Fadil Lami, historia e kalvarit të ish sekretarit të partisë së rajonit nr.4 të Tiranës - Bota Sot
Fadil Lami, historia e kalvarit të ish sekretarit të partisë së rajonit nr.4 të Tiranës

Opinione

E martë, 26 shtator 2017

Fadil Lami, historia e kalvarit të ish sekretarit të partisë së rajonit nr.4 të Tiranës

Nga: Dukagjin Hata Më: 13 shtator 2017 Në ora: 17:09
Fadil Lami

Në analet e kalvarit tragjik të klikës komuniste shqiptare, një kapitull i trihtë dhe i përgjakur është ajo e përndjekjes deri në linçim të vetë funksionarëve të lartë të partisë dhe shtetit socialist. Dëshmia e tyre në demokraci është një shenjë e mbijtesës së virtytit dhe pathyeshmërisë përballë mekanzimave të djallit.

Ikja nga kjo jetë e njerëzve me botë të pasur shpirtërore, që kanë dhënë për atdheun e kombin djersë, përkushtim e dituri, është e trishtë dhe të lë shijen e një mungese të thellë. Këtë mungesë ndjeva kur mësova lajmin e ndarjes nga jeta të Fadil Lamit, një tiranas fisnik nga Priska e Madhe, që ishte dhe mbeti etalion i vlerave njerëzore dhe intelektuale. Ai ka qenë një nga figurat kryesore të pushtetit komunist në Tiranë, ku ka shërbyer me përkushtim e devocion, por për shkak se kornizat e sistemit i rrinin ngushtë fisnikërisë dhe zemërgjerësisë së tij, u ndëshkua nga klanet komuniste të kohës me burg politik, ndërkohë që mbi familjen e tij ra shpata e mallkuar e luftës së klasave…

Sa herë që do të kujtohet rezistenca e Tiranës ndaj urdisë komuniste, do të kujtohet dhe biri i saj Fadil Lami, ky njeri me shpirt të madh e zemër të gjerë, që nuk pyeti për kanunin ideologjik të kohës, por u ngrit kundër gjithçkaje të mykur e të shpëlarë nga maskarada komuniste, në emër të dashurisë së tij për vendlindjen, për Tiranën dhe tiranasit e tij…

Në ditarin e tij Fadil Lami shkruan: ‘Në rrugën e luftës babanë e futi Myslim Keta që ishte një mik i familjes. Me fisin Keta kemi pasur marrëdhënie miqësore që nga koha e Nemces. Ai vinte në shtëpinë tonë dhe rrinte me javë të tëra, flisnin me babanë për punët e luftës dhe merreshin me organizmin e aksioneve luftarake antifashiste në malësinë e Tiranës. Gjithashtu pati ndikim të madh Babë Myslim Peza, gjithashtu një mik i vjetër i yni, me lidhje familjare që para njëqind vjetësh, përtej kohës së Pavarësisë. Ai ishte njeri autoritar por kishte një shpirt të madh dhe qe njeri fisnik. Im atë më jepte trakte, komunikata dhe municione, të cilat unë i fusja në samarin e mushkës për tua çuar paartizanëve. Kështu që adoleshent hyra në rrugën e luftës dhe përqafova idetë komuniste Petrit Dume, Beqir Balluku dhe Hito Çaka ishin dhe mbetën miq të rrallë të mirë dhe të familjes sime. Ata ishin besnikë dhe fisnikë, siç janë tiranasit, që nuk ia kanë askujt me hile e dredhi. Kur shkoja me ta për gjueti, mbrëmjeve vonë ktheheshim në shtëpi dhe ia shtronim me të pirë, siç dinin të pinin e të argëtoheshin ata. Kujt i vinte përreth, atyre anëve, shpata e luftës së mallkuar të klasës, ata bënin çfarë kishin e nuk kishin në dorë për t’i shpëtuar nga ky demon. Dënimi i tyre ishte një nga krimet më të përbindshme të regjimit’. Gjithashtu miku im dhe i familjes sonë ka qenë dhe mbeti deri në fund Prokop Murra, një figurë tjetër qendrore e politikës së kohës dera jonë e Lamajve ka shumë miqësi anembanë Shqipërisë, në Kosovë, ndër shqiptarët e Maqedonisë e të Malit të Zi. Mjafton të përmendi disa dyer shumë të njohura si Keta, Këllezi, Brahja, Dibra, Hysa, Kacana, Qosja, Myrtja, me fiset Çela, Muhameti, Kapo, Peza, Lala, etj, etj, miqësi të lindura e të sprovuara që në kohën para Pavarësisë kombëtare…

Gjurmë jete të një idealisti

Kontaktin e parë me Fadil Lajmin e kam pasur para rreth njëzet vitesh, ku njohja me të, më dha mundësi të hidhja dritë mbi shumë ngjarje e personazhe që patën vepruar në Tiranë, në vitet ’70, kur tehu i luftës së klasave ra pa mëshirë jo vetëm mbi elementët e konsideruar antiparti, por dhe mbi vetë lidershipin komunist të kohës.

Fadili ishte një burrë i urtë, i pashëm, me tipare fytyre të qeshura e të dëlira, jo sikur mbante mbi supe mbi shtatë dekada, por sikur të ishte ende i ri. Tani që për të duhet të flasim me folje në kohën e shkuar (pasi ai para disa ditësh u nda nga jeta) kujtimi i tij vjen e më bëhet më ngulmues, vepra e tij në një kohë të gjatë pune e përkushtimi atdhetar vjen e qartësohet ende më shumë.

E nisi që fëmijë rrugën e idealit komunist, pasi me këtë rrugë aso kohe lidhej lufta për çlirimin kombëtar nga nazifashizmi. E pasoi me aksionet e rinisë, me luftën për kolektivizimin, me betejat për të çuar të renë në malësitë e thella të Tiranës. Kishte miq të mirë, njerëz me pozitë të fortë në shtetin komunist, që nuk e tradhtuan dhe nuk i tradhëtoi kurrë, si Beqir Balluku, Petrit Dume, Abdyl Këllezi, etj. Shtëpia e tij në Priskë rrinte ditë e natë hapur për miqtë, për pushtetarë me ndikim të fortë për atë kohë që shikonin tek Fadil lami një model të njeriut të ndershëm dhe të përkushtuar. Ndaj ngjitja e tij deri në detyrën e sekretarit të parë të rajonit katër të Tiranës nuk qe një rastësi. Ishte pjesë e kontributit dhe vlerave të tij morale e politike.

Por karriera e tij do të ndërpritej brutalisht nga diktatura komuniste. Ngaqë sistemi punonte në të kundërt të kohës dhe të njerëzve, nuk mund të ndodhte ndryshe, nuk mund të ndodhte që Fadil Lami, tiranasi shpirtpastër e zemërçiltër, që i donte aq shumë njerëzit dhe bënte aq shumë për ta, të mos dënohej, pasi ora e tij punonte në krahun nga shkonin ëndrrat dhe dashuritë njerëzore…

Ish sekretar i parë i Komitetit të Partisë së Tiranës për Rajonin numër 4, ai ishte gjithmonë i pari në punë e sakrifica, i gatshëm për të prirë gjithmonë me shembullin e tij vetjak. Fadili iu gjendej gjithmonë pranë njerëzve në nevojë, në vend të citateve e direktivave partiake, në vend të fjalëve të bukura, ai kishte si akt qytetarie veprimin, ndjenjën e përgjegjësisë për bashkëtiransit e tij…

Në fijet e rrjetës së merimangës

Por regjimi donte kukulla të kurdisura dhe jo njerëz të lirë, siç ishte Fadil Lami. Ai kaloi përmes një kalvari vuajtjesh e privimesh në burgjet e diktaturës, pasi nuk mendonte njësoj si eprorët e tij, të cilët kërkonin ta kthenin Shqipërinë në një bunker gjigant. Fadili nuk iu ra tambureve të kundërshtimit, por me aktin e tij qytetar, me veprimin dhe mosveprimin si intelektual, padashur u bë pengesë për ata që dyfytyrësinë e kishin ngritur në një mënyrë jetese, pasi në fakt dyfytyrësia qe ngritur në sistem.

Idealizmi i tij si ish luftëtar për liri, kur në samarin e mushkës fuste armë e municion për t’ua çuar partizanëve, puna e tij e madhe me njerëzit, dashuria ndaj njerëzve të thjeshtë të punës, përkushtimi politik e qytetar për të çuar të renë deri në skajet më të largëta të Tiranës, atentatet e forcave të errëta të reaksionit ndaj tij, të cilat për pak i kushtuan jetën, gjithçka që pati bërë për vendin dhe popullin e tij, u fshinë me gomë të zezë nga lidershipi komunist dhe për Fadilin u hapën dyert e hetuesive të nxehta dhe burgjeve politike të Diktaturës komuniste.

Fijet e errëta të merimangës nisën të endeshin kur ndaj kuadrove të lartë tirans po projektohej një genocid i përllogaritur me matematikën djallëzore të një kaste kriminale pushtetarësh. Fill pas vetëvrasjes së shumëlakuar të ish kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, Ndue Marashit, me të cilin e lidhte një miqësi e rrallë, shoqëri e pastër idealistësh, mbi Fadilin nisi projeksioni i përgjimeve, kurtheve e shantazheve të Sigurimit.

“Unë isha viktimë e klanit të Mehmet Shehut kundër tiransave, të cilët ai nuk i kishte me sy të mirë dhe i luftonte me të gjitha mënyrat”, më pati rrëfyer kur ishte gjallë Fadili. Një nga një ranë nën tehun e gijotinës komuniste Beqir Balluku, Petrit Dume, Abdyl Këllezi dhe një sërë kuadrosh të lartë të lidershipit komunist, të gjithë tiranas. Ata ishin udhëheqës me vizion, njerëz që nuk i bënin kujt keq dhe, në vend të parzmoreve ideologjike të kohës, të titujve e dekoratave diktatoriale, ata mbanin përkujdesjen e njerëzve të thjeshtë, tek të cilët shkonin e vinin pa qibër e bujë dhe ata i rrethonin me mirënjohje e dashuri…

Vetëvrasja e Ndue Marashit ishte strumbullari ku do sigurimi do të thurte fijen helmatisëse të merimangës…

Fadili u akuzua për sabotim të mbrojtjes popullore, gjoja se nuk donte që të bunkerizohej Shqipëria dhe të forcohej mbrojtja socialiste. Një akuzë absurde, por absurditeti ishte aso kohe një mënyrë jetese, një mënyrë e funksionimit të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare!…Gjithashtu ai akuzohej se kishte përqafuar tezat e vetëadministrimit jugosllav të Eduard Kardelit, se kishte përkrahur elementët antiparti dhe qe bërë pre e armikut të klasës. Gjithçka ishte e sajuar nga prokurorët xhahilë, që nën terror psikik dhe dhunë fizike, për një vit e gjysëm hetuesi speciale, nuk arritën t’i nxirrnin asnjë fjalë, pasi ai nuk kishte se çfarë të fshihte. Vetëm një gjë nuk e patën sajuar, faktin që Fadili nuk e pati përfillur luftën e klasave, këtë gijotinë që qëndronte mbi kokën e gjithkujt që mendonte ndryshe nga regjimi i kalbur deri në gen.

Një gjyq sajesë, i zhvilluar me ngut dhe nën tam-tamet e agjipropit komunist, e dënoi ish sekretarin e parë të partisë ë Tiranës, njeriun që i kishte dhënë aq shumë revolucionit, me njëzet e pesë vjet burg politik.

Rruga pa fund e kalvarit

Pas dënimit të pamerituar, nisi ora e kalvarit ndaj familjes së tij. Djemtë iu nënshtruan sprovave të përjashtimit nga puna, nga shkolla, nga shoqëria. Ai që kishte bërë aq shumë për Tiranën, për rrethinat e saj, ku bridhte në këmbë, duke iu qarë hallin dhe duke ndihmuar hallexhinjtë, tani shihej si “armik” dhe mbi pinjollët e tij Sigurimi projektonte re të zeza sfidash të radhës…

Vajza, Nexhmija, arsimtare, u përjashtua nga shkolla e Gjuhëve të Huaja, e dërguan punëtore në kooperativën e Bërzhitës, më vonë në Yzberisht, në kurorat e Tiranës, e përjashtuan nga rinia dhe nga të gjitha veprimtaritë e bashkëmoshatareve të saj. Ajo përjetoi një stres ekstrem, në moshën më të bukur, u privua nga shkolla dhe jeta rinore, iu nënshtrua sprovave të kalvarit.

Djemtë e Ganiut u dërguan në minierë të punonin në tre turne të ndryshme, që të mos kishin mundësi të kontaktonin me njëri-tjetrin. Ata dhe pjesa tjetër e familjes, vajza, bashkëshortja, merrnin rrugën e vështirë për në Qafën e Barit, një nga vendqëndrimet në burg të Fadil Lamit, udhëtonin ditë e natë që të ktheheshin në mëngjes herët në minierë, ndryshe i priste gijotina. Nga Fushë Arrëzi në Fushë Krujë hipnin në makinat e karbitit, nga Fushë Kruja në Valias shkonin në këmbë, orë të tëra rrugë, e nga Valiasi në Kërrabë rishtas me autobusin e punëtorëve, që të kapnin orën e fillimit të turnit, ndryshe i priste ndëshkimi i radhës. Në dimrin e acartë të vitit 1986, kur ra bora e madhe, ata u bllokuan nga bora dhe qëndruan tri ditë e tri net në Fushë Arrëz, ku po të mos ishin malësorët fisnikë, që ndanë me ta bukën dhe ushqimin, shtratin e tyre, nuk do të ishin sot gjallë.

I ndjeri Haki Lami, djali i madh i Fadilit, pas burgosjes së të atit mbajti gjallë e me dinjitet familjen, gjersa u shua në Greqi, disa kohë pas fillimeve të demokracisë, duke rënë në krye të detyrës, teksa punonte si shofer në linjën e autobusave Greqi-Shqipëri.

I ndjeri Arben Lami ka qenë një nga themeluesit e parë të PD-së në Tiranë. Në vitin 1989 arrestohet nga policia e Tiranës për motive politike. Së bashku me të vëllanë, Ganiun, marrin pjesë aktive në rrëzimin e bustit të diktatorit. Ganiun dhe Hakiun i dërguan në internim,ku u ndoqën pas nga bashkëshortet e tyre, Namirja dhe Lumja, që nuk i braktisën në çdo çast burrat e tyre, por qëndruan pranë me krenari dhe dinjitet, në sprovën më të vështirë të jetës së tyre…

Motrat e bashkëshortes së Fadil Lamit, Tixhja dhe Hikja, martuar në dyer të fisme, kurrë nuk e braktisën Xhevrijen, motrën e tyre, në orën e sprovave të kalvarit.

I vëllai, i ndjeri Rramiz Lami, pati gjithashtu privime së bashku me familjen e tij, hija e luftës së klasave e ndoqi pas si një makth, por ai kurrë nuk e tradhëtoi të vëllanë, Fadilin, i cili mbeti për të dhe për gjithë familjen e farefisin Lami një etalon i drejtësisë, përkushtimit dhe vlerave qytetare.

U shua bashkëshortja Xhevria, me origjinë nga fisi Çakmashi, një derë fisnike nga trevat e Tiranës,një grua e dashur dhe e dëlirë, që nuk e uli kurrë kokën, por qëndroi krenare për burrin e saj, për fëmijët e saj, edhe në kohën e sprovave nga më të vështirat të ferrit diktaorial, me cilat u përball i shoqi dhe familja Lami, në një kohë të pa kohë.

Nga njëzet e pesë vjet, Fadili kreu 16 vite burg, sepse u lirua në fillim të viteve 90, me fillimin e proceseve demokratike në vendin tonë. Në burgun e Ballshit qëndroi pesë vjet, në atë të Qafë Barit, 10 vjet, pastaj vjen në burgun e Tiranës, nga ku lirohet pasi shpërthen uragani popullor për rrëzimin e Diktaturës komuniste.

“Babai im ishte një model se si duhet të jetojë një njeri me nder dhe dinjitet, pa u përkulur për asnjë çast dhe nga asnjë rrethanë”, thotë i biri Gani Lami, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura për Tiranën. Ai dhe vëllezërit e tij e rrethuan të atin për çdo çast të jetës me dashuri e përkushtim, por askush nuk mund t’ia shlyente këtij burri gjurmët e dhimbjes për atë se në vend të nderit e mirënjohjes, ajo kohë e pa kohë i dha si shpërblim vite të gjata burgu, strese e mungesa për familjen e tij, që do ta vuante shumëfish më shumë burgun politik të kryefamiljarit.

Në një përcjellje të tillë nuk mund të thuhen të gjitha, pasi jeta e një njeriu si Fadil Lami, me aq shumë gjurmë në kohë, duhet parë në sa më shumë këndvështrime. Opozicioni i tij me frontin komunist, nuk ishte opozicion i një kritizeri të fiksuar, por vetëdija e atdhetarit që e kuptonte se nuk mund të vazhdohej më me metoda shterp, me fjalime pompoze dhe “gurë në trastë”.

Në ceremoninë e varrimit të Fadil Lamit, Gëzim Kalaja, kryetar i BSPSH, një mik i vjetër i familjes Lami, e quajti atë ‘një etalon të Tiranës dhe të Shqipërisë së mesme’

Për pesëdhjetë vjet, ora e kombit punoi në të kundërt të dëshirave të Fadil Lmait dhe atdhetarëve të tjerë, në të kundërt të rrjedhave normale të historisë sonë kombëtare. Por demokracia i vuri pikat mbi “i” dhe vlerësoi kontributet njerëzore, atdhetare e kombëtare, kontribute për të cilat mund të ndihet krenar jo vetëm Fadil Lami, ky fatos i lirisë, jo vetëm familja Lami, por gjithë Priska, Kërraba, Tirana e Shqipëria, për të cilat ai dhe bashkëidealistët e tjerë u bërë pishtarë të gjallë, duke u djegur për të tjerët në errësirën e kohës.

Njerëz si Fadil Lami nuk jetojnë vetëm për vete, nuk jetojnë vetëm për familjen e tyre, ndaj kur largohen nga kjo jetë, ngjallin dhimbje e mungesë jo vetëm tek njerëzit e afërt, tek të dashurit e zemrës, tek ata që e kanë njohur dhe kanë pasur privilegjin ta kenë mik e dashamir, por tek të gjithë ata që kanë dëgjuar për të, për bëmat e këtij burri, që eci gjithmonë një hap para kohës së tij…

Fadil Lami, ky burrë i fortë, jetoi si hero, duke çuar në çdo cep të Tiranës zërin e kohës, u dënua më kot dhe me skenare ogurzinj si sabotator i mbrojtjes popullore, u shua si një fisnik tiranas, i rrethuar nga fëmijët, nipërit e mbesat, nga familja e farefisi, miqtë e shokët e shumtë, duke mbetur përjetë një shembull për brezat që do të vijnë…

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test