Nëna engjëllushe, bashkëshortja dreq

Opinione

Nëna engjëllushe, bashkëshortja dreq

Nga: Lis Bukuroca Më: 16 shtator 2017 Në ora: 17:47
Lis Bukuroca

Pse fëmija ndjen dashuri emocionale dhe respekt ndaj nënës, por vetëm dhembshuri dhe “respekt” ndaj t' atit? Jo te gjithsekush, por te shumëkush! Pse shumë veta konsiderojnë dreq nënën e fëmijëve të vet, por të veten engjëllushe? Nga vjen kjo skizofreni gjykuese?

Këto mund të jenë arsyet: tri vitet e para  kontakti i fëmijës është kryesisht me nënën, me sytë e saj, me kujdestarinë e saj, me bashkëndjesinë e saj, me përrallat e saja, me poezitë, me brengat, me zgjimin pas mesnate, me vajin, me përqafimin, me dashurinë, me frikën, me gatishmërinë, me thithjen apo me shishen e qumështit dhe, dhjetëra vrapime tjera emaptike, emocionale, pa harruar edhe deformimin e trupit të saj gjatë shtatzënisë. Kjo kujdestari vazhdon tutje dhe nuk zhbëhet. Dashurinë që mbëlton nëna te fëmija në atë kohë, dikur kthehet nga fëmija te dhuruesja, kurse i ati nuk do ta falte atë empati, edhe sikur të jetonte 300 vite! Prandaj edhe nuk i kthehet si dashuri, por si dhembshuri vetëm!

Pse? Ai nuk ka mësuar dashurinë! As emocionet! Ai mungesën emocioneve deri në apati të plotë, quan burrëri! Kryesisht jemi të tillë dhe për të arsyetuar mungesën e lidhjes emocionale me fëmijët, përligjim me punën. Se kemi detyrë të sjellim para, por jo të dhurojmë ngrohtësi dhe dashuri! Se nuk kemi kohë! As gjysmë ore në ditë, por kemi sa të duash të shkarravitem me gjësende të panevojshme: nëpër kafene, në internet apo aktivitete tjera të parëndësishme, që na largojnë nga familja.

Heqim dorë nga dashuria duke treguar arrogancë dhe autoritet patriarkal. Për të fituar dashurinë e fëmijëve duhet dashuruar dhe nderuar nënën e tyre. Nëse nuk e bëjmë, e vetmja mundësi që na mbetet një ditë, është, akuzimi i gruas: "M' i more fëmijët!" Kjo dëgjohet shpesh në familjet patriarkale me diskriminim, ku nuk pranohet dinjiteti i njeriut, por brutaliteti primitiv bazuar në organe gjenitale!

Nuk jemi mësuar të pranojmë fajin, por të akuzojmë vetëm. Pranimi i fajit, është fillim i ndryshimit, por ne nuk pranojmë ndryshimin, sepse narcizmi jonë është patologjik! Shembull: Ne akoma akuzojmë Kalifatin Osman për injorancën e imponuar, edhe pse sot kemi mundësinë dhe lirinë të arsimohemi, të emancipohemi dhe të vetëdijesohemi. Perandoria kishte faj për gjendjen e gjyshërve tanë, por jo për atë të patriarkëve tanë. E as për tonën sot, jo! Ne kemi radhën! Gjetja e fajtorit jashtë po shërben si alibi për ta kultivuar tutje parazitizmin dhe mosndryshimin!

Askush nuk mund t' i marrë fëmijët, nëse u fal dashuri dhe kujdestari dhe nëse nuk keqtrajton nënën e tyre. Paraja nuk është dashuri. Paraja është mundësi, por dashuria është domosdoshmëri për fëmijëri të shëndoshë. Paraja është rezultat i punës, dashuria duhet të jetë rezultat i martesës.

Fëmija mund të rritet i shëndoshë edhe me varfëri, por pa dashuri, mbetet pa drejtpeshim të nevojshëm psikik dhe me plot telashe në jetë, nesër edhe në bashkëshortësi!

Aty ku babai shtyp nënën e fëmijëve, në aspektin psikologjik, ata nuk i shpëtojnë sëmundjeve. Ata janë traumatizuar nga ai që duhej të ushtronte kujdestari dhe të falte dashuri. Ata bëhen invalidë mendorë dhe prej despotit, trajtohen si pronë, si sigurim pensional apo si instrumente për të realizuar ëndrra e veta që nuk ka arritur t’ i përfundojë duke fajësuar dikë! 

Mos e lind fëmijën nëse kërkon nesër ta paguajë jetën, që i ke falur pa dëshirën e tij, por me vetëdijen tënde, edhe pse ndoshta, pa dashje! Familja e shëndoshë, komb i shëndoshë! Popujt që përparojnë, ndihmojnë fëmijën materialisht për të ecur para. Ata ndjehen keq nëse i marrin fëmijës, sepse konsumojnë ardhmërinë e mbesave dhe nipave! Në familjen patriarkale paratë hidhen kryesisht prapa, jo para!

Nëse familja nuk është e shëndoshë dhe e lidhur me dashuri, kombi është në gjendje kaotike, mu si edhe ajo. Aty ku i ati është i ashpër, fëmijët dhe nëna e tyre duhet të mësojnë dyfytyrësinë dhe gënjeshtrën, për t' i shpëtuar shpërthimeve të tija agresive! Herë pas herë edhe vrasjeve. Ata që vrasin gruan, nënën e fëmijëve, nuk e bëjnë pse përfitojnë, por sepse ky akt iu është mësuar në shtëpi si zgjidhje, si rikrijimi i nderit, që ai në fakt nuk e ka. Njeriu primitiv nuk mund të ketë nder, por iluzione për posedimin e tij!

E përfundimi? Prindërit kanë përgjegjësi të madhe. Fëmijët gjatë rritjes i duhet liria, por edhe kufijtë. Në moshën madhore, liria, mëvetësia dhe mundësia e gjetjes së rrugës së vet. Edhe gabimet. Nga ato mëson, sepse njeriu nuk është robot! Fëmijës i duhet kryesisht liri në profesion dhe martesë. Keqtrajtimi dh imponimi i dhunshëm mund të kuptohet kur bëhet nga pushtuesi, armiku, por kurrë jo, kur bëhet nga prindi! Mos jeto për sytë e botës, por për vetveten! Nëse ata janë të kënaqur me ty, ti nuk do të jesh me vetveten! Profesioni dhe martesa duhet të jenë vetëm vendime tua. Me këto dy vepra duhet të bësh të lumtur dhe kënaqësh vetëm veten dhe askë tjetër! Nëse ke nevojë për konsultime mbi zgjedhjen e gruas, mos u marto. Ti akoma nuk je i moshës madhore. Martohu më vonë!

Nuk duhet dëshpëruar pse fëmija ka dashuri më shumë ndaj nënës, por kur nuk ka as ndaj saj. Arsyet pse fëmija ka lidhshmëri më të madhe më të, u numëruan më lartë, ka edhe qindra tjera, por mundësi dhe hapësirë boshe krijon shumë mungesa e dashurisë nga i ati, dhe, kryesisht, keqtrajtimi i nënës së fëmijëve. Babai që trajton me dashuri shoqen dhe fëmijët, por që nuk diskriminon në baza gjinore, jep kontributin themelor për një komb të shëndoshë dhe pa komplekse! Këtu nis përparimi i një kombi! Jeto sot! Jeto me të arriturat mendore të epokës tënde. Ato zakonore dhe fetare janë shkruar për epoka tjera, për njerëz tjerë! Ata hanin me grushte dhe teknologjinë më të madhe kishin sëpatën dhe shpatën, kurse mjetin transportues, vetëm kafshën. Ti fluturon sot! Bazohu vetëm në kushtetute. Aty gjenden parimet e kohës tënde! Denonco të ligën brenda familjes dhe në shoqëri! Ky është obligim qytetar, që tregon dashurinë ndaj atdheut. Shteti ka për detyrë të mbrojë dinjitetin e njeriut, jo të burrit! Pra, edhe të gruas, edhe të fëmijës!

Por pse konsiderojnë gruan dreq? Sepse nuk njohin dashurinë si emocion. Sepse kanë mësuar vetëm dhembshurinë dhe respektin e imponuar me dhunë. Sepse nuk janë edukuar, por janë dresuar! Vetëm me rrahje e kërcënime! Pa asnjë përqafim!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat