Presheva e paradokseve dhe kontraditave

Opinione

Presheva e paradokseve dhe kontraditave

Nga: Sevdail Hyseni Më: 19 shtator 2017 Në ora: 10:49
Sevdail Hyseni

Presheva, një komunë e trekëndëshit kufitar: Serbi-Maqedoni-Kosovë, me mbi 95 për qind shqiptarë dhe me një parlament lokal krejtësisht etnik, prej kohësh ka qenë në shënjestër të Beogradit, i cili, asnjëherë, nuk është ndjerë i kursyer nga masat represive ndaj saj.

Kjo që po ndodh, kohëve të fundit, me masat e përkohshme në Komunën e Preshevës, të servuara nga një vendim diskriminues i Qeverisë së Serbisë, nuk përjashton mundësinë e përçarjeve edhe më të mëdha ndërshqiptare, të cilat në skenën politike, reflektojnë mosdurim institucional, partiak e qytetarë.

Beogradi, në stilin e masave të përkohshme ndaj pushtetit preshevar, ka vepruar që moti, nga viti 2002 e këndej, duke krijuar klimë të keqe të qeverisjes lokale, nga më të këqijat që njeh historia e pushteteve vendore e rajonale.

Këto vendime të pushtetit qendror të Serbisë, ndaj klasës politike të Preshevës, sado që të quhen “tendencioze, manipulative, antiligjore e diskriminuese”, ato nuk do të kishin gjetur truall të përshtatshëm për jetësim, po sikur korpusi politik shqiptar të ishte unik, i njësuar dhe kompakt.

Mungesa e një bashkëpunimi të sinqertë institucional dhe partiak ndërshqiptar, ia ka dhënë rastin e mirë Beogradit, për ta sunduar Preshevën me masa të dhunshme, me ngërçe politike dhe kolapse ekonomike.

Sindromi i përçarjeve

Fenomeni i përçarjeve shqiptare në Preshevë, ka kaluar në një urrejtje patologjike ndërpartiake, së cilës, për momentin, vështirë se mund t’i gjendet “ilaçi”!

Ky sindrom përçarës i ka rrënjët e thella, që nga vitet e 90-ta e ndoshta edhe më herët. Por, kulminacioni i këtyre mospajtimeve, dallon nga ato të mëhershmet kur kishin pak parti e tashti kur janë bërë me dhjetëra sish, ato vështirë se mund të gjejnë ndonjë “strumbullar” bashkëpunimi.

Sindromi i përçarjeve do të vazhdoj edhe në të ardhmen në Preshevë, ngase kështu e pëlqen Beogradi dhe nuk mund ta tejkaloj Prishtina dhe Tirana, bile as faktori ndërkombëtare, që në këto hapësira e luan rolin e vëzhguesit.

Meqë krerëve politikë në Preshevë, nuk mund t’ia ngre veshin muskuloz askush nga faktorët relevantë shqiptar, si dikur ish president Rugova, atëherë loja e “strucit” do të vazhdojë në forma dhe mënyra të ndryshme.

Ky primitivizëm politik, klanor, partiak e grupor e lë Preshevën edhe në të ardhmen pa institucione stabile, pa një klimë të mirë investitive dhe pa një perspektivë të shëndoshë arsimore, kulturore e shëndetësore.

Pushteti i çmendurive

Rrallë se mund të gjendet ndonjë krijues si Kadare, i cili është në gjendje të paraqesë “atmosferën e frikës, dhunës, përgjimit, denoncimit, oportunizmit, gënjeshtrave, besëtytnisë dhe fuqisë spekulative”, të pushteteve gjatë udhëtimeve nëpër histori.

Tre janë tregimet e kandidatit shqiptar për Çmimin Nobel, Ismail Kadare, që ribotohen me titullin “Die Schleierkarawane” (Sjellësi i fatkeqësisë).

Mos i lini pa lexuar, sidomos ata të politikës, që ia kanë vënë vetes për barrë, të merren me politikë dhe nga ajo të sigurojnë pushtet, famë dhe karrierë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat