Abetaret e Nju Jorkut

Opinione

Abetaret e Nju Jorkut

Nga: Ndue Dedaj Më: 13 shtator 2017 Në ora: 15:39
Ndue Dedaj

Këto ditë drejt Nju Jorkut do të shtegtojnë një tufë abetaresh si një tufë pëllumbash. Është libri “ungjillor” i dijes së shqiptareve. Ato nuk janë porosi e ndonjërës nga shkollat shqipe atje, që kanë filluar të funksionojnë në diasporën tonë në Angli, Amerikë, Belgjikë, Zvicër etj., por të një familje nga Kosova. Kastriot Zef Rrapi, që e shkruan emrin gjatë si të moçmit e tij në male, është babai i gjashtë voglushëve, 5 djemve dhe një vajze, që jetojnë në Nju Jork dhe librat i do për fëmijët e tij. Është rast i rrallë që në kohë moderne, në zemër të qytetërimit bashkëkohor, të ketë një familje të re më kaq shumë fëmijë. Por ky është shqiptari me rrënjën e patharë të traditës. E pyesim me të qeshur Kastriotin gjatë një kafeje, të dielën e shkuar në Shqipëri, se si ka ndodhur ky “përjashtim” nga rregulli i pashkruar i familjeve moderne për të patur një a dy fëmijë dhe ai sheh nga i ati, Baca Zef, 83 vjeçar në krye të tavolinës, me pamjen e hijshme të një konti anglez nga ata të memuarve të vjetër, si për të thënë se ishte porosia e tij. Burri flokëbardhë qesh lehtë dhe nuk flet. S’ka përse të flasë! “Amaneti” i tij është kryer. Shqiptari i Kosovës nuk mund të mos kishte merakun e shumë fëmijëve dhe të familjes së madhe, jo për patriarkalizëm, porse të atilla ishin rrethanat historike në të cilat ai rronte e mbijetonte. Dhe vatra e malësorit kosovar është e mbushur me pesë nipa e një mbesë nga ana e djalit (pasi Baca Zef ka dhe dy vajza të martuara), që trashëgojnë ndër emrat më tipikë të të parëve, si motmotit: Gjergji, Zefi, Kristiani, Gjoni, Ndoi dhe Elisabeta, fëmija i fundit.

Ndërsa bashkë me shkrimtarin Vilson Culaj, nip i “Bakës Zef”, siç e thërret ai dajën e tij që e ka flakur tej pleqërinë matanë oqeanit, bisedonim se ku do t’i merrnim abetaret, në Tiranë apo në Prishtinë, burri në moshë, që do të udhëtonte natën për në Kosovë nëpër Rrugën e Kombit, nuk e rresht bisedën për tokën dhe njerëzit e origjinës së tij. Thotë se familja herët ka shkuar nga Spaçi i Mirditës në Lugun e Drinit dhe se vizita kësaj here kishte të bënte më shumë për t’u takuar me historinë, gjurmët e saj, Gjergj Kastriotin në Lezhë, Gjomarkajt në Mirditë, trojet dhe kullat e vjetra. Por dhe një qëllim tjetër e ka patur ardhja e tyre nga Nju Jorku, marrja pjesë në shugurimin e katedrales së Prishtinës. Shohim setin e fotografive të bëra me atë rast, mes të cilave dhe fotografia e babë e bir me Kryeministrin e sapozgjedhur të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Nga biseda më bacën Zefin dhe të birin kupton se shqiptarët e diasporës në Nju Jork shkojnë mirë mes tyre, ndihmojnë njëri-tjetrin dhe bashkëpunojnë për t’iu dhënë jetë projekteve në dobi të atdheut. Njëri sosh përmban tri shtatore të reja në një “trini” simbolike: e Nënë Terezës, Ibrahim Rugovës dhe Anton Çetës që do të vendosën në Prishtinë.

Janë njerëz që kontribuojnë për të mirën e vendit të tyre dhe nuk vijnë asnjëherë për të marrë gjë prej tij. Kjo është fisnikëria e tyre e shenjtë, kurse këndej politikanët e pushtetarët e zhvatin atdheun përmes pazareve me pasuritë publike, aferave korruptive me tenderat etj. Janë dy botë njerëzore të të njëjtit komb që “përplasen” kulturalisht, ata të diasporës që japin dhe të këtushmit që vetëm marrin. Natyrisht që nuk do të ishte e drejtë që këta të fundit t’i fusnim të gjithë në një thes, pasi dhe ndër politikanët e shtetarët ka idealistë e vizionarë që duan të bëjnë për vendin e tyre. Mund të duket e çuditshme që katër-pesë njerëz, ani se të një gjaku, që takohen për herë të parë, të rrahin ide që do t’iu kishin hije forumeve kulturore të trashëgimisë rajonale e kombëtare, si bie fjala mbledhja e donacioneve në diasporë dhe jo vetëm për të ringritur kullën muze të Gjomarkajve në Orosh, që ndoshta nuk do të mbetet thjeshtë një dëshirë e  mirë. Asgjë nuk është e pamundur nga njerëz të përkushtuar për të mos e lënë të bjerret dhe më tej një traditë që nuk kishte si bazament sundimin feudal, por institucione vetëqeverisëse disashekullore. Fundja ka dhe një përvojë, në Vermosh ka nisur ngritja nga hiri e shtëpisë së heroit të trojeve Prek Cali, pikërisht nga një fondacion i krijuar nga diaspora e Malësisë për këtë qëllim.

Por ndoshta kjo është një temë për nesër. Sot fjalë është për abetaret që do të shtegtojnë drejt Amerikës. Gjashtë fëmijët e Kastriotit dhe bashkëshortes së tij, Hana, bëjnë një klasë “kolektive” në shtëpinë e tyre në Nju Jork për mësimin e gjuhës amtare, në radhë të parë nga prindërit. Kurse “mësuesi” i tyre i pandërruar i historisë së vendlindjes është gjysh Zefi, që dhe pse ka emigruar prej disa dhjetëvjeçarësh në SHBA shpirtin e ka te çdo fije bari, gjethe e degë e trojeve të veta në Shqipëri e Kosovë.

P. S. Përtej këtij gjesti të një familjeje apo dhe disa të tillave, çfarë ndodh përgjithësisht me fëmijët e emigracionit shqiptar? A kanë dhe ata abetare atje ku kanë shkuar me familjet e tyre? Dhe kur themi abetare kemi parasysh dhe tekste të tjerë të formimit kombëtar, si gjuha shqipe, historia e Shqipërisë, gjeografia e Shqipërisë etj. Do të kishte qenë e nevojshme që ambasadorët tanë nëpër botë të informonin për këtë në fillim të vitit të ri shkollor dhe pastaj Qeveria të na bënte me dije se si shkojnë shkollat shqipe të emigracionit. Apo fjalë dhe vetëm fjalë?... Ndoshta pritet që këto punë t’i zgjidhë ministria e re që do të drejtohet nga Pandeli Majko e në Kosovë ajo e Diasporës. Ama një gjë duhet thënë shkoqur, diaspora nuk ka kuptim të shihet si një “aneks” i diplomacisë shqiptare, thjeshtë si burim votash e parash… T’i japim diasporës para se t’i marrim! T’i japim pikë së pari abetaret!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat