Prej momentit kur mësohet me fol, fëmiun duhet me mësu se "dashuria nuk shkon me zor"

Opinione

Prej momentit kur mësohet me fol, fëmiun duhet me mësu se "dashuria nuk shkon me zor"

Nga: Kimete Berisha Më: 18 shtator 2017 Në ora: 23:06
Kimete Berisha

'Dashuria' ish dasht me qenë edhe lënda kryesore mësimore në të gjitha nivelet e shkollimit.

Nga shumë zhgënjime na kishit kursyer sikur të na kishit mësuar të kemi vetëbesim dhe të na bindnit se askush nuk është si ne, dhe ne s'jemi si askush tjetër.

Në kuadër të lëndës së dashurisë, të mësohet e kundërta e dashurisë, indiferenca, si dhe urrejtja, smira, xhelozia, rivaliteti, intrigat, armiqësia, vdekja, ndarja, humbja, braktisja dhe pasojat e tyre, e jo qysh ndodh në Kosovë, në orën e psikologjisë, arsimtaret flasin për religjionin ose për seriale.

Lënda kryesore për shqiptarët duhet të bëhet psikologjia.

Mësojmë lëndë që s'na hyn kurrë në udhë, ndërsa temat kryesore të jetës, ato që na mbajnë gjallë ose na mbysin, në një ose në një mënyrë tjetër, i mbajmë fshehur nga njëri-tjetri dhe nuk i çelim kurrë.

Ne nuk e njohim njëri-tjetrin, anipse jetojmë bashkë. 
Sepse, nuk flasim hapur. S'kanë folë të parët tanë, s'flasim as ne. E kemi trashëguar heshtjen dhe shtirjen.

Ti e ruan fëmiun apo të afërmin tënd nga temperatura e trupit, por nuk e ruan nga zjarri i shpirtit, nga lakmia dhe nga xhelozia.

P.S. Xhelozia është më e vjetër se dashuria. 
Edhe kur shuhet dashuria, xhelozia mbijeton.
Xhelozon fëmiu në muajt e parë të jetës së tij. Që do të thotë se xhelozia (si edhe dashuria) janë më të vjetra se vetëdija jonë.

Njeriu i parë që lindi në këtë botë, Kaini, nga xhelozia, e vrau vëllain e tij Abelin (që është njeriu i parë që vdiq në këtë botë), duke e goditur me gurë. 
Ndërsa, Kaini jetoi 730 vjet, për të vdekur po nga gurët, kur shtëpia e tij u rrënua mbi trupin e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat