Kronika e vrasjeve të paralajmëruara

Opinione

Kronika e vrasjeve të paralajmëruara

Nga: Gani Mehmetaj Më: 25 gusht 2017 Në ora: 07:36
Gani Mehmetaj

Kronika e vrasjeve të paralajmëruara nisi në korrik të vitit 2000, mbase edhe më herët. Thuhej se të gjithë ose pjesa më e madhe e viktimave merrnin paralajmërime të hiqnin dorë nga veprimtaria politike e t’ua lëshonin rrugën atyre, ose vetëm i paralajmëronin se do t’i vrisnin. Dhe ata nuk i mbronte askush, as nuk dinin nga do t’u vinte vdekja. Vrasësit profesionistë nuk gabonin. Mos qofshi në lëkurën e viktimave, e ndiejnë vdekjen, ndërsa nuk e pengojnë dot.

Në korrik të vitit 2000 u dha lajmi se disa veta e morën me vete Shaban Manajn, kryetarin e LDK-së së Istogut, i cili njëkohësisht qe kandidat për kryetar komune në zgjedhjet e ardhshme që priteshin të mbaheshin. U bënë spekulime nga më të ndryshmet, por ata që e morën nuk e kthyen. Të gjithë prisnin të mësonin se si do të zhvillohej ngjarja, të gjithë i druanin më së keqes, sepse askush nuk e kuptonte arsyen pse duhej ta mbanin peng. Ata nuk kërkuan asgjë nga familja, as nuk u bënë ndonjë telefonatë. Familja rrinte në ankth. Shaban Manaj pati fëmijë të mitur. Ata erreshin e gdhiheshin duke pritur një lajm për të parin e familjes.

Gruaja e tij, Fatmushi, rrëfente çastet e fundit kur u ndanë me të. Meqë ishte avokat, ndërsa njerëzit e prisnin në rrugë me një makinë, ajo i përgatiti shpejt e shpejt disa gjëra elementare me shpresën se pasi të mbaronte punë me klientë do të kthehej në darkë. Priti në mbrëmje, por ai nuk erdhi, priti të nesërmen, u bënë një javë, dy, pastaj kaloi muaji. Tensioni vazhdoi gjithë muajin korrik, ndërsa në gusht u dha një kumtesë e çuditshme për gjetjen e një kufome të gjymtuar. Më vonë u konstatua se trupi i gjetur ishte i Shaban Manajt.

Vdekja e tij makabre më goditi, pos tjerash edhe sepse e njihja kohë të gjatë. I takonim të njëjtit brez. Ai studioi drejtësinë, unë gazetarinë. Pastaj Fatmushin e kisha shoqe të klasës, njiheshin familjarisht. Kur nisi aktiviteti ynë në LDK, Manaj, veprimtar në Istog, çdo javë vinte në takimet e kryetarëve të degëve në qendër. Të gjithë e lavdëronin për punën në terren. Rugova e çmonte.

Mbaj në mend se në një rast, para lufte kur ai foli mirë për mua gjatë një tubimi, kur disa nga nostalgjikët jugosllavë nisën të përhapnin thashethemnajë kinse unë jam jo vetëm kundër autonomistëve, por edhe kundër Ibrahim Rugovës. Babait tim i kishte rënë në vesh kjo thashethemnajë, prandaj me zemër të ngrirë dëgjonte se çka thonë të tjerët. Manajt, sikur ta kishte lexuar në sy, i flet duke u përpjekur ta dëgjojnë edhe të tjerët: ti duhet të mburresh me djalin tënd! Kjo i mjaftoi babait, prandaj sa herë përmendej Manaj e tregonte dhe e mburrte në çdo rast. E kujtoja fytyrën e Shabanit, e kujtoja entuziazmin e optimizmin e tij të pashtershëm. Pati energji e vullnet të madh. 

Vrasja e tij e tronditi opinionin, e goditi rëndë familjen e tij dhe e çrregulloi sistemin e funksionimit të LDK-së. Secili priste me zemër të ngrirë. Po kalonim edhe një herë nëpër ferrin e Dantes, por tash nga shqipfolësit.

Gjithë vera kaloi në tension, në pritje se kush do të vritej dhe kush e kishte radhën. Vrasje politike bëheshin në tërë Kosovën, por gjendja më e frikshme ishte  në Pejë, Deçan  e në Klinë. Në Drenicë e paqësuan gjendjen në fillim, pati vrasje, por më pak, sepse pakkush  kundërshtonte, pakkush pipëtinte. LDK-ja mezi vepronte, ndërsa përcaktimi për LDK vlerësohej tradhti ndaj patriotizmit lokal të Drenicës, ndërsa patriotizmi lokal u vu mbi të gjithë patriotizmat e tjerë. 

 Fushatës për zgjedhjet lokale i priu një atmosferë e rëndë, me gjithë interesimin e madh të shqiptarëve që të legjitimoheshin në zgjedhje. U tha se një herë do të bëhen zgjedhjet lokale, pastaj ato qendrore.

Në shtator i vranë dy intelektualë me emër. Kështu, në Vushtrri, e vranë Shefki Popova, gazetar i njohur i “Rilindjes”, i cili kishte raportuar në situata të rënda e kritike. Shkrimet e tij shquheshin për mprehtësi e guxim. Askush nuk e dinte pse e vranë, askush nuk e mori vesh kush qenë ekzekutorët. Vrasësit pas vitit 1999 nuk gjendeshin kurrë, sikurse nuk e dinin kush urdhëroi vrasjen e një gazetari me emër. Ndërkaq, për ironi, të gjithë  supozonin grupet vrastare, natyrisht të thëna vesh e në vesh. Po t’i pyesja më zë të lartë: “Kush, kush?”, ta mbyllnin gojën të tmerruar.

Vrasja e Shefki Popovës e tronditi opinionin. Edhe ai si të gjithë të vrarët pas vitit 1999 shpëtuan nga tmerri i luftës, nga gjenocidi serb, por nuk u shpëtuan tinëzarëve shqiptarë, sepse sigurisht serbë nuk ishin, serbët i dëboi NATO-ja një vit më parë. Ishte vrasje e paralajmëruar, meqë sikurse në disa raste më parë, edhe në këtë situatë flitej se atë e  kërcënonin, mbase mund të ketë denoncuar edhe në polici, por askush nuk mori masa ta mbronte, apo t’i kapnin kërcënuesit. Mbase po t’i paraprinin vrasjes, do ta pengonin krimin.  

Fetah Rudi, një veprimtar i devotshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës u goditë me një breshëri plumbash, duke  e lënë shakull në vend.  Mirëpo, fati e deshi që ai të shpëtoj, megjithëse me pasoja. Në medie e kuluare u bë me gisht kush janë vrasësit, u tha kush ishin urdhërdhënësit, por kjo nuk i dekurajoi ata që ua nxinë jetën shqiptarëve, as që e morën dënimin e merituar.   

Sikur nuk mjaftuan këto vrasje makabre, jehoi goditja tjetër: e vranë njëri ndër arkitektët e njohur të kryeqytetit, zyrtar i lartë i Komunës së Prishtinës, Rexhep Luci. Prapë u dha raporti klishe si në rastin e Popovës, si në dhjetëra raste të tjera: persona të panjohur vranë Rexhep Lucin, në shkallën e banesës së vet me disa plumba. Sipas dëshmitarëve njëri e goditi me revole me zhurmues, zbriti i qetë shkallëve, kurse tjetri e priste jashtë me një  makinë. Me kaq përfundon raporti i vrasjes së arkitektit të Prishtinës. Hetimet vazhdonin, por askush nuk besonte se do të gjendeshin vrasësit, sidomos nuk do të gjendeshin urdhërdhënësit. Ndërkaq, pa gjetjen e urdhërdhënësve nuk ndërpriteshin vrasjet.

Spekulimet ndërpersonale ishin nga më të ndryshmet, megjithëse pista në fund përqendrohej në një pikë. Për asnjë vrasje nuk thuhej konkretisht se është vrasje politike, se po bëhej nga grupi i caktuar që synonte ta merrte pushtetin me dhunë e frikësime,  por për të gjithë e supozonin. Disa bënin me gisht ndaj atyre që dihej se kush ishin, por kot.

Për të ndalur këto vrasje, në LDK shpresonin se me mbajtjen e zgjedhjeve do të ndërpriteshin vrasjet dhe do të shpëtonin zyrtarët.

Krahas dy vrasjeve të rënda, që të linin pa frymë, gazetat tona të instrumentalizuara nuk manifestuan simpati ndaj LDK-së, përkundrazi, me përjashtim të gazetës “Bota sot”, të gjitha gazetat e tjera ishin kundër, ndërsa jo rrallë e sulmonin edhe këtë gazetë pse e mbështeste  Rugovën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat