Kabineti "Rambo" 2

Opinione

Kabineti "Rambo" 2

Nga: Fadil Lepaja Më: 13 shtator 2017 Në ora: 16:02
Fadil Lepaja

E dini atë fabulën për atë qenin e gjahut i cili e kishte zanë lepurin dhe po sillej çuditshëm ndaj tij? Ndoshta në këtë rast, fjala “quditshëm” nuk është e mjaftueshme për të shprehur gjithçka që po ndodhte, por të ruhemi nga fjalët e mëdha.  Në fakt, fabula thotë se ai herë  e puthte e herë  e kafshonte lepurin, ndërkohë që lepuri po ankohej për këtë sjellje të tij, aspak parimore. “O më puth, o më kafsho”, po kërkonte lepuri me të drejtë.  Kjo situatë, me emocione të përziera po e sillte në konfuzion.

Por, personazhi i rrëfimit tonë më të ri, aspak nuk ngjet me një lepur edhe pse, Serbia zyrtare , ka shumë gjasë se po e huton me sjelljen e saj, herë puth e herë kafsho. Edhe opinionin publik kosovar dhe atë serb, por edhe (o)pozitën politike andej dhe këndej, kjo sjellje, padyshim se po e huton dhe kjo po duket sidomos nga kritikat që po i hedhin si nëpër tym.  Kritikat ndaj mega kabinetit Haradinaj 2, janë njëherë për njëherë krejtësisht të pa artikuluara. Të lëmë anash kritikat për shtim të burokracisë, e cila mund të rrëxohet me argumentimin se një qeveri që punon asnjëherë nuk është e madhe, dhe e kundërta, atëherë dyshimet që po hedhen për patriotizmin e kryeministrit të ri, për marrëveshje të dëmshme me serbët , vetëm për të ardhë në krye të qeverisë, mbeten tendenca kryesore për me e kontestue atë.

Pra, e  do apo nuk e do Serbia politike, Ramushin, pyeten të hutuarit nëpër rrjete sociale? Pyeten edhe mediat, e sidomos politika? Tash , nëse faktet mund të thonë diçka kur është logjika bizantine në pyetje atëherë ja vlen me i shikua ato.  Serbia zyrtare ende po e mban në fuqi, fletë arrestin ndërkombëtarë për të. Vetëm para pak muajsh, atij, i ishin vënë prangat nga drejtësia franceze, me kërkesë  të prokurorisë serbe dhe ai  ishte shoqëruar me polici j në gjykatë ku pritej të vendosej lidhur me kërkesën zyrtare për ekstradimin e tij, në Beograd. Ky është kafshimi, në kuptimin metaforik, si e filluam këtë rrëfim!

Në anën tjetër,  vetëm para pak ditësh në një situatë diametralisht të kundërt, mandatari Haradinaj, i cili nuk po zgjedhej dot, pa votën e deputetëve serb, po priste me durim kthimin e tyre nga Beogradi, ku ata kishin shkuar për të marrë aprovimin po nga të njëjtit zyrtarë, për të votuar kabinetin e tij. Pasoi, prap në kuptimin metaforik, “puthja”!

Opozita , por edhe mediat serbe filluan të përflasin për një marrëveshje të fshehtë, dhe  se heqja e çështjes së Ushtrisë së Kosovës dhe “Trepçës” nga rendi i prioriteteve të qeverisë së re, kishte qenë çmimi i kësaj marrëveshjeje.

Serbia ka qëndrim dualist ndaj kryeministrit të ri, për shkak të konfliktit të brendshëm në vet Serbinë, në mes forcave pro evropiane dhe atyre pro ruse. Përderisa ekzekutivi serb, ka bërë një kthesë të dukshme drejt BE dhe ka shfaqur interesim dhe angazhim të sinqertë në këtë proces, forcat konzervative dhe ato pro ruse janë barrikaduar në pushtetin gjyqësorë dhe në strukturat e sigurisë serbe duke bërë kështu lojën e bllokimit të proceseve, kryesisht në funksion të politikës  kundër evropiane. Votimi për Haradinajn, tregon se ndikimi i  forcave proevropiane ndër serbët e Kosovës është rritur dhe se kjo korespodon me defanzivën e forcave proruse ndër serbët, qoftë në proceset e fundit në Maqedoni, qoftë ato në Kosovë. Vetë kështu mund të kuptohet, paqëndrueshmëria “emocionale” serbe, në raport me z. Haradinaj.

Opozita gjithsesi i ka arsyet e veta të jetë e pakënaqur. Marrëveshja me serbët, është e ligjshme të dyshohet, edhe pse, koha do të sjellë befasi edhe në këtë fushë, nëse politika proevropiane serbe në Beograd, vazhdon tëë fuqizohet dhe ndikimi rus vazhdon të bjerë, sikurse ndodhi me Maqedoninë dhe Malin e zi.

Qeveria Haradinaj 2, do të ketë kundërshtarë, ndoshta më së paku ndër serbët, e më së shumti në opozitë, madje edhe në pozitë, por rreziku më i madh do të vij pikërisht nga vrulli i vet kryeministrit i cili duke dashur të dëshmohet dhe të thyej bllokadat, me çdo kusht,  ka shumë më tepër gjasa të rrëzohet nga ndërskamësat e koalicionit qeverisës, përfshi këtu edhe presidencën të cilët po luftojnë për pushtet real, sesa nga vetë opozita apo Serbia.

Pra, a e duan serbët lokal, Haradinajn dhe qeverinë e tij?  E duan me gjasë përderisa janë pjesë e saj. Natyrisht se këtë e bëjnë për interesa, dhe natyrisht se kanë kushte. Kushte kishte secila parti që u bë pjesë e koalicionit, për të përmbushur numrat. Dikush i kishte votat më të vlefshme . Përderisa “lista Serbe” deklaron se do të angazhohet për interesat e serbëve të Kosovës brenda institucioneve të Kosovës, gjithçka duket nënë kontroll dhe nuk mund të shërbej si ndonjë argument serioz kundër qeverisë së re.  E vetmja pyetje serioze, e cila ja vlen të shtrohet, dhe nga e cila edhe mund të ngritet një program alternativ qeverisës është: a do të mundet z. Haradinaj me dinamikën e tij të thyej mekanizmat bllokues, vendor, dhe ndërkombëtarë, dhe të rihapë rrugën e integrimeve euro-atlantike? Nga kjo aktualisht varen edhe të gjitha reformat e brendshme, për të cilat angazhohet edhe opozita, por të cilat nuk kanë kuruar gjasash pa u thye bllokimi institucional dhe shoqërorë të imponuar nga oligarkia vendore dhe forcat antiglobaliste dhe anti evropiane, ndërkombëtare.

E dini si do të  përfundoj ky rrëfim, me këtë “mega” qeveri? Mos paragjykoni, Haradinaj di të jetë luftëtar i madh, por di edhe të rrëshqas në tepih të kuq! Qeveria u lind, dhe neve na mbetet me përkundë...!?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat