Mundësitë e Hradinajt

Opinione

Mundësitë e Hradinajt

Lis Bukuroca Nga Lis Bukuroca Më 11 shtator 2017 Në ora: 19:22
Ramush Haradinaj

Ramush Haradinaj ka dy mundësi: Të bëjë gati të kundërtën e asaj që ka bërë Thaçi, domethënë të ndryshojë politikën e Kosovës si nga drejtimi, ashtu edhe e nga orientimi dhe të luftojë atë që nuk ka luftuar ai.

Mundësia e dytë është të vazhdojë politikën e Thaçit dhe të humben edhe katër vite tjera. 

Nëse ndodh kjo, pas katër viteve, nëse nuk e rrëzojnë pas përdorimit si Mustafën, pritshmëria më reale është, të fitojë Vetëvendosja më shumë se 60 %  dhe në rast të tillë, Kosovës i duhet një revolucion politik dhe administrativ. Një veprimtari e tillë, nuk mund të pritet nga Haradinaj duke ditur se nuk ka parlamentarët e vet si shumicë në Kuvend. Rrëzimi tij është tepër i lehtë, nevojitet pak deputet kundër tij, ose revolta e listës serbe. Fakt do të jetë, se ai nuk do të ketë guxim, të veprojë kundër interesave të atyre që mbështesin atë si Kryeministër.

Nëse ndodh ashtu, vazhdimi i politikës së njohur, si edhe mund të pritet, sepse matematika parlamentare nuk lejon mundësi tjetër, atëherë, pas fitores madhështore, Vetëvendosja duhet të shfuqizojë kontratat e ndërmarrjeve publike të shitura në mënyrë gjysmë ilegale, por edhe të aprovojë një ligj, i cili obligon të pasurit të bëjnë publik burimin e pasurisë. Nëse nuk janë në gjendje ta përligjin, shteti duhet të sekuestrojë ato, por edhe të burgosen kriminelët. Kosova ka nevojë për shpëlarje dhe dezinfektim duke u nisur nga koka! Me këto premtime VV mund të fitojë zgjedhjet. Kosova është përtokë. E rraskapitur, e plaçkitur dhe e pa orientim të qartë.

Shteti duhet të tregojë se nuk aprovon ligje sa për sy e faqe, por për të imponuar drejtësinë dhe paqen në shoqëri!

Haradinaj ka radhën të tregojë në shërbim të kujt është: Të Thaçit apo të Kosovës. Alternativa e tretë nuk ekziston! Pozita e tij është tepër e vështirë. Nëse vepron kundër vendimeve të deritanishme të Thaçit, mund të rrëzohet pas disa muajve. Nëse vepron në harmoni me interesat e tij, ekziston mundësia të rrëzohet nga populli, më qartë, nga Vetëvendosja dhe LDK.

I lumtur mund të cilësohet ai njeri, që nuk gjendet në lëkurën e Haradinajt. Ai mrekulli nuk mund të bëjë, por duhet të dëshmojë me pasion dhe sypatrembur, se ka timonin në dorë. Ndoshta humb kolltukun, por ruan dinjitetin. Pra, mundësi tjetër nuk do të ketë: Ose fytyrë, ose kolltuk!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat