Pengmarrësit e Kosovës

Opinione

Pengmarrësit e Kosovës

Nga: Enver Robelli Më: 12 gusht 2017 Në ora: 12:52
Enver Robelli

Çfarë vendi do të ishte sot Kosova po të mos kalëronin në skenën politike figura si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj, Sami Lushtaku dhe të tjerë të kësaj kategorie? Kosova nuk do të ishte parajsë, por as vend në qorrsokak, siç është tani. Si sot para dy muajsh në Kosovë u mbajtën zgjedhjet parlamentare, por vendi ende nuk ka as kryetar parlamenti, as kryeministër, as qeveri. Kosova administrohet disi nga kabineti në detyrë, arkat e shtetit zbrazen, humben fonde dhe opinioni i pafuqishëm përballet me lajme se si Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike pasi është falur për 26 milionë euro brenda tri vitesh ka fituar rreth 90 milionë euro. Kush jep përgjegjësi? Askush!

Ndërsa para syve të qytetarëve zbehet gjithnjë e më shumë perspektiva, ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz që llogariten si pjesë e shtresës së mesme bëjnë plane për të emigruar, ndërsa asnjë investitor i madh serioz nga Europa Perëndimore nuk tregon interesim për të investuar në Kosovë, ndërsa Postës dhe Telekomit të Kosovës i ka mbetur vetëm hija nga vlera e dikurshme, ndërsa niveli i mediave ka rënë nën atë të mejhaneve të pista ballkanike, ndërsa Kosova po mbetet vendi më i izoluar dhe marrja e vizës së Schengenit festohet si një diplomë Harvardi, Kosova është marrë peng nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj, Sami Lushtaku dhe të tjerë të kësaj kategorie.

Frika nga veprimet e Gjykatës Speciale ka kapluar sidomos ata funksionarë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), emrat e së cilëve përmenden në Raportin e Këshillit të Europës mbi krimet e luftës dhe të pasluftës në Kosovë, kur kontrollin efektiv në territorin e Kosovës e kishte e ashtuquajtura Qeveri e Përkohshme, e cila u shndërrua në murtajë të përhershme për popullin e Kosovës, duke instaluar një sistem mafioz me të gjitha të këqijat e tij. Të frikësuar se do të përfundojnë në qelitë e Hagës krerët e PDK-së përpiqen me çdo mjet të mbajnë situatën të tensionuar.

Nuk është vetëm mungesa e numrave që është bërë shkak për mosfunksionimin e parlamentit dhe zgjedhjen e kryetarit të tij. Pas ngërçit politik në Kosovë qëndron synimi i PDK-së dhe aleatëve të saj që duke provokuar tensione të shmanget e pashmangshmja: ballafaqimi me aktakuzat e Gjykatës Speciale. Për shkak të frikës së tyre ata kanë marrë peng një vend dhe një popull. Për aq kohë sa zgjat kjo amulli, Kosova nuk do ta gjejë qetësinë. Sepse qetësia e saj varet nga qetësia shpirtërore e Thaçit, Veselit dhe shokëve të tyre. Si mund të gjejnë qetësi shpirtërore politikanët që frikësohen se i pret aktakuza për krime të rënda? Rrjedhimisht, në veprimet e tyre politike nuk gëzon prioritet interesi i Kosovës dhe i popullit të Kosovës. Gjithçka i nënshtrohet pyetjes: «Ku jam unë pas një viti?»

Le të shikojmë se çfarë lëvizjesh kanë bërë muajve të fundit. Bëhen sikur duan të themelojnë ushtrinë dhe kështu simulojnë një konflikt me bashkësinë ndërkombëtare me qëllim që të imponohen si të pashmangshëm në çështjet e sigurisë. Bëhen sikur i kanë siguruar Kosovës ndonjë dobi me demarkacionin me Malin e Zi dhe me asociacionin e komunave serbe, por s’marrin përgjegjësinë ta nxjerrin në votim rezultatin e marrëveshjeve të tyre (këtu pjesën e fajit dhe të përgjegjësisë e bart edhe LDK). Bëhen sikur duan të përparojnë vendin dhe provokojnë zgjedhje parlamentare, duke krijuar koalicione të improvizuara parazgjedhore dhe në vend të një qeverie që merr vendime të rëndësishme s’arrijnë të zgjedhin as kryetarin e Kuvendit. Bëhen sikur angazhohen për sundimin e ligjit dhe bëjnë çmos t’i përkëdhelin viktimat e tyre, duke iu dhënë dekorata e tituj me shpresën se ata nuk do të dëshmojnë para Gjykatës Speciale dhe asnjë gjyqi tjetër.

Nuk duhet të befasohemi që rezultat i tërë kësaj politike të krerëve të PDK-së, të cilëve u është bashkuar edhe shefi i AAK-së, është zhvendosja e politikës nga institucionet në salla dasme, nga parlamenti në «birtija» (kafehane), të cilat frekuentohen nga serbë të dyshuar dhe të dënuar për krime të ndryshme, nga zyrat partiake në «lokale» të Prishtinës, ku negociohet çmimi i mishit të gjallë të familjes R. dhe i hajdutëve të tjerë politikë me të kaluar të dyshimtë. Politika sot në Kosovë është vetëm një pazar për devijimin e vullnetit të shumicës shqiptare për ndryshim dhe për t’i dhënë fund sundimit të figurave politike që s’kanë asnjë ideal madhor për këtë vend. / dialogplus.ch

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat