Kërcënimet e vazhdueshme ndaj “Dardania press”-it

Opinione

Kërcënimet e vazhdueshme ndaj “Dardania press”-it

Nga: Gani Mehmetaj Më: 23 gusht 2017 Në ora: 08:14
Gani Mehmetaj

Këshilltari i presidentit, Xhemail Mustafa, na tha se Rugova e paska ftuar në bisedë Bujar Bukoshin, për t’i sugjeruar të na mbështeste, ndërsa ai në bisedë i paska premtuar se do ta mbështeste gazetën. Kur  e takova Bujarin në rezidencën e tij në “Sllovenia Sport”, me priti ftohtë e thartë, krejtësisht ndryshe nga ajo që më tha Xhemail Mustafa, saqë u pendova pse e takova. Isa Mustafa, ministër i Financave, na kishte ndihmuar më herët, mirëpo ato fonde qenë të pamjaftueshme.  

Gazetën “Rilindja”, në të cilën punova një jetë e morën grupet e majta. Kreu i dhunshëm i gazetës. Berat Luzha. kërcënonte se do të merrte jo vetëm pjesën tjetër të Pallatit të Shtypit, ku qenë vendosur edhe disa redaksi të tjera, por kërcënonte se do ta merrte edhe godinën e presidentit Rugova. Luzha me grupin e tij mendonte se koha është ndalë më 1945 dhe mund të marrë cilëndo godinë a objekt që të dojë ai, apo mund të rrëmbejë të gjithë pasurinë e Kosovës. Ku i gjente meritat, asnjëherë nuk e kuptova.  Shumë nga këto kërcënime realizoheshin. Por ndonjëherë u haste sharra në gozhdë, sidomos kur abuzonin me apartamente të serbëve, atëherë KFOR-i i nxirrte pa një pa dy, me shqelma në te prapme. Rrëmbimet tjera i gëzonin që ç’ke me të, do të thoshin në Toskëri. Kush nuk i pengonte. Pasuria kombëtare nisi të ndahej sipas “meritave të luftës” e zonave të reketit. Zhvatjet u bënë dukuri.     

Ndërkohë pelegrinazhi nëpër varrime e rivarrime u bë ritual i përditshëm. Në shumicën e këtyre rivarrimeve apo kujtimeve të masakrave serbe, kishte arsye të fuqishme, sepse njerëzit i gjenin kufomat e të afërmve të tyre, për t’ua prehur eshtrat në varrin e katundit a të familjes. Në jo pak raste u bënë njerëzit e përhershëm që mbanin fjalime mbi këto varre, duke e shfrytëzuar fatkeqësinë e tjetrit apo fatkeqësinë e përgjithshme për promovime personale. Pastaj niste numërimi i meritave, i ndryshonin datat e çlirimit, përpiqeshin ta shlyenin kujtesën kolektive.  

Ritual i pashmangshëm u bë varri i Adem Jasharit. Kjo mori përmasa të mëdha, kolektive, ndërsa grupet politike të cilat e pronësuan luftën, e pronësuan edhe Adem Jasharin, u bënë organizatorët kryesorë të këtij pelegrinazhi. Ata u bënë edhe arbitër se kush mund të shkonte e kush jo, kush kishte të drejta absolute mbi varrin e Adem Jasharit e sakrificën e tij sublime. Zyrtarët nga Tirana i dhanë zjarrmi të madhe këtij pelegrinazhi, duke e tërhequr linjën e së drejtës mbi sakrificën e Adem Jasharit. Këtë të drejtë ata ia dhanë njërës palë, ndërsa ia mohuan tjetrës. 

Gazetat shkruanin se ata që e lanë në baltë Adem Jasharin gjatë luftës, e ngrinin në qiell në kohë paqeje. Me emrin e bëmat  e A. Jasharit përfitonin dhe i materializonin gjërat. Përbërja e njëjtë e Qeverisë shqiptare atëbotë nuk e tha asnjë fjalë mbështetëse për sakrificën sublime të Adem Jasharit me familje, përderisa Rugova kërkoi nga zyrtarët e SHBA-së që grupet e rezistencës të mos quheshin terroristë. Madje shkas u bë vrasja e Adem Jasharit. Që  nga çasti i kërkesës së Rugovës, amerikanët kurrë më nuk e  bënë këtë gabim. Në terren, po edhe në kryeqytet, flitej se ka shumë armatime. Pushkët e papërdorura nga lufta qarkullonin nëpër duart e grupeve të dyshimta.

Krimi i organizuar nisi të shtrinte rrënjët. Nafta që malli i parë kontrabandë, por s’kishte  mall që nuk futej në Kosovë në mënyrë ilegale, apo pa i paguar taksat e nevojshme. S’kishte dyqan e shitore që s’paguante haraç.

Doganat e pikat e ndryshme të kontrollit punonin më vështirësi. Për grupet e caktuara lejonin të kalonin qindra maune nga Maqedonia, Serbia e Shqipëria. U bë monopoli i mallrave  që futeshin në Kosovë, ndërsa të tjerët s’mund ta bënin këtë gjë, edhe sikur të shlyenin detyrimet ndaj shtetit.

Në një situatë të këtillë qe vështirë të mbahej gazeta e pavarur, që nuk futej nën sqetullën e grupeve të caktuara, apo që nuk gëzonte mbështetjen e organizatave ndërkombëtare. Gazeta e pavarur ballafaqohej me dy vështirësi. E para, terrori financiar, sepse e nisnim nga zeroja. E dyta, terrori i grupeve që të kërcënonin herë haptas, herë në mënyrë më perfide, duke të paralajmëruar se nëse vazhdon me këtë kurs nuk do ta kesh gjatë. Një ditë vendosëm ta mbyllnim gazetën. Shkas u bë një incident në gazetë, kur një tip i panjohur erdhi në redaksi, nxori revolen dhe e kërcënoi redaktorin pa asnjë shkas.

Kupa u mbush. Xh. Mustafa, këshilltar i presidentit, na paralajmëroi më parë se s’mund të na mbronin, ndërsa rrezikonim jetën. Ishte e dhimbshme ta mbyllje gazetën, sepse  grupeve të caktuara nuk u pëlqeje.

Dhuna e kërcënimet me jetë ndaj nesh vazhduan edhe pasi e mbyllëm gazetën e përditshme “Dardania press”. Unë e pushova çdo veprimtari publike, nuk shkruaja e as nuk paraqitesha në asnjë forum kombëtar a ndërkombëtar si më parë, ndërsa nuk merresha me asgjë. Vëllai nxori revistën humoristike “Morri”, në të cilën fshikullonte shëmtitë e kohës dhe shëmtitë e njerëzve që përpiqeshin ta ndalnin kohën. Por edhe kjo mënyrë e paraqitjes publike i pengonte ata që mendonin se duhej që ata ta bëjnë ligjin sipas frymës së partizanëve të Enver Hoxhës a Josip Broz Titos.

“Dikush duhet ta marrë drejtësinë në duar, “Horrit” duhet t’i tregohet vendi”. Me fjalë të tjera: duhet të ndëshkohet, ashtu sikurse bënin ndaj kundërshtarëve politikë grupet vrastare, kërcënonte publikisht Rexhep Qosja në shkrimet e veta. Ai cyste, ai shkruante “fatva” të tipit Homeinit apo mullave të Iranit kundër kryeredaktorit të revistës humoristike “Morri”. 

Kanë harruar të merren grupet vrastare me gazetarë rebelë a kritikë të tyre, ua kujtonte edhe kolumnisti i “Zërit” ditor, Sh. Maliqi. Ai këtë kërcënim e përsëriste edhe në Radiotelevizionin e Kosovës, që e administronte UNMIK-u. Dikur po ky parashutist nga Beogradi ia kujtonte aparaturës së Milosheviqit se ndaj nacionalistëve shqiptarë duhej të merreshin masa, ndërkaq, tash i ndërsente grupet që ndëshkonin mizorisht nëpër shkallë apartamentesh a prita të natës. Ndaj sajuesve të revistës lëshoheshin gjithë këto shigjeta. Të njëjtën gjuhë vrastare përdornin si Rexhep Qosja, si parashutisti nga Beogradi. 

Me këto kërcënime përmbyllej një kaptinë e dhimbshme e gazetarisë së lirë, por nuk përmbylleshin vrasjet, ato do të intensifikoheshin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat