T’i thuhet zyrtarisht presidentit serb Vuçiq, Kosova ishte koloni e Serbisë!

Opinione

T’i thuhet zyrtarisht presidentit serb Vuçiq, Kosova ishte koloni e Serbisë!

Nga: Prof.Dr.Mehdi Hyseni Më: 17 shtator 2017 Në ora: 17:38
Mehdi Hyseni

-Ekziston frika dhe skepticizmi se këta liderë politikë shqiptarë, kurrë nuk do ta akuzojnë Serbinë për sundimin e saj të egër kolonial shekullor mbi trojet etnike shqiptare, sepse janë “borxhlinj” të partnerëve të ndryshëm ndërkombëtarë, dhe se janë të korruptuar deri në fyt nga krimi i organizuar dhe  dhe nga  aferat e ndryshme nepotiste , oligarkike  dhe despotike.
 
 Dialog me Serbinë, pse, kur kjo nuk e njeh Kosovën?
 
Para se të vazhdojë Dialogu i Brukselit (2011-2017), Prishtina dhe Tirana zyrtare, duhet t’i kujtojnë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq se Kosova dikur (1912-1999) ishte vetëm një koloni e Serbisë, asgjë më shumë e as më pak.
 
Pse duhet t’i thuhet kjo e vërtetë historike e Kosovës presidentit Vuçiq, sepse këtë e di gjithë shkenca dhe politika shqiptare, evropiane dhe ndërkombëtare, nuk është kurrfarë sekreti nën embargo me afat të kufizuar kohor të diplomacisë së fshehtë botërore.
 
Sikur Prishtina dhe Tirana zyrtare, të paktën qe 30 vjet, t’ua kishin përplasur në fytyrë të vërtetën qeveritarëve serbë në Beograd, se Kosova dikur ishte koloni e Serbisë, e krijuar me agresion, me masakra, me shpërngulje dhe me gjenocid (1912-1999), sigurisht se edhe Bashkimi Evropian (BE), Amerika dhe Kombet e Bashkuara, do të kishin pasur çasje tjetër ndaj zgjidhjes së problemit kolonial të Kosovës,  ashtu sikurse vepruan  me njohjen e së drejtës së vetëvendosjes së shumë shteteve afrikane pas përfudnimit të Luftës  së Dytë Botërore, në vitet e 50-ta, të 60-ta dhe të 70-ta të shekullit XX.
Nuk ka asnjë dilemë se mostrajtimi dhe mosgjidhja e problemit kolonial të Kosovës sipas së drejtës historike dhe asaj ndërkombëtar, e cila ligjërisht e sanksionon krimin kolonial si vepër penale ndërkombëtare, ndikuan negativisht në zgjidhjen e problemit të Kosovës,  duke ia njohur pavarësinë unilaterale  nga ana e Shteteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të BE-së (22 anëtarë minus Greqisë, Sllovakisë, Rumanisë, Spanjës, Qipros greke). 

Kjo ndodhi duke falënderuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj evropiano-perëndimorë. Ndryshe, statusi politik dhe juridik i Kosovës ende do të ishte i pazgjidhur  mbase asnjënherë nuk ishte   “evidencuar” dhe shtruar  për zgjidhje si “problem kolonial”. Këtë gabim historik, juridik, politik dhe diplomatik të liderëve politikë të Kosovës dhe të Shqipërisë, diplomacia e Beogradit e  kapitalizoi në favorin e  “konservimit” të politikës së dikurshme kolonialiste të Serbisë mbi Kosovën (1912-1999), duke mos dhënë llogari as para BE-së, as para OKB-së e as para Amerikës ngase politika dhe diploamcia zyrtare shqiptare  (1989-2017) e heshti, duke mos e pditur Serbinë për sundimin e saj kolonial 100-vjeçar mbi Kosovën. 

Ky gabim i bërë nga Tirana dhe nga Prishtina zyrtare, është fatal, sepse Serbia, edhe pas  një shekulli nuk akuzohet nga bashkësia ndërkombëtare për kolonializmin gjenocidal mbi shqiptarët dhe mbi Kosovën. Ky është shkaku kryesor, pse, sot, Kosova  ndodhet ende jashtë Organizatës së Kombeve të Bashkuara. 

Pra, pikërisht mosngritja dhe mostrajtimi i Kosovës si problem kolonial, Serbisë dhe Rusisë iu krijuan kushtet dhe mundësitë, që të manipulojnë me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, duke e bllokuar edhe në Këshillin e Sigurimit (me veto-n e Rusisë). 

Një gabim i tillë politik i shtetarëve dhe i liderëve politikë shqiptarë, do t’u kushtojë shtrenjtë edhe Kosovës, edhe Shqipërisë ngase Beogradi i mbështetur nga Moska, vazhdimisht do ta shantazhojë Kosovën në planin ndërkombëtar, duke mashtruar dhe gënjyer botën, se gjoja “Kosova është provincë” e Serbisë.
 
Përderisa shqiptarët të vazhdojnë “dialog” me Beogradin, Kosova kurrë nuk do të njihet nga OKB-ja, por da ta ketë statusin si Tajvani, jashtë OKB-së
 
-Serbia bën dialog bilateral ose multilateral  me liderët kosovarë dhe të Shqipërisë londineze,  sepse Kosovën e konsideron “plaçkë koloniale të  veten”, duke qenë se edhe Tirana edhe Prishtina vazhdojnë ta heshtin të vërtetën historike se Kosova ishte koloni e Serbisë (1912-1999). 

Mirëpo, derisa të heshtet dhe të mohohet e vërteta dhe e drejta historike e shqiptarëve mbi Kosovën (e cila ishte vetëm një koloni klasike e Serbisë), Serbia dhe Rusia së bashku me  Kinën, me Indinë, me Spanjën, me Greqinë dhe  me partnerët e tjerë të tyre, nuk do të tërhiqen nga qëndrimet dhe nga pozicionet  e startegjisë dhe të takktikës së tyre politike, propagandistike dhe diplomatike, që ta mbajnë  “limbo” statusin politik të Kosovës, gjithnjë, duke e kosnideruar si “pjesë territoriale”  të Serbisë.
 
Sipas Deklaratës së pavarësisë dhe Kushtetutës, Kosova  “nuk ishte koloni e Serbisë”!
 
Duke marrë në konsideratë këto dy dokumente të rëndësishme për historinë e Kosovës, si duket Beogradi dhe Moska  e kanë lexuar drejt esencën e përmbajtjes së Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2008) dhe të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (15 qershor 2008), sepse në asnjërin prej këtyre dy dokumenteve nuk vihet  në dukje e vërteta historike, se Kosova ishte koloni e Serbisë! 

Ky është një gabim i pafalshëm, që në pjesën historike të Kushtetutës së Kosovës (15 qershor 2008), nuk figuron asnjë fjalë, se Kosova, jo më pak se 100 vjet ishte koloni e Serbisë.
Me këtë gabim,  shtetarët dhe konstitucionalistët e  Kushtetutës së Kosovës e kanë amnistuar Serbinë nga kolonializmi  i saj 100-vjeçar mbi Kosovën, sepse ky fenomen i shëmtuar antihuman dhe antiligjor nuk theksohet në asnjë dispozitë, paragraf apo nen të  saj!?
 
Prandaj, presidenti Hashim Thaçi, presidenti Ilir Meta, kryeministri Ramush Haradinaj, kryeministri Edi Rama, ministrat e jashtëm Behgjet Pacolli dhe Ditmir Bushati , të mos e aminojnë me duartrokitjet e tyre  mbështetjen e Dialogut të Brukselit (2011-2017), sepse ky nuk do të sjellë asgjë avancuese për njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë dhe nga ana e OKB-së, por do të jetë një  “arrë në fyt” edhe për Kosovën, edhe për Shqipërinë, si këtu e 100 vjet më parë.
Derisa politika zyrtare e Tiranës dhe e Prishtinës nuk e padisin Serbinë për kolonializmin e saj gjenocidal mbi Kosovën dhe mbi pjesët e tjera të Shqipërisë etnike (1878-2017) as BE-ja e as OKB-ja e as GJND-ja nuk do ta ndëshkojnë Serbinë  si shtet kolonialist dhe gjenocidal.
 
Pavarësisht nga interesat heterogjene të kolltukofagëve karrieristë  shqiptarë, si dhe të reagimeve të Serbisë, të Rusisë dhe të Evropës etj., politika zyrtare shqiptare (Prishtinë – Tiranë) ka për detyrë morale, politike,ligjore dhe kushtetuese, që ta padisë Serbinë për kolonializmin dhe gjenocidet saj mbi  shqiptarët dhe territret e tyre etnike. Ndryshe, do të kalojnë edhe shekuj të tjerë, faktorët dhe qendrat e vendosjes së bashkësisë ndërkombëtare, kurrë nuk do ta thërrasin në përgjegjësi Serbinë për kolonializmin dhe gjenocidet e saj, të kryera ndaj shqiptarëve dhe ndaj Shqipërisë etnike. 

Për fund, derisa Serbia nuk penalizohet për krimet e saj të kolonializmit dhe të gjenocidit (1878-2017), shqiptarët, Kosova dhe Shqipëria vazhdimisht do të kenë problem dhe konflikte me  Serbinë, pavarësisht nga “idili” i marrëdhënieb ekzistuese ekonomike, tregtare, politike  me Kosovën dhe me Shqipërinë. 

Gjithashtu, derisa Serbia nuk heq dorë nga sovraniteti kolonial shekullor  mbi Kosovën, Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën etj., marrëdhëniet e saj me shqiptarët në vazhdimësi, do të jenë të galvanizuara, të brishta dhe të paqëndrueshme, pavarësisht nga lojërat politike  “moderuese”  të saj midis BE-së dhe  Rusisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat