Masakra e Reçakut

Opinione

Masakra e Reçakut

Nga: Gani Mehmetaj Më: 9 gusht 2017 Në ora: 08:50
Gani Mehmetaj

Ndërkohë policia serbe me njësitë e veta ndëshkuese vriste çdo ditë së paku një shqiptar, i zinte  rrugët e qyteteve e të katundeve  e torturonte qindra të tjerë. Granatimet e artilerisë u bënë përditshmëri. Prishtina u mbush me refugjatë. Thuhej se edhe në Shqipëri ikën shumë familje që mbetën pa kulm mbi krye. 

 Disa pika trafiku u bënë tmerr për kalimtarët si në trafikun urban, ashtu edhe në atë ndërmjet qyteteve. Njëra nga këto pika terrori ishte rruga magjistrale Prishtinë –Pejë, në udhëkryqin e Komoranit. Në tortura u ndihmonin serbët lokalë, të cilët jo rrallë ndërmerrnin aksione ndëshkimi, duke dalë në rrugën lokale a kryesore me shkopinj e hunj gardhi. Rrihnin pa mëshirë këdo që e takonin. Për mizori të tilla na vinin çdo ditë raporte e kronika nga terreni.

Pas vrasjes së familjes së Adem Jasharit qenë vrarë edhe disa grupe njerëzish. Por masakra e Reçakut e tronditi Kosovën, e alarmoi Evropën Perëndimore, duke vënë njëkohësisht në lëvizje mekanizmin e diplomacisë ndërkombëtare për t’i përshpejtuar gjërat. 

Në plojën e Reçakut, një katund i vogël, në afërsi të Shtimes, u vranë mizorisht 45 civilë të pambrojtur. Ishte pamja më e rëndë që e kam shikuar ndonjëherë. Lajmi na erdhi një herë me telefonatë: serbët masakruan burra e të rinj në katundin Reçak. Zëri qe i tronditur, fliste si të qe fundi i botës. Fatkeqësisht kurrë nuk kisha dëgjuar më parë për këtë katund. Dhe pyetja e përhershme më mbeti pezull: Kush, si? I njëjti zë, pasi e mori veten, më tregoi se ekipi i gazetarëve shkoi në terren.

Pak më vonë një raport më i zgjeruar sqaronte çdo gjë: Mbrëmë njësitë speciale serbe, në terrin e natës, vranë katundarë të Reçakut, duke i prerë në fyt në mënyrë mizore. Ata ishin të paarmatosur e në rroba civile. Opinioni i Kosovës ishte tronditur. Në vendin e ngjarjes shkoi shefi i vëzhguesve, amerikani Uiliam Uolker, bënte me dije më tutje raporti. Lajmi u zgjerua me pamje nga agjencia Rojters: imazhe që të linin pa frymë. Televizionet nisën të transmetonin njerëzit nga terreni dhe kufomat e të masakruarve, të shtrirë në një pllajë. Uiliam Uolker sillej gjithandej i stresuar e nervoz. Grupi i madh i gazetarëve, fotoreporterëve e kameramanëve filmonin e njëkohësisht merrnin intervistë nga amerikani që akuzonte policinë kriminale të Serbisë. 

Derisa në off dëgjohej zëri i gazetarit, kamera bridhte pllajës, ku shpaloste trupat e shpërndarë të fatkëqijve. Njerëzit u silleshin përreth pa ditur ç’të bënin me ta, Më  parë pata përshtypjen se nga tmerri u paralizuan, s’dinin si t’ia bënin. Uiliam Uoker, më i vetmi sillej esëll, urdhëronte të veprohej me ta, bënte me duar e jepte deklarata me pamje të zemëruar, gati i çartur në fytyrë. Disa qanin, të tjerët shihnin në të zbrazët. Dikush u mobilizua, nisën t’i mbulonin. Gati u mësuam me të vrarë e të plagosur, megjithatë pamja qe e rëndë, e papërballueshme, trupa të gjymtuar, me tmerrin e çasteve të fundit në sytë e shuar.

Masakrën e Reçakut e bënë njësitë speciale serbe për hakmarrje. Me këtë veprim çnjerëzor qeveria mujshare e Milosheviqit synonte të tmerronte shqiptarët, në mënyrë që të mos u shkonte nëpër mend asnjë veprim rezistence, ndërsa bashkësisë ndërkombëtare i jepte porosi të mos përkujdesej për shqiptarët. Masakra e Reçakut ishte sinjal i mjaftueshëm për diplomatët e ecejakes, për diplomacinë evropiane që ende shpresonte se do ta zgjidhte konfliktin me Serbinë me bisedime paqësore. Të vrarët mizorisht ftonin bashkësinë ndërkombëtare të mos rrinin duarkryq, po të vepronin, sepse nuk ishte masakra e parë në Kosovë, fatkeqësisht nuk jepte askush asnjë garanci se do të mbetej e fundit.

Para syve të vëzhguesve ndërkombëtarë vriteshin mizorisht njerëzit në shtëpitë e veta, në gjumë të thellë. Bëra një koment redaksional tërë mllef dhe tepër i stresuar.

I rishikoja këto pamje, mllefosesha me mizoritë serbe, i analizoja si të isha ekspert i hetimeve. Nga mllefi nisa t’i urreja të gjithë që e lejuan këtë plojë. Asgjë nuk qe e rastit, asnjë nga këto viktima nuk u vra pa një porosi.

Qysh atë ditë më nisi mekanizmi i ecejakeve të diplomatëve me intensitet  më të madh. Nervozizmi manifestohej në fytyrat e ministrave të jashtëm të Britanisë së Madhe e të Francës. Megjithatë mekanizmin e veprimit konkret e vuri në lëvizje SHBA-ja.

Sërish u përsërit kërcënimi që Serbinë mund ta bombardonin aeroplanët e NATO-s.  A do të realizohej kjo gjë, vështirë të dihej. Unë dëshiroja që të vepronin ashtu si premtonin, ndërsa druaja që më shumë është tullumbace me të cilën donin ta frikësonin Milosheviqin, një tip krimineli me paranojë, i cili gjithnjë shkonte deri në cep të greminës, duke e vënë në sprovë bashkësinë ndërkombëtare. Ai i sfidoi disa herë të gjithë. Sanksionet nuk e ndalën, bile as nuk e dëmtuan shumë, sepse ekonomia e tyre vuante nga mbyllja e tipit socialist, fare pak e varur nga rrjedhat ndërkombëtare. Euforia e pjesës më të madhe të popullatës serbe ishte për luftën në Kosovë deri në shfarosjen e shqiptarëve. Ashtu ua pastruan trurin serbëve, duke i bindur se me shfarosjen e shqiptarëve ata do t’i gëzonin të gjitha të mirat si në parajsë. Ata silleshin ndaj shqiptarëve si nazistët e tërbuar kundër hebrenjve.

Nuk e fshihnin se synonin që pjesën e mbetur të shqiptarëve t’i dëbonin përtej alpeve.  Kështu kërcënonte serbi Sheshel, i cili nuk dallonte nga serbi Milosheviq. Ai i thoshte gjërat troç, kurse bombardimet e artilerisë serbe tashmë po e realizonin planin e tyre. Mijëra refugjatë vuanin në Shqipëri, të dëbuar nga dhuna.

Me organizimin e strukturave të LDK-së në qendër, po edhe degës në Shtime, u bënë ceremonitë e varrimit të të masakruarve në Reçak , u porositën arkat dhe iu bënë nderimet e fundit viktimave. 

Shqiptarëve nuk u mbeti asgjë tjetër pos të varrosnin viktimat, të vajtonin mbi varret e tyre dhe të mendonin për një organizim rezistence, por jo në këtë mënyrë, kur shkrepej një breshëri plumbash, ia mbathnin dhe prisnin që të vinin policët serbë për të ndëshkuar katundin ku u bë shkrepja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat