Takimi me Rugovën në Zvicër - Bota Sot
Takimi me Rugovën në Zvicër

Opinione

E martë, 26 shtator 2017

Takimi me Rugovën në Zvicër

Nga: Gani Mehmetaj Më: 21 gusht 2017 Në ora: 11:01
Takimi Rugova-Mehmetaj

Pas lirimit me ndërmjetësimin e kreut shtetëror italian, Rugova disa kohë qëndroi në një pushimore afër Romës, ndërsa nga aty lëvizte në tërë Evropën Perëndimore. E ftuan edhe në Tiranë, por, vështirë t’u besohej zyrtarëve shqiptarë, sepse ata tërë kohën nuk u sollën me dinjitet ndaj Rugovës. Ata nuk e respektuan shumicën e shqiptarëve të Kosovës, sepse shumica e popullatës e zgjodhën presidentin e tyre, shumica vazhdonte ta çmonte pa asnjë ngurrim. Të shkonte në Tiranë askush nuk garantonte se nuk do t’i bënin atentat, ashtu sikurse i bënë atentat ministrit të Mbrojtjes të Qeverisë së Kosovës. Kur Rugova matej të shkonte a të mos shkonte në kryeqytetin shqiptar, u fol se po përgatitej një atentat kundër tij, nëse do të zbriste në Aeroportin e Rinasit. Më fjalë të tjera, zyrtarët  e Tiranës e ftonin sa për kurtuazi, por në anën tjetër tërthorazi i tregonin se po erdhi, mund ta gjejë e zezë dita. Detyroheshin ta lanin gojën, si thotë populli, meqë burrështetasit e Perëndimit e respektonin Rugovën, madje përmes kanaleve diplomatike, u bënin presion zyrtarëve shqiptarë ta afronin, por ata nuk donin njerëz me autoritet, ata bënin përzgjedhjen sipas kutit të tyre: të dëgjueshëm e të kontrollueshëm. Donin të merrnin rolin e mbikëqyrësit si të ishim ne adoleshent, donin të bënin njëkohësisht  tregti politike, pa bërë asnjë flijim për shqiptarët e Kosovës.   

E dija se amerikanët e mbështesnin edhe më tutje, duke i këshilluar zyrtarët socialistë të Tiranës ta bënin të njëjtën gjë, mirëpo ata tashmë kishin krijuar ekipin e tyre të të përzgjedhurve, kështu që Rugova i zgjedhur nga populli u krijonte shumë probleme. Me grusht shtet kishin ardhur socialistët shqiptarë, me grusht shtet përpiqeshin të instalonin njerëzit e tyre në Kosovë. Zyrtarët shqiptarë patën edhe hesape të mëhershme me Rugovën.  Nuk vuri lule mbi varrin e diktatorit Hoxha, nuk e mbështeti Ramiz Alinë e Fatos Nanon.

Nano, Majko e Milo me dëshirë nuk donin t’ia shihnin fytyrën, pavarësisht presioneve amerikane. Qeveria shqiptare e treshes Nano-Majko-Milo, shtrëngohej nën darët e tutelës greke. Grekët u bënë garantë të Shqipërisë para amerikanëve, ndërsa Tirana u bë garant e grupeve majtiste në Kosovë.

Presidenti Rugova gjatë kësaj kohe vazhdonte takimet intensive me personalitete të rëndësishme të Evropës Perëndimore e të SHBA-së. Qeveria shqiptare përpiqej ta prishte imazhin e mirë të të parit të Kosovës.

Nga takimet e presidentit Rugova jepnim vazhdimisht lajme e kronika në gazetën “Rilindja”. Provova të merrja një intervistë nga ai derisa rrinte në selinë afër Romës. Ia dërgova pyetjet me faks në një numër ku lajmërohej truproja, Adnan Merovci. Asnjëherë nuk isha i sigurt nëse ia dha Adnani pyetjet Rugovës apo jo. Nuk e di pse, por ndaj truprojës pata rezerva. Më 1998, kur erdha nga Cyrihu në Prishtinë me një porosi për presidentin, i thashë Xhemail Mustafës, se doja ta takoja presidentin, por vetëm atëherë kur nuk është askush pranë tij. Më thirri në Presidencë në momentin e duhur kur nuk qëlloi askush brenda. Në takim me presidentin Rugova nuk u fut as Xhema.

 Këto i kujtoja kur e takova presidentin në Cyrih, përkatësisht në një restorant afër Cyrihut. Nuk m’u dha ta pyesja, i mori pyetjet, apo jo, sepse pati shumë veprimtarë të LDK-së që e rrethonin, duke e ndjekur fjalën e tij me admirim.

Ibrahim Rugova erdhi më Skënder Hysenin, përkthyes e Adnan Merovcin, truprojë, me dyshen e pandashme që i shkonin prapa kudo. Për ardhjen e Rugovës nuk më informoi kjo dyshe, por  veprimtari Hajdar Sadrija e Hysen Gërvalla. Rrugës më tregoi me telefon dore edhe një mik imi, gazetar azilant, të cilit i tregoi truproja e presidentit.   

Veprimtarët e Degës së LDK-së në Zvicër e pritën me entuziazëm, paksa të hutuar pas marrjes peng dhe disi sikur nuk dinin të silleshin në situatën e re.

Rugova m’u duk i deprimuar, më i heshtur dhe më pak entuziast sesa dikur. Kaloi shumë drama që nga hera e fundit kur e takova. Marrja peng sikur e ndryshoi ndjeshëm, apo mbase nuk qe në orë të mira atë mbrëmje. Flisnin në grup në tryezën e madhe të drekës. Dikush këmbënguli ta dëgjonte fjalën e presidentit, të tjerët mbanin vesh. Ai fliste prajshëm, mezi dëgjohej, sikur i fliste vetes. Nuk e di se si u zu fjala për Nolin politikan e jo Nolin poet e përkthyes. Nisi të rrëfente për pendesën e Nolit pse nuk qe më i ashpër, pse nuk e përdori kamxhikun, në vend të bindjes. Noli dhe Rugova në politikë nuk ngjasonin fare.

Nuk e fshihte dëshpërimin te bashkëpunëtorët, të cilët butësinë e tij e keqpërdorën. Dikur nisi të fliste për masat drastike, të cilat ishin në kundërshti të plotë me karakterin e tij të butë e filozofinë politike. Nuk e pëlqeja të tillë, nuk isha mësuar kurrë ta dëgjoja se si fliste në këtë mënyrë. Jam i sigurt se nuk mendonte ashtu, ose më shumë fjala e tij e rastit qe refleks i dëshpërimit të çastit.  Kaloi shumë situata dramatike, jeta e tij varej nga tehu i shpatës, fati i familjes, që e mbanin peng kriminelet e Milosheviqit me egërsi të paparë, ishte tortura më e madhe. Ato ditë të pengut, ai e dinte se çdo fjalë e papeshuar mund t’u kushtonte jetën e më të dashurve. Sigurisht shpresonte të shpëtonte sa më shumë shqiptarë që mbaheshin peng në tërë Kosovën. Mos qofshim nën lëkurën e tij.

Pakkush nga ata që e kritikonin, përpiqeshin ta kuptonin apo të depërtonin në dramën  nëpër të cilën kaloi ai. Asnjëherë nuk gëzoi shëndet për lakmi, por tash më dukej edhe më i dobët.

M’u kujtuan cilësimet që i bënin për pamjen e tij. Ai “i zaifti!”, fjalë turke që e ka kuptimin e shëndetligut, e quante Adem Demaçi nga mosdurimi, duke mos ia përmendur kurrë emrin. Derisa unë, po edhe të tjerët e vërenim me vëmendje, mbase të tepruar, ai mjaft shpejt e mori veten, ose e hetoi se nuk fliste me veten, por me ithtarët që e shikonin me admirim, me një dozë të dëshpërimit për këtë ndryshim. Iu kthye bisedës së zakonshme, nisi të shpalosë ëndrrën e tij për pavarësinë e Kosovës. Pastaj foli për trupat e NATO-s, për mrekullinë e çlirimit, për euforinë e kthimit, sepse e tha disa herë pa njerëz s’të duhet atdheu.

Nga fytyra e zvogëluar nisi t’i ikte zymtësia. Kohë pas kohe rrezatonte me qeshjen e tij karakteristike, të cilën disa e pëlqenin, ndërsa të tjerët e konsideronin sikur nuk i ka hije një burrështetasi të kalibrit të tij. Ata e donin idhullin e tyre më të ashpër, më të  mrrolur, që do ta tundte ndonjëherë tryezën duke i rënë grusht. Në një çast pata përshtypjen, kur foli për grushtin e hekurt që është dashur ta përdorte, disa e tumirnin, e donin më shumë të tillë, mua në ato çaste dobësie m’u duk sikur më iku Rugova që e njihja kohë të gjatë. Nga përhumbja e dëshpërimi nisi të rrezatonte optimizëm të matur. Edhe të tjerët u ngjallën, pyesnin diçka apo ia kthenin ndonjë batutë. 

Darka u bë e këndshme me biseda nga më të ndryshmet, me barsoleta e rrëfime që të nxisnin në gaz, duke e hedhur prapa tërë atë katrahurë që na dilte të gjithëve parasysh, sidomos në fillim kur e shikonim Rugovën e heshtur e të deprimuar. Ai më tregoi që shtëpinë në Prishtinë ma kishin djegur: “T’i pastë marrë të ligat!”, u përpoq të më ngushëllonte. Ia ktheva se kjo nuk ishte asgjë krahasuar me pësimet e të tjerëve. Ashtu mendoja, megjithëse ma dogjën jetën dyzetvjeçare, nuk ma lanë asnjë kujtim a fotografi.

Vazhduam të bisedojmë në një rreth të mbyllur, duke i cakërruar gotat dhe duke kujtuar detaje nga e kaluara. U interesua për jetën e njerëzve në diasporë, për gjendjen e refugjatëve. U bënte thirrje të ktheheshin e të investonin, ta ndërtonin Kosovën.

Na tregonte inserte nga ajo që pa, apo dëgjoi në kampet e ndryshme. Mrekullohej sikurse shumë personalitete ndërkombëtare që i rrëfyen se sa shpejt u kthyen refugjatët shqiptarë në vendlindje. Nuk pritën as ndihma, nuk donin as para, donin të shkonin nëpër shtëpitë e tyre, të djegura e të minuara. Ata nuk i zinte vendi vend.

Njerëzit tanë e duan atdheun, u tha të huajve, përderisa po ata burrështetas  i kishin dhënë shembullin e refugjatëve boshnjakë, të cilët ende rrinin nëpër botë.  M’u duk se Rugovën të tillë e donin edhe të tjerët, të ulur në karrige pranë meje, derisa pinim verë a uiski, cakërronim gotat e dëgjonim herë presidentin, herë njëri-tjetrin.

Bëmë fotografi në grup, po edhe veç e veç. Nga redaksia shkuam me Avni Bulliqin.

Ndërkohë bisedova me A. Merovcin. Më foli për Prishtinën, për disa miq që i shpëtuan katrahurës, më tregoi që përderisa presidenti e dërgoi në Kosovë, i dolën para njerëzit me uniforma të UÇK-së. E mbajtën gjashtë orë në Shtabin e improvizuar të  UÇK-së,  në lokalet e Autoshkollës, në të dalë të Prishtinës. Nuk më kujtohet nëse më tha se e torturuan gjashtë orë apo e pyetën gjashtë orë, por e di se kaloi tepër keq në këtë “bisedë informative”. Ishte i stresuar.  Ato ditë grupe njerëzish me uniforma të UÇK-së e bënin ligjin. Një gazetë gjermane shkruante se kompetencave të këtyre njerëzve do t’u lakmonin edhe policët e  Hitlerit a të Pinoçes.

U ndamë me Rugovën me grishjen e tij që të ktheheshim e të shihnim. Atdheu po frymon ndryshe pas ikjes së okupatorit, më tha. Aleatët që na çliruan do të na ndihmojnë të zhvillohemi e të ecim përpara. Prapë rrezatonte optimizëm, duke e shpaluar ëndrrën  e madhe për pavarësi de jure e de fakto, sikurse  thoshte shpesh. “Ne jemi të lirë, prandaj duhet t’i ndërtojmë institucionet tona në aleancë të përhershme me SHBA-në e Evropën Perëndimore”.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test