Topitja, Zvarritja, Rilindja, Ritopitja dhe Rizvarritja

Opinione

Topitja, Zvarritja, Rilindja, Ritopitja dhe Rizvarritja

Nga: Lis Bukuroca Më: 21 gusht 2017 Në ora: 17:43
Lis Bukuroca

Frikë nga identiteti dhe vetëdija nacionale shqiptare kishe shteti osman dhe si pasojë e saj, edhe urrejtje. Pas nënshtrimit identiteti u luftua në fillim me agallarë shqiptarë, pastaj me pashallarë shqiptarë, më vonë me vezirë shqiptarë dhe në fund, me asqerë shqiptarë. Sot identiteti luftohet nga individë të vetëquajtur intelektualë, klerikë apo dijetarë. Njerëz pa asnjë rrezatim shkencor jashtë kufirit nacional. Pra, “dijetarë” mëhalle, që përpiqen broçkullat e tyre, t’i qëndisin me citate, që u pëlqejnë, që u besojnë dhe që u shkojnë përshtati epigonëve.

Frikë nga identiteti dhe vetëdija nacionale shqiptare, dhe si pasojë ai qëndrim prodhonte domosdoshmërish urrejtje dhe racizëm, kishte pushteti sllav dhe e luftonte me shqiptarë, me shkencëtarë, me funksionarë shqiptarë, me popa, por në prapavijë edhe me shërbëtorë tjerë, edhe me imamë, që luftonin arsimimin si kërkesë dhe pritshmëri themelore e sllavëve.

Kundër ngritjes dhe vetëdijes nacionale shqiptare, ishte vazhdimisht edhe Greqia me klerin dhe shqiptarët e vet. Nëse ato shtete dikur kanë pasur shërbëtorë sekret, sot rrogëtarët e tyre njihen botërisht. E dëshmojnë me vepra, me fjalë dhe me shkrime. Qëndrimet e tyre mund të quhen edhe racizëm, sepse ata nuk ndjejnë vetën shqiptarë, por nga një identitet tjetër, që kanë përvetësuar, sulmojnë identitetin e shumicës.

E çfarë sulmojnë ata? Ose, kë do të sulmojnë shërbyesit, që zbatojnë programe të huaja shkencore e fetare kundër kombit shqiptar? Ku do të goditemi? Natyrisht në kokë! Natyrisht personalitetin i cili pranohet në mënyrë kolektive dhe i cili krijon një krenari për identitet dhe grumbullim kolektiv. Sulmi ndaj tij, nuk është i rastësishëm, por i studiuar mirë. Me rrënimin e tij, shembet një histori e përbashkët, një kulturë, një traditë, gjuha dhe ardhmëria e përbashkët. E quajnë edhe serb, thua se kishte luftuar për ta mbrojtur Shumadinë!

Pse kjo luftë pikërisht kundër kombit shqiptar, që nuk është e re, por ka bisht të gjatë historik pas vete? Pse një kombi i përzihen në identitet ato shtete me marionetat shqiptare? E pastaj, si është e mundur që ato shtete aq lehtë gjejnë mbështetës të flakët për ta vazhduar luftën e ashpër shqip kundër kombit shqiptar dhe në mediat shqiptare?

Qëndrimet dhe diskursi tyre ofron vetëm një përfundim të mundshëm racional: Turqia dëshiron koloni të reja. Serbia dhe Greqia e bëjnë se kanë pushtuar krahina shqiptare dhe kanë frikë nga ripretendimi i atyre trojeve. Dekompozimi jonë, entropia kombëtare, shembja e vlerave kulturore, është domosdoshmëri për fituar ata mbi dinjitetin tonë dhe vetëdijen tonë nacionale! Pas atij rrënimi, grahja e tufës është fare e lehtë.

Ata që edhe publikisht shajnë Gjergj Kastriotin, nuk e bëjnë pse përnjëmend ndjejnë dhembje për osmanët, kurdët, berberët dhe popujt tjerë myslimanë në asqerinë e sulltanit, që u vranë nga ushtria e Skënderbeu, por sepse ata janë të bindur se me atë qëndrim, dërgojnë mesazh Erdoganit, i cili nuk mund kurrë të kapërdijë, si mund të kemi hero nacional princin, që ka poshtëruar mbi dy dekada Perandorinë e fuqishëm Osmane.

Merreni me mend sot një gjerman, që urren një francez pse Napoleoni ka vrarë gjermanë. Merreni me mend edhe këtë: Një francez i sotshëm, urren gjermanin e sotshëm pse Hitleri ka vrarë francezë. Ndoshta nuk gjendet asnjë, por do të gjeni disa që urrejnë Skënderbeun nga dhembja e madhe pse paska vrarë pushtues myslimanë! Edhe atë, ai ndjen atë dhembje dhe keqardhje, pas gati 600 viteve!

Ata në vitin 2017 pezmatohen për vrasjet diku në vitet 1450 e tutje, por nuk kanë atë mosdurim ndaj Millosheviqit pse ka vrarë aq shumë shqiptarë në vitin 1999. E as ndaj sulltanëve tjerë, që kanë vrarë dhe shuar kryengritje shqiptare, kur kishin besimin fetar si edhe shtypësi. Konkluzioni sipas logjikës së tyre? Turqia ka legjitimet të vrasë shqiptarë myslimanë, por jo Skënderbeu pushtues të huaj myslimanë!

Sigurisht ata as vet nuk besojnë atë arsyetim, por janë të detyruar të përrallisin diçka,  sepse nuk është njerëzore dhe normale të urrehet ai që ka refuzuar pushtimin, por të vajtohet dhunuesi me shpatë që nga dashuria e madhe (si sot me tanke e avion kundër kurdëve për shembull) paska bërë mijëra kilometra për të na dhunuar me plot dashuri dhe për të na vrarë, me plot sevap! Dhe, budallallëku që vijon: nuk kundërshtohet ai që ka vrarë stërgjyshin, por urrehet stërgjyshi, i cili ka mbrojtur shtëpinë e ve!

Sikur ata, vërtetë për atë motiv, dmth. për shkak të vrasjes së myslimanëve, të urrenin Skënderbeun, atëherë kanë qindra arsye të urrejnë Erdoganin, që bombardon myslimanë dhe madje stërgjyshërit e tij, kishin vrarë myslimanë origjinal dhe kishin pushtuar Meken dhe Medinën. Pse këta njerëz adhurojnë Kalifatin Osman që kishte vrarë deh pushtuar arabë myslimanë? Pse kur osmanët kishin pushtuar pjesë të tokës së profetit? Këtu kuptohet maska se bindja fikse fetare, është vetëm vel për të mbuluar veprimtarinë prej rrogëtari. E pse? Sepse rrogat vijnë nga Qeveria turke! Ndryshe nuk mund të shpjegohen rrëshqitjet aq të shpeshta për një jetë të shkurtër njeriu: komunist, jugosllav krenar, patriot shqiptar, patriot osman!

Pra, meqenëse nuk kundërshtojnë Kalifatin Osman, që kishte rrënuar Kalifatin Arab, atëherë motori i tyre ideologjik, nuk është religjioni, por rroga: Detyrim si pasojë e pagesës. Njeriu që ka aftësi normale analitike, praktike dhe sociale, kupton se nuk mund të urrehet Skënderbeu pse ka vrarë njerëz të huaj futur me shpatë në shtëpi të vet, por të adhurohet Erdogani, kur vret kurdë myslimanë pse duan shtëpinë e vet!

Akuzat ndaj Skënderbeut janë vetëm përpjekje për të fshehur tutorin, para- dhënësin, duke shpresuar se dikush u beson. Ideologjia e Erdoganit, nuk mund kurrë të pranojë Gjergj Kastriotin.

Nuk mund të urrehet paraardhësi, stërgjyshi, e as gjyshi pse kishte besim tjetër, por as nipi e stërnipi nëse kanë, do të kenë zgjedhur besim tjetër apo nuk do të kenë fare. Kjo është e drejtë themeltare e demokracisë! Liria për të zgjedhur. E kundërta e saj, është parim i teokracisë me diktaturë absolute!

Njeriu nuk ka asnjë të drejtë për ta gjykuar apo përbuzur jetën e huaj, sepse është zgjidhje dhe vendim i huaj. Ashtu si nuk mund t’i kritikojmë pse nuk kanë përdorur celular! Ashtu si ne që kemi të drejtë të zgjedhim besimin, atë kanë pasur edhe ata, që kanë vdekur dje dhe do ta kenë ata, që do të linden sot e nesër! Kush nuk kupton këtë, është duke gjallëruar në shekullin, sistemin dhe në vendin e gabuar!

Identiteti shqiptar sulmohet jo vetëm me rrogëtarë të Erdoganit, që poshtërojnë hapur, por edhe nga klerikë grek e rrogëtarë serb. Atyre u bashkëngjiten politikanët shqiptarë me heshtje prej varri. Ata dërgojnë fëmijët në shkolla turke, edhe pse Turqia, sipas PISAS së vitit 2015, ku kishin marrë pjesë vetëm 70 vende,  kishte vendin e 52, kurse Shqipëria të 51. Dhe, mos të mendojë askush se në shkolla turke mësohet dashuria ndaj atdheut shqiptar, ose ndaj Europës,  por politikanët ku shkolluan apo shkollojnë fëmijët, dërgojnë shembull popullit si të veprojë, si të kopjohet, duke rrënuar vlerat e shkollës shqipe dhe duke ngritur në qiell ato të shkollës turke!  Modele të tilla kopjimi kanë ofruar edhe agallarët, pashallarët dhe vezirët me origjinë shqiptare!

Epoka kur rinisi vetëdija nacionale, hyri në historinë shqiptare si Rilindje. Para saj ishte topitje dhe zvarritje shekullore nacionale. Deri në vitin 1870. Shpjegim  fjalës topitje sipas FGJSSH. “I pres dikujt hovin, e ndrydh, e bëj të ngurrojë për një vendim që ka marrë, duke i thënë diçka që i prish mendjen, duke i futur frikën etj.; e bëj të tërhiqet për diçka, e frenoj.” Këtë kanë bërë shtetet fqinje dhe Turqia kundër nesh. Ndërhyrje e Erdoganit dhe zvarritja para Turqisë, Serbisë dhe Greqisë nga ana e elitës politike shqiptare po krijon epokën e re: Ritopitjen, Rizvarritjen dhe Riinjorancën nacionale!

Turqia është mirëseardhur si mike, por jo si rikoloniziatore! Nënshtrimi ndaj Erdoganit na largon nga Europa. Europën ka ai halë në sy, sepse zhduk ëndrrat e tij osmane përgjithmonë. Si edhe të Putinit. Ata dy do ta sundonin një Europë të përçarë, por jo një me mbi gjysmë miliardi banorë dhe me një fuqi të madhe ekonomike. Sulmet e Erdoganit kundër Gjermanisë, nuk janë banalitete, por shpresë se mund të shpërbëjë Europën, ku do të krijoheshin parakushtet për të ndarë Ballkanin me Putinin.  Europa sot ka tre armiq të mëdhenj. Trumpin, Putinin dhe Erdoganin. Heshtja e Trumpit, ka bërë guximtar Erdoganin, sa gati çdo ditë, sulmohet dhe shahet Gjermania.

Kohezioni nacional dhe vetëdija shqiptare po rrënohet nga jashtë, me rrogëtarët shqiptarë dhe me lejen e elitës politike shqiptare!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat