Politika paqësore dhe rezistenca e armatosur

Opinione

Politika paqësore dhe rezistenca e armatosur

Nga: Gani Mehmetaj Më: 15 gusht 2017 Në ora: 06:22
Gani Mehmetaj

Megjithëse ish grupet e LPK-së e grupet e tjera të majta, kanë bërë përpjekje të vazhdueshme ta privatizojnë luftën, ta birësojnë UÇK-në e ta paraqesin Rugovën e rezistencën e lëvizjes së tij në mënyrë të njëanshme, e vërteta ishte krejtësisht  ndryshe. Ajo paraqitet më komplekse, më e thellë dhe më e dinjitetshme se sa që duan ta paraqesin daltonistët e majtë.

 Rugova punonte paralelisht në dy rrafshe. Në rrafshin e parë të politikës paqësore, e ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës në qarqet vendimmarrëse dhe, përpiqej t’i shmangej luftës me Jugosllavinë. Në rrafshin e dytë të rezistencës së armatosur, ai themeloi Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Brendshme, dy institucione që kishin të bënin drejtpërdrejtë me përgatitjen për mbrojtje, pra për luftë të armatosur. Shërbimi i fshehtë nisi të funksiononte pak kohë pas themelimit të LDK-së, përkatësisht me institucionalizimin e shtetit paralel, ai funksiononte si shërbim që i raportonte institucionit të caktuar. Kishte edhe aksione konkrete. Por këto gjëra u bënë në fshehtësi të plotë. Serbia e ndiqte çdo formacion mbrojtje të shqiptarëve të Kosovës e të territoreve etnike. Kur vriste apo arrestonte shqiptarë të Kosovës, arsyetohej kinse shpartallonte grupe të armatosura. 

Nuk ishte vetëm dhuna serbe ndaj popullatës së pambrojtur ajo, që e detyronte Rugovën ta proklamonte vazhdimisht politikën paqësore, por ishin edhe mbështetësitë ndërkombëtarë ata të cilët nuk donin të dëgjonin për forma të tjera të rezistencës, sepse sa herë që Rugova në takime ndërkombëtare u thoshte se durimit i ka ardhur fundi, se populli është lodhur nga dhuna serbe, ata ia bënin me dije se po nisi rezistencë e armatosur nuk do ta kishte mbështetjen e tyre.

Megjithatë ai dërgoi kontingjente burrash të përgatiteshin  për luftë në kazermat shqiptare. Po ashtu, oficerët shqiptarë të ish Armatës jugosllave iu afruan institucioneve që i udhëhiqte Rugova, duke dëshmuar gatishmërinë për të organizuar rezistencë të armatosur. Natyrisht përmes oficerëve shqiptarë që e braktisën ushtrinë jugosllave, ai mësoi për mundësitë e përgatitjen ushtarake të Serbisë, ashtu sikurse që ishte me vlerë prania e oficerëve shqiptarë, sepse ata e dinin taktikën luftarake të armikut. 

 Një pjesë të madhe të këtyre oficerëve të cilët u paraqitën vullnetarë për luftë, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Brendshme, i strehuan brenda Kosovës që të mos eksponoheshin. Pjesën  tjetër i nisi në Shqipëri e Perëndim, që t’i kursente nga represioni. Ata mbanin takime e mbledhje të shpeshta për të ushtruar gatishmërinë luftarake. Brenda këtyre shërbimeve ushtarake pati  zbulim e kundërzbulim. Ministria e Mbrojtjes po ashtu u formua nga njerëz profesionist më përvojë në të kaluarën, një pjesë e tyre ndërkohë i dërguan në Shqipëri apo në Perëndim që të mësonin taktikën e re, apo përvojat perëndimore.

Në anën tjetër, në të gjitha qytetet, lagjet e katundet,  në të gjitha pikat strategjike, para çdo stacioni të policisë apo kazermave të ushtrisë serbe, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme e Shërbimi i fshehtë i Kosovës, organizuan njerëzit të cilët raportonin për çdo lëvizje të policëve e të ushtarëve serb, apo të njerëzve të shërbimit të fshehtë serb. Që të mos goditej  vetëm një cak i grumbullimit të informatave, disa nga të dhënat e menjëhershme publikoheshin nëpër medie elektronike e të shkruara shqipe, kështu që jo vetëm u krijua nervoz e ndjeshme, në qarqet ushtarake e policore serbe, por u krijua pasiguri e madh edhe të bashkëpunëtorët lokal të Serbisë në Kosovë. Asnjëherë shqiptarët nuk kishin qenë më të organizuar, asnjëherë nuk qenë më efektiv.  Isha dëshmitar i grumbullimit të çdoditshëm të informatave për lëvizjet policore e ushtarake serbe, ndërsa i shpërndanim nëpër të gjitha institucionet ndërkombëtare e në medie. Po ashtu gati çdo ditë publikoheshin emrat e policëve serbë që e terrorizonin popullatën shqiptare.

 Sa herë futeshin nga Serbia kolonat e ushtarëve në pikat kufitare në Merdare, apo të Dheu i Bardh, raportoheshin brenda disa minutash. Natyrisht informatorët shqiptarë jo rrallë pësonin, sepse edhe Serbia e shfrytëzonte rrjetin e tyre të spiunazhit për t’i kapur njerëzit tanë. Ishte kjo formë e rezistencës autoktone, e gërshetuar me rezistencën franceze kundër gjermanëve, apo me rezistencën polake kundër Bashkimit Sovjetik.

Njerëzit e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Ministrisë së Brendshmes ndiqeshin gjatë gjithë kohës nga shërbimi sekret serb. Rrethanat në të cilat vepronin zyrtarët të dy ministrive të Kosovës ishin të rënda: ata rrezikonin vetën, por rrezikonin edhe familjet e tyre, sepse shteti serb u hakmerrej gjithnjë familjarëve. Pastaj vepronin në territorin e pushtuar, që ishte rrethanë e vështirë, sepse për ta dobësuar organizimin ushtarak të shqiptarëve, policia e ushtria serbe terrorizonin popullatën, duke vrarë njerëz e duke djegur shtëpi. Arrestimi i një pjesë të strukturave udhëheqëse të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Ministrisë së Brendshme ishte goditje e rëndë për rezistencën e armatosur. Një pjesë e tyre dolën në ilegalitet, ose kaluan kufirin, duke u riorganizuar, apo duke vënë kontakte me fijet e shkëputura.Komandosët  e stërvitur nëpër kazermat shqiptare ishin shpërndarë nëpër tërë Kosovë: Adem Jashari, Salih Çeku me grupet që i udhëhiqnin bënë disa aksione spektakulare kundër armikut. 

Pas rrënimit të shtetit shqiptar dhe ardhjes në pushtet të forcave të majta në Shqipëri. Shërbimi Informativ Kombëtar u vu në mbështetje të LPK-së, duke shpërfillur apo edhe më keq, duke ndjekur e vrarë forcat që e mbështesnin vijën institucionale të udhëhequr nga Ibrahim Rugova. Grupet e armatosura, ithtarë të Rugovës patën shumë probleme më grupet që mbështeteshin nga SHIK-u. Qeveria shqiptare e barti edhe te rezistenca e shqiptarëve të Kosovës skemën e armiqësisë së tyre të brendshme, ku kundërshtari politik trajtohej si armiku më i egër. Duke mbështetur grupet majtiste, qeveritarët shqiptarë që e morën pushtetin në mënyrë të dyshimtë, pasi rrënuan shtetin e tyre, synonin ta monopolizonin rezistencën e armatosur, ta kontrollonin përmes një krahu politik, duke u paraqitur në rolin e paternalistit.

Forma e rezistencës e forma e veprimit ndaj kundërshtarit politik, që ia injektuan “kosovarëve”, ishte e njëjtë  me përvojën e partizanëve të Enver Hoxhës ndaj forcave nacionaliste. Nga pasojat e cytjeve të nëntokës politike të Tiranës, pati fërkime e përgjakje në mes të shqiptarëve të Kosovës. Militantët e Rugovës, të cilët ishin rreshtuar në formacionet e armatosura, apo udhëhiqnin grupe të armatosura në terren, patën shumë probleme me grupet e Fatos Nanos e Fatos Klosit. Gjithnjë duhej ta ruanin shpinën sa nga armiku serb aq edhe nga kundërshtarët e tyre politik, që cyteshin nga Tirana.

 Ndërkaq, Forcat e Armatosura të Republikë së Kosovës- FARK-u, që vepronte me sukses në terren, kryesisht në Rrafshin e Dukagjinit, bënë luftimet më të suksesshmet, sidomos në zonën kufitare në mes të Kosovës e Shqipërisë, ku ushtria serbe përqendroi armatimin e fuqinë më të  madhe. Agim Ramadani, Salih Çekaj, Anton Çuni, Tahir Zemaj, etj. ishin pjesë e forcave të armatosura të Kosovës. Por FARK-u mori goditje të forta nga armiku, pati shumë të vrarë e të plagosur, ashtu sikurse mori goditje prapa shpinës, kur e vranë ministrin e  Mbrojtjes, Ahmet Krasniqin në Tiranë. FARKU-u, megjithatë rezistonte më më sukses se sa të gjitha formacionet e tjera të grupeve të armatosura së bashku. Grupet e LPK-së, pa disiplinë e  pa komandë, shkrepnin një breshëri armësh në një katund, ia mbathnin me të katrat, duke e lënë popullatën në mëshirën e armikut.

Ushtarët e FARKU-ut, raportonin njohësit e strategjisë ushtarake, ishin të stërvitur, të armatosur më mirë dhe ishin më të disiplinuar. Formacionet e tyre të armatosura nuk shikoheshin më sy të mirë as nga subjektet ndërkombëtare, që nuk e pranonin Kosovën me formacione të rregullta ushtarake. Askush nuk e mbështeste idenë që një ushtri e rregullt e vendasve të futej në Kosovë, krahas trupave të NATO-s. Më shumë e pëlqenin rezistencën e grupeve guerilje, të cilët mund t’i çarmatosnin shumë më lehtë, pasi të çlirohej Kosova.  Dhe ashtu bënë.

Çarmatosja, ndjekja, e vrasja e ushtarëve e oficerëve të FARK-ut e grupeve pro Rugovës është kaptina më e dhimbshme e historisë më të re shqiptare. Është njollë e zezë që do të na ndjek  kohë të gjatë. Komandantët e shpifur e zhvatën dhe e pushtuan Kosovën, të cilën e çliruan trupat e NATO-s. “Komandantët” me nofka shtazësh të kopshtit zoologjik, e pronësuan luftën, e bënë pronë private pjesën më të madhe të pasurisë së Kosovës, nisën ta terrorizojnë popullatën shqiptare me metodat e partizanëve. Është e habitshme se si forcat ndërkombëtare, që morën detyrë sigurinë e Kosovës e të qytetarëve të saj, i shihnin përmes gishtërinjve këto krime, të cilat i regjistronin, por nuk i pengonin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat