(Pa)varësia dhe popujt e vegjël

Opinione

(Pa)varësia dhe popujt e vegjël

Nga: Fadil Lepaja Më: 16 gusht 2017 Në ora: 14:52
Fadil Lepaja

A është pavarësia,e plotë, si idealizohej dikur,  tashmë,  veç një mit, në kohën kur kompanitë globale, financat, strukturat  globale të sigurisë, janë fuqizuar aq tepër sa shteti nacional nuk paraqet më strehë të sigurt për popujt e vegjël, edhe pse kjo pikërisht te këta merr përmasa mitike? A është e arsyeshme të sforcohet   rilindja  kombëtare kur  identiteti evropian , po i përfshinë ato nacionale dhe si rrjedhojë vendimet e institucioneve nacionale , në pjesën ma të madhe varen nga konjukturat  kontinentale apo globale?  Po demokracia, në shtetin nacional, të izoluar, a mund të funksionojë, si model  shkollor, apo mundet veç  të shndërrohet në instrument të oligarkëve, për të ndërtuar dhe mbajtur pushtetin e tyre absolut, kryesisht  informal?  

Çfarë thotë përvoja shqiptare? Edhe pse Shqipëria , tashmë ka më se një shekull e pavarur, ndërkaq Kosova po i bënë dhjetë vite pavarësi, ajo që fitohet si përshtypje e parë , për politikën  andej dhe këndej “Bjeshkëve të Nëmura” është se asnjëherë përgjatë historisë ato nuk kanë qenë më të varura. Por mos u ngutni, të nxirrni përfundime të gabuara, negative, nga ky pohim, duke u nisur nga  nocionet e dikurshme të pavarësisë dhe lirisë. Pavarësia dhe demokracia “autentike” që ofrohet si alternativë ndaj globalizmit dhe identitetit të ri, kontinental,  nuk duket gjithnjë premtuese, madje as nuk tingëllon si idealiste, ashtu si tingëllonte dikur.

Bashkëjetesa e nacionalizmit dhe demokracisë përgjatë dy shekujve të kaluar, u bë e pamundur në kohën kur lokomotiva nacionale ka mbetur pa karburant dhe më nuk tërheq përpara në asnjë fushë, aq më tepër në zhvillimin e të drejtave dhe lirive të individit, pikërisht për shkak se ndërveprimi, lëvizja e njerëzve dhe mallrave e sidomos komunikimi mes tyre është rritur aq shumë sa, i ka kaluar kufijtë historik. Edhe librat e historisë, madje edhe shumica e librave, nga të cilat mësojnë fëmijët tonë, edhe ata të politikës madje, kanë nevojë për rishkrim.

A është nacionalizmi, dhe pavarësia e plotë , deri në “kullotje bari”  vetëm për të mos u nënshtruar ndaj askujt, alternativë, apo jo ka mbetur të vegjetojë sikur ai miti enverian, i cili shërben për të përqeshur  dallkaukët lokal që argumentojnë se populli duhet të jetë besnik ndaj pashallarëve lokal në të gjitha marrëdhëniet me jashtë, ndërkohë që çdo gjë që vjen nga jashtë duhet shikuar me dyshim? Nacionalizmi dhe shteti i fuqishëm , ekonomikisht, ushtarakisht dhe politikisht, ishte ideali i të gjithë nacionalistëve idealistë, të cilët këtë (pa)fuqi gjithnjë e shihnin në raport me fqinjët apo në urrejtjen ndaj  tyre. Pafuqia për të ndërtuat diçka të tillë dikur, në epokën e artë të nacionalizmit, dhe rreshtimi në anën e gabuar të historisë, sa me hatër sa me dhunë, ende krijon energji për të provuar diçka të tillë edhe në epokën e shthurjes së gardhiqeve lokale, madje edhe atyre nacionale, përballë makinerisë globale ekonomike, financiare dhe sidomos asaj të sigurisë. Në asgjë nuk mund të funksionosh i pavarur, sot, përpos ndoshta në qeverisjen lokale.

Pavarësisht faktit se dominon demokracia, si sundim i shumicës përmes institucioneve demokratike dhe ligjit, asnjëherë deri më tani, qytetari si sovran, nuk ka qenë më i pafuqishëm. E shumta një status në rrjetet sociale, i cili  nuk bien as në sy nëse “ vëllai i madh” kujdestar nuk ta bënë “llajk”. Oligarkët lokal, e kanë suspenduar demokracinë dhe liria është formësuar si mundësi që të shkilen ligjet pa ndëshkim, çka sigurohet duke qenë pjesë e rrjetëzimit mafioz të oligarkisë.  Është rritur efikasiteti i shtetit, duke e injoruar demokracinë, ose duke e “meritokratizuar” atë.

Pyetjet  kryesore që dalin, në përpjekje për të zbardhur arsyet e kësaj gjendjeje ku diktatorë të vegjël modern, mbajnë në dorë të gjithë penjtë e politikës dhe pushtetit dhe njëkohësisht e bëjnë që krejt kjo të duket si liri, ndoshta mund të lidheshin me pushtetin real në vend. Kush sundon?

Pushteti i vërtetë  në Ballkan, mbështetet në dy  baza që kontrollojnë gjithçka dhe asnjëra nuk buron prej qytetarit. Fuqia primare, është kryesisht ndërkombëtare, e përkrahur  fuqishëm nga një elitë oligarkësh vendorë, të cilët në parim nuk kanë asnjë ideologji tjetër përpos parasë së përfituar nga a pushteti, pra buxheti  dhe nga fondet e jashtme, të cilat natyrisht i menaxhojnë ata dhe sidomos i shpërndajnë nëpër rrjetin e tyre të ndikimit. Baza e fuqisë së oligarkëve lokal qëndron në informalitet dhe  papërgjegjësi në plotë të tyre ndaj qytetarëve të cilët vetëm duke qenë pjesë e  rrjetëzimit joformal, arrijnë të mbijetojnë ekonomikisht, politikisht e madje edhe fizikisht, sepse gjithçka varet nga rrjeti. Kështu ata edhe bëhen pjesë e 20% të privilegjuar. Mungesa e klasës së mesme, kompensohet me rrjetëzimin informal që shtrin rrënjët dhe përfshinë deri në 20% të qytetarëve. Pareto rule, e aplikuar në politikën e Ballkanit,  është përsosur aq shumë sa, me më pak se 20% të qytetarëve , që janë ingranuar në rrjetin e shtetit privat të oligarkëve, sundohet 80% e popullsisë, duke manipuluar me sukses të plotë të gjitha votimet, zgjedhjet dhe zgjidhjet, madje. Ata janë shndërruar në makineri (mbi)votimi, përmes së cilës madje edhe  shantazhohen  strukturat ndërkombëtare dhe shfronësohen qytetarët.

Këtu vijmë te nxënësit e mirë dhe nxënësit e këqij në politikë. Duke ofruar modele të përsosura nga librat shkollorë por njëkohësisht jofunksionale  dhe duke u ndier të vetëmjaftueshëm, oferta kombëtare, madje edhe ajo demokratike,  e cila nuk e merr parasysh realitetin e ri global, po shihet si rrezik për rendin e ri në rajon. Sot, në këtë konjukturë, është më e rëndësishme me kë je, sesa kush je.

Pavarësia dhe dinjiteti kombëtar i konceptuar nga rilindësit, padyshim se bëhet qesharak dhe kontraverz nëse aplikohet në formën e ëndrrave të nacionalistëve tonë të shekullit XIX e madje edhe atyre të XX-tës. Korruptimi i intelektualëve , prej politikës, dhe sidomos prej oligarkisë, ka bërë që me identitetin të merren politikanë pa identitet dhe dije por me interesa të qarta. Ata, jo se e kanë kuptuar, por  e ndiejnë se krejt  kjo është çështje raporti me fuqitë që i drejtojnë proceset globale dhe rendin e ri global të ndërtuar kryesisht në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtarë, infrastrukturës transkontinentale të naftës dhe gazit si dhe interesit të biznesit global për kufij të hapur dhe lëvizje të papenguar. Të gjitha dallimet tashmë, derisa të merr formë përfundimtare kjo luftë, janë të pajtueshme, përpos  asaj në mes të globalistëve dhe antiglobalistëve ...!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat