Ramush Haradinaj

Ukë Rugova ka qenë gjithmonë faktor vendimtar për caktimin e njerëzve në poste qeveritare. Sigurisht me ndihmën e njerëzve të lidhur me krimin.

Një kohë të gjatë ka vepruar me Ramë Marajn, një drejtues i një shërbimi inteligjent të LDK-së, organizata e të cilit është hetuar e bastisur nën dyshimin se ka hise në krime të rënda në Kosovë.

Në vitin 2004, Ukë Rugova së bashku me Ramë Marajn kishin zgjedhur ministra e zëvendëskryeministra në qeverinë Haradinaj. Mes tyre Astrit Haraqinë – një sekser i rryer dhe Adem Salihajn.

Asokohe, Uka dhe Maraj nuk kishin raporte të mira me Bujar Bukoshin, ish-kryeministër në ekzil. Pak kohë pas formimit të Qeverisë, Bukoshi kishte bërë një prej akuzave më të rënda të shitjes së posteve qeveritare. Kishte akuzuar Adem Salihajn se kishte paguar 180 mijë euro për t’u bërë zëvendëskryeministër.

Paratë, thoshte Bukoshi, i janë dhënë Ramë Marajt – këshilltar për siguri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Lidhjet e Ukës me trafikantë droge

Miqësia dhe biznesi i Ukës me kriminel veç sa rritej.

Miqtë e Ukë Rugovës të arrestuar së bashku me të për biznesin kriminal të vizave, vite më parë ishin akuzuar për lidhje me grupe të drogës. Para disa vjetësh gazeta italiane “La Republica” kishte raportuar për një rrjet të shitjes së drogës. Dy prej miqve të Rugovës ishin të përfshirë në këtë raport.

Bashkim Neziri dhe Izet Beqiri kishin mbuluar shpenzimet e vizitës së Ibrahim Rugovës në Itali para dy dekadave.

Hetues italianë kishin folur për gazetën “La Republica” mbi një rrjet të trafikut të kokainës, ku sipas kësaj gazete rezultojnë të implikuar njerëz të njohur në Kosovë dhe Itali. Gazeta shkruante se në krye të trafikut ndodheshin tre shtetas kosovarë, vëllezërit Muhamet dhe Izet Beqiri, si dhe një person mjaft i njohur në Kosovë, Bashkim Neziri, i cili sipas gazetës ishte një nga njerëzit më të afërt të një politikani të lartë.

Për këto fakte të botuara, e përditshmja italiane “La Republica” i referohej prokurorisë vendase.

“Trafikantë ditën dhe njerëz mondanë natën, kjo ishte jeta që bënin tre krerët kosovarë të mafisë”, shkruante gazeta. Ata donin të dukeshin si sipërmarrës miliarderë në festat e ajkës romane të përbërë nga persona VIP dhe yje të ekranit të vogël. Kjo maskë u është hequr atyre nga hetuesi Andrea de Gasperis dhe skuadra e antidrogës.

Pas saj, sipas gazetës, doli në dritë aktiviteti i vërtetë i tre kosovarëve, trafiku dhe shpërndarja e kokainës në bashkëpunim me një producent kinematografik italian, Luka Makiaveli. Mes qindra faqeve të dosjes penale, në ngarkim të tyre ndodheshin edhe emrat e shumë njerëzve të spektaklit.

Adriana Volpe, ish- mis Italia, Nadia Bengala dhe Demetra Hampton, interpretuesja e “Valentina di Crepax”. Kishte nisur një gjykim për italianët e arrestuar. Por mungonin, sipas gazetës, Izet Beqiri dhe Bashkim Neziri, që ishin shpallur në kërkim. Neziri ishte arratisur nga spitali “Gemelli”, ku ndodhej i shtruar.

Në letrat e hetimeve përmendej edhe emri i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai njihet thjesht si mik i ngushtë i Beqirit dhe i Nezirit. Gjatë vizitës së tij në Itali, në vitin 1998, Rugova është pritur nga tre kosovarët e përmendur.

“Madje ka qenë personalisht Izet Beqiri ai që i ka paguar shpenzimet e Rugovës”. Rugova me shoqëruesit shkruante se kishte qëndruar në hotelin “Excelsior” në rrugën “Veneto” të kryeqytetit italian. Gjatë atyre ditëve, agjentët e policisë italiane po mbanin nën kontroll tre krerët e mafisë kosovare.

Zyrtari kosovar në veturë të vjedhur

Gjatë gjithë rrugëtimit të dyshimtë dhe të përfshirë në krim për çka po gjykohet, Ukë Rugova nuk është ndarë asnjëherë nga Astrit Haraqija. Më të kanë biznese të shumta të regjistruara në Kosovë.

Ukë Rugova, Astrit Haraqija e Bardhyl Sejdiu – djali i ish-presidentit Fatmir Sejdiu kanë një firmë të përbashkët. Rugova është pronar i firmës “ALLGAS” me ortak Bardhyl Sejdiun, Astrit Haraqinë, Petrit Haraqinë dhe Arbnorë Zhubin.

Rugova, së bashku me të Suel Bajramit e Blerta Kllokoqit, është aksionar edhe në firmën “ZERO8 ” SH.P.K.. Po ashtu edhe në “TCT” SH.P.K. në të parën.

Përpara së të përflitej në publik emri i Ukë Rugovës, miku i tij, Astrit Haraqija ishte aktiv në politikë. Si kryeshef ekzekutiv në Komunën e Gjakovës, Haraqija do të kapej nga Policia me një veturë të vjedhur në Stokholm të Suedisë. Vetura po kërkohej në krejt botën nëpërmjet Interpolit, kur papritur ishte gjetur duke u vozitur nga Haraqija.

Kjo veturë e tipit “Jeep Grand Cherokee” ishte nisur drejt Shqipërisë më 24 shkurt 2003. Atë e ngiste zyrtari shtetëror i Kosovës, kur në pikën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ishte ndalur nga Policia e Kosovës.

Gjatë një kontrolli të dokumenteve ishte konstatuar se autorizimi për ngasje ishte i falsifikuar dhe se Policia kishte rënë në veturën që po kërkohej prej tre vjetësh nga Interpoli. Automjetin e kishte konfiskuar. Haraqija ishte gjykuar dhe shpallur fajtor si falsifikator i dokumentit zyrtar. Gjoba ishte modeste, megjithatë konstatonte se Haraqija ishte falsifikator.

Për shkak të procedurave gjyqësore që kishin zgjatur deri në vitin 2008, vepra penale ishte parashkruar.

Ukë Rugova e Astrit Haraqija ishin shfaqur si zhbllokues të një procesi të përfolur të privatizimit. AKP-ja e udhëhequr prej tashmë të ndjerit Dino Asanaj – një mik i ngushtë i Astrit Haraqisë kishte vendosur t’ia merrte hotelin Grand Behgjet Pacollit dhe aksionarëve tjerë.

Por që kjo mos të ndodhte, Pacollit i duhej të paguante 3.7 milion euro ryshfet. Kaq para ia kishte kërkuar Astrit Haraqija e Ukë Rugova. Pacolli nuk ua kishte dhënë, ndërkohë AKP-ja ia kishte marrë hotelin.

Festë në restorantin e Astrit Haraqisë

Si faktor të rëndësishëm kjo dyshe tash e përforcuar edhe me Dardan Gashin e Adem Grabovcin është shfaqur për blerjen e votave dhe krijimin e shumicës parlamentare të koalicionit PAN. Në grupin e tyre tashmë kanë edhe Daut Haradinajn, një të dënuar për vrasje në Kosovë.

Grupi është shfaqur i buzëqeshur javën e kaluar duke pirë verë të bardhë në restorantin e Astrit Haraqisë në “Fshatin ndërkombëtar” të ndërtuar nga Dino Asanaj.

Në mënyrë krejtësisht të dyshimtë çka përbënë bazë të mjaftueshme që Prokuroria të nis hetimet, ky grup që përmbush elementet e një grupi të organizuar kriminal ka siguruar votën e Teuta Rugovës dhe Labinot Tahirit për Qeverinë Haradinaj.

I ndodhur në pozitë me një këmbë në burg e një në liri, i etur për pushtet dhe para, Ukë Rugova ka vendosur që motra e tij të votojë për Haradinajn. Atij i duhet ndihma e mikut – Adem Grabovcit që nëpërmjet ndikimit që ka në Gjykatën e Apelit të shpallet i pafajshëm për këto akuza.

Vota e së motrës për Haradinajn tashmë është e garantuar.

Nëse Ukë Rugova dhe Astrit Haraqija i kanë kërkuar Behgjet Pacollit 3.7 milion euro për zhbllokimin e privatizimit të një hoteli, sa mund të kenë marrë prej Ramush Haradinajt e Kadri Veselit për zhbllokimin e krijimit të institucioneve?/Insajderi.com

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat