Letër Havzi Nelës

Opinione

Letër Havzi Nelës

Nga: Rexhep Shahu Më: 20 shtator 2017 Në ora: 23:06
Rexhep Shahu

I DASHUR HAVZI, NUK ANKOHEM PËR NEBILAT

Me 19 shtator 2017, fotografinë tënde Havzi, debilat e nxorën krah për krah me kopertinën e librit të poetit serb Aleksandar Qotriq që unë botoj këto ditë, një libër i mrekullueshëm, me aforizma, aforizma që më ngjiten sapo i lexova. 

E nxorën foton tënde krah kësaj kopertinë duke thirrë “Dritë! Dritë!” sikur panë dritën në gjirizin ku notojnë, sikur zbuluan kontinent të ri. 
I turren thonjtë e pistë të palamë qe njëqind vjet si shigjeta të helmëta dhe ia drejtuan në sy Flamur Hoxhës, mikut tim, njeriut të përkryer, kandidat i PD për deputet në Kamzë që mori vota sa tre deputetë bashkë, por që siç po del, i kanë munguar votat e Nebil Çikës se ai nuk të jepka vota por dhe të nxirrka sytë nëse nuk i jep lekë kur të kërkon për punët e bizneset e tij. 

Ia drejtuan thonjtë e llomtë për me ia nxjerrë sytë, me ia shkulë kokërrdhokët e syve se pse nuk i ka dhënë lekë bosit Nebil. Sikur ia ka borxh bosit Nebil. 
Unë nuk e di, por në supet e mia nuk mund ta mbështesë pushkën Nebili e të qëllojë pas shpinë, Flamur Hoxhën. 

Se plumbi i kthehet mbrapsht Nebilit që e din se si kthehet plumbi mbrapsht.

E gjetën shkakun se pse biznesmeni humanist Flamur Hoxha nuk financon bustin e Havzi Nelës, (nënkupto biznesin e Nebil Cikës, nuk ia ndërroj unë germën e parë të emrit Nebilit). 

Flamuri ka mëkatuar, thonë hijenat, i dashur Havzi se nuk financon bustin e Havzi Nelës por financon një libër të një poeti serb, Shitësit e Mjegullës. 
Ky është mëkat i Flamurit, është krimi i tij thonë kalorësit e antikomunizmës. 

Sikur Flamuri e ka për detyrë ta financojë bustin e Havziut dhe qejfet e Nebilit se ndryshe Flamuri nuk është antikomunist, ndryshe Flamuri nuk është patriot e atdhetar se të tillë të shpall Nebil Cikëa, natyrisht nëse paguan tek ai taksë patriotike taksë antikomuniste.

Fotografia jote krah kopertinës së librit të poetit serb i dashur Havzi nuk është turp as mëkat, por është nisë si plumb antikomunist kundër Flamur Hoxhës. Por kësaj radhe nuk është plumb në zarf, por plumb hapur për denigrim të Flamurit në emër të antikomunizmës.

Si, nuk di ti çfarë është plumbi në zarf… Mos më çudit i dashur Havzi. Plumbi në zarf është diçka si plumbi në pajë, si fisheku në pajë. Po ty të kanë pas varë e nuk e ke parë dramën Fisheku në pajë, të profesorit tim Fadil Kraja.

I dashur Havzi

Ty të varën në litar në 1988. Para teje, në kohën kur ti luftoje në Spaç dhe denoncoje atje diktaturën, Flamur Hoxhës partia ia ka pushkatur gjyshin në vitin 1974, kur Flamuri ishte në klasën e dytë fillore. E lanë pa gjysh, ia pushkatuan gjyshin dhe e internuan gjithë familjen e tij të madhe. Ishin pari e dinasti familja e tij, gjashtë skoda me rimorkio iu deshtën shtetit për ta internuar familjen e Flamur Hoxhës. 6 skoda aq sa spiuna u deshtën me të dënue ty edhe me 8 vjet të tjera burg mbi 15 vjetëshin e parë në Spaç.

Pra hijenat iu sulen Flamurit duke më goditë dhe mua.

Pse financon një poet serb e nuk i jep lekë biznesmenit të antikomunizmës Nebil Çikës që don të bëjë një bust për ty Havzi, sikur ai është pronari yt, tutori yt.
Flamur Hoxha, njeri i lirë, civil, qytetar, biznesmen i suksesshëm në Shqipëri e Itali, pa marrë pjesë kurrë në tendera shteti me fonde publike, ka financuar disa libra biblioteke, (nuk e dinë debilat çdo të thotë libër biblioteke) të munguara në bibliotekën shqiptare. 

Shkrimtari i madh Zija Çela, për kontributin në financimin e librave të rrallë, e ka shpallur Flamurin “Deputet i Letërsisë”, po debilat nuk marrin erë nga këto punë. 

“Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha” të Vlladan Gjeorgjeviqit ishkryeministër i Serbisë, të përkthyer nga Mustafa Kruja ishkryeministër i Shqipërisë e financoi Flamuri dhe është sot në bibliotekën tonë. “Shpërngula e Shqiptarëve” e Vaso Cubrilloviqit u financua prej Flamurit dhe për herë të parë është libër në shqip. Patriotët skipëtarë dhe pronarët e antikomunizmës, nuk thanë asnjë fjalë pse unë botova këto libra urrejtje me financimin e Flamurit. As kur botuam me financimin e Flamurit Dimitrije Tuceviqin, as Kosta Novakoviqin, as Ballukxhixhin, as kur botuam humanistët e mëdhej francezë D’estournellë de Constant “Unë i kam shumë borxh Shqipërisë”, as kur botuam librin avokatues të shqiptarëve “Shqipëria në 1921” të Justin Godart, që veç të tjerave tregon masakrat greke në Jug të vendit si rrallë kund.

Flamuri ka financuar volumet e profesor Shefqet Hoxhës që nuk gjenden e përsëriten më, Përrallat, Baladat, Epikën dhe Lirikën disa mijëra faqe, që janë rrënjët tona.

Hijenat që mendojnë e shpallin se dinë shkrim e këndim përvecse dinë të hanë paçe e pilaf me qofte nuk folën kurrë asnjë fjalë për financimet e mësipërme të Flamurit, as të revistës letrare Illz, revistë letrare e Tiranës që e financon Flamuri. 

Më fal i dashur Havzi se kërkova shumë e pretendova shumë nga gjobvënësit. Ku dinë ata çfarë është revista letrare ballkanike që e financon Flamuri. Ata dinë vetem çfarë janë lekët, eurot për biznesin e tyre, paçe e pilaf me qofte.

Biznesin tim unë e kam të suksesshëm i dashur Havzi se unë jam përmbushë intelektualisht me librat që ka financuar Flamuri, kam plotësuar ëndrrat e mia, por lekë nuk fitova me librat se keto janë libra që nuk sjellin lekë. Se as edhe gjenitë e antikomunizmës, as ata që shpallin e çertifikojnë kënd duan antikomunist, as ata nuk blejnë libra, nuk lexojnë libra, kanë lexuar mjaft, ia kanë nxjerrë rrënjët, ata duan ndonjë gotë raki, paçe e pilaf dhe ndonjë lekë nën dorë…

Në fletërrufenë ndaj Flamurit e meje që vunë dje kampionët e lirisë e të antikomunizmës i dashur Havzi, kishin përkthyer nga serbishtja CV e poetit Qotriq. 
Kanë përkthyes që ua përkthejnë biografitë çetnikëve si Qotriqi dhe më hakërrehen me CV të tij në dorë duke qëlluar plumba (jo në zarf) kundër Flamurit pse financon aforizmat e Qotriqit e jo bustin e Havziut, pronar i të cilit është antikomunisti më i madh i Europës Nebil Çika.

I dashur Havzi Nela!

Kane dale do gjobvenesa te tmerrshem qe u vene gjoba njerzve per ty, gjoba patriotike ne emrin tend. 
Mos u cudit, ti nuk je cudite asnjehere. Ne emrin tend jane bere e do te behen turpe te medha, turpe patriotike i dashur Havzi, turpe te lyera e te ngjyera me antikomunizem.

Por keto gjobat per ty, gjoba ne emrin tend, nuk i kisha degjuar i dashur Havzi. Por do degjojme shume te padegjuara, do rrefejme shume rrefenja te pa rrefyera...

I dashur Havzi Nela! 

Po duan me ti marre edhe ato 910 leket qe ia pate lene amanet nenes tende para se me te var ne litar, po duan me ti marre edhe ato leke me ta ba nje bust prej bronxi, sa ma te holle, bust per ty qe vetem me ty nuk ngjan askund, askund aq sa ngjaj une me hazretin Lenin...

Ka dalë një hienë tjetër dhe po e shqyen Havzi Nelën.
Duro i dashur Havzi, duro... 
I dashur Havzi Nela!
Antikomunistat me leje, biznes bejne, biznes gjobveniesh.

I dashur Havzi Nela, edhe bronxin per bustin tend duan me ta vjedhe patriotat.

I dashur Havzi Nela, do te shkruaj nje leter te gjate dhe do e fus ne liber. Ndoshta duhen thene te gjitha gjerat.

Me 1996 u bera kryetar i Shoqates Kombetare Miqte e Havzi Neles. Sa te urrejne Havzi

I dashur Havzi,
ne gjobvenie per llogari te bustit per ty eshte perfshire edhe ndonje patriot i zbukuruar ne plumba (ne enderr) duke i ike Kosoves, duke i ike luftes e qendreses per Kosoven, duke u bere çlirimtar refugjat, duke u bere Mic Sokol naten kur s'e sheh askush, duke u bere kundershtar i flakte i Serbise, dhe jaran i çetnikeve qe jane ministra ne Qeverine e Kosoves. A po kupton i dashur Havzi. Po, e di, e ngateruar eshte pak, por do te ta qartesoj me vone ne kete leter. Pa marak.

Per gjobvenesit patriote qe i vene gjoba patriotike biznesit, i dashur Havzi Nela, ti nuk je kombetar, me permasa kombetare, ti je lokal, ata duan nje cope bust me llamarine te bronxte qe te mos ngjaje aspak me ty por bust qe ta vene dikund ne ndonje skute te Kukesit. 
Se ne Tirane jo, ti nuk je per Tirane, ata jane per Tirane, ti je lokal, hero lokal, provincial.
Mos u deshpero Havzi! Ti ke pare keq e me keq. Po ka edhe te tille qe te shqyejne edhe te vdekur, ka hiena i dashuri im Havzi.

I dashur Havzi Nela!
Une nuk e kisha ditur se ne emrin tend jane gjobitur e ndeshkuar e kercenuar politikisht edhe pushteare te ndryshem lokale a zyrtare qendrore, jane bere flete-rrufe si flete gjobash nga skutha te ndryshem ne emer te denimit te krimeve te komunizmit.

Para shume vitesh skulptori Ilmi Hoxha beri bustin tend i dashur Havzi. Nuk e beri te gjalle, por iu afrua sa s'ka me shume. Bashke me Petrit Palushin, Nazif Doklen e disa te tjere qe perfilleshim ne Kukes, e miratuam ate bust per tu bere. Ia shprehem dakortesine tone PD. 

Por nuk u be ne bronx ai bust sepse ngjante me ty Havzi. 

Sot biznesmenet patriota duan te vjelin gjoba te bejne nje bust qe te mos ngjaje aspak me ty i dashur Havzi.

I dashur Havzi Nela!
Ne vitin 1996 kur u bera kryetar i Shoqates Kombetare Miqte e Havzi Neles, premtova se do te luftoj qe te ndalet lekundja jote se ende lekundesh ne litar, do te luftoj te pranohesh se ende refuzohesh, nuk pranohesh, do te te mbroj nga komunistat antikomuniste, do te te mbroj nga hienat, nga ata qe duke te lepire te kafshojne, do te te mbroj nga gjithe debilat e shoqerise. 

Por nuk te mbrojta dot dhe sot shpall pendesen time.

Por do te t'i ruaj eshtrat se mua me takon me ti ruajte eshtrat qe duan me ti zhduke, me ti mbeshtjelle me ndonje llamarine sa me te holle bronzi por te qe mos ngjaje me ty dhe per kete llamarine bronxi me gjobite sa me shume njerez, me i gjobite patriotikisht, antikomunistikisht...

I dashur Havzi
Unë nuk marr përsipër të ndryshoj asnjë serb. As nuk marr përipër që serbët të luftojnë për çlirimin e Kosovën nga Serbia. Serbët e duan Kosovën brenda Serbisë, brenda shtetit të tyre serb. Qotriqi thotë:

***
“Kosova është Jerusalemi ynë”.
Po aq sa është dhe Jerusalemi.

***
Prishtina nga Beogradi është 350 km larg.
Çdo ditë është edhe më larg.

***
Beogradi dhe Prishtina dialogojnë në Bruksel.
Ashtu vendosi Uashingtoni.

***
Nëse nuk e pranojmë Kosovën si fqinj,
do na futet edhe ndonjë tjetër në mes.

***
“Do kthehemi në Kosovë”!
Për të luajtur ndeshje ndërkombëtare.

***
Edhe nëse nuk duket ashtu,
rruga drejt Europës kalon nëpër Kosovë.

***
Serbia do të jetë përsëri një e tërë.
Kur të ikin Kosova dhe Vojvodina.

***
Dy shtete shqiptare tashmë ekzistojnë – Shqipëria dhe Kosova,
dy të tjerë janë në formim – Maqedonia dhe Zvicra.

Këto janë disa nga aforizmat e Qotriqit në librin e tij Shitësit e mjegullës që botim I imi me mbështetjen financiare të Flamur Hoxhës

Por patriotët e shquar shqiptarë që i ikën luftës që nuk u zbukuruan me ndonjë plagë në luftë, që nuk u përzhitën ndopak, që nuk guxuan as të heqin mbiemart e tyre serbë thonë ëshët kriminel Qotriqi. Natyrisht që Qotriqi nuk është patriot shqiptar ai duhet të jetë patriot serb.

Thelbi yt Havzi, nuk është qenia jote poet që rreken të të quajnë e shpallin. Jo. Askush nuk të dënoi si poet, nuk e ditën se je poet as shoqëria as partia që të dënoi. Thelbi yt është disidenca e formuar e shprehur qartë çdo ditë prej teje e sidomos në përballje në gjyqe.

Vëllai t’i ruajti vjershat dhe sot ato të dhanë përmasë tjetër, por ama sot, pasi të varën.

Ti nuk je hero shoqatash i dashur Havzi, janë të vogla shoqatat për ty, nuk të nxënë dot. Se shoqatat janë në ndonjë rast edhe çerdhe përdhunuesish, gjobëvënësish si në rastin tënd që synojnë të gjobisin të tjerët në emrin tënd. 

Ti nuk je hero lokal, je hero kombëtar dhe për ty duhet të kujdeset shteti dhe jo shoqatat që të përdorin ty me nxjerrë lekë prej teje. Se helbete, i duhen lekët kryetarit të shoqatës, kryetar është tjetri e kryetarlleku ka shpënzime, don pak burrni, pak privilegje. Për me i sigurue këto, duhet me gjobitë biznese, me u marrë lekë gjasme për bust për ty e me i përdorë ato lekë edhe për bust.

Ti nuk je hero shoqatash por hero kombëtar. Kjo nuk do të thotë se shoqatat përbuzen e nuk u pranohet e njihet kontributi, u njihet kontributi po jo zgrapja e askujt në emrin tënd, ky nuk është kontribut.

Bustet kanë veçori se vendosen në vende publike dhe duhet të bëhen përmes konkurimeve të lira të artistëve nga shteti dhe bustet nuk janë pronë shoqatash. 

Ti i dashur Havzi nuk ke pronar asnjë kryetar shoqate që në emrin tënd u vë gjoba bizneseve duke zgrapë lekë për bustin tënd, duke bërë presione të pështira bizneseve duke sanksionuar se kush nuk i jep euro Nebilit nuk është patriot as antikomunist por është serb, shka, çetnik, tradhëtar.

Konkurimi i lirë i artistëve e vendos cili bust shpallet fitues për mjedise publike sepse nuk ka askush të drejtë të ndotë ambjentin me buste që zgjedhin apo caktojnë e i vlerësojnë si të mira pronarët e busteve, pronarët e shoqatave që gjobisin biznesmenë.

A më thua i dashur Havzi sa lekë janë lëvruar në emrin tënd, për llogari të madhnimit tënd, për buste, bazorelieve, pllakate, libra, fletore, fletëpalosje, dreka, darka etj etj. 

Thjeshtë ta di, e mbaj sekret, nuk i tregoj askujt përveçse e botoj. Kam qenë pjesë dhe kam hy me nda kur dikur desh u bënë copa duke akuzuar njëri – tjetrin për një bazorefiev sa ka kushtuar, sa broz keni vjedhë etj etj.

I dashur Havzi, ka ndodhë e po ndodh ende përditë një keqkuptim i madh me ty. Hijenat që duan të të shqyejnë, kalorësit e vetshpallur të lirisë, ata që shpallin se janë sjellësit e lirisë e të demokracisë, duan të të përvetësojnë e të të shalojnë ty. Kujtojnë e duan të na bindin të gjithëve sikur ti je hero i të përsekutuarve politikë antikomunistë (po pse ore, a ka edhe të përsekutuar politikë komunistë…), sikur ata janë pronarët e tu, sikur ti nuk je hero i të gjithëve ne, hero shqiptar, hero i demokracisë.

I dashur Havzi, kur të bëhet civile vërtetë shoqëria jonë ti do të jesh hero më shumë se kombëtar. Je hero europian që je dënuar me varje në litar i fundit në Europë duke i kënduar Helsinkut. Do të ndjehen jo mirë pronaërt e tu kur të ndodhë kjo…

Busti për ty i dashur Havzi nuk mund të jetë bust privat se ti nuk je tashmë hero privat, ti je hero që shoqëria e sotme nuk po të nxe, hapsirat e sotme nuk po e nxënë heroizmin tënd, përmasat e tua të mëdha i rrinë të vogla shoqërisë sot edhe 30 vite pas varjes tënde.
Shteti demokratik ka detyrim ligjor e moral për ty, për bust për ty, për gjithë nderet për ty, sepse ti në fund të fundit u sakrifikove për një shtet të lirë e demokratik, për një shtet siç e kemi sot, të lirë, demokratik por të papërsosur.

Shoqatat e gjobëvënësit shpallin disidentë, shpallin antikomunistë, çertifikojnë antikomunistë, japin triska antikomunisti. 
Nëse nuk të shpall antikomunist Nebili nuk je antikomunist me i nxjerrë brinat sa të kaut të larmë.
Antikomunist mund të bëhësh me një shuk lekësh, me një dorë eurosh në dorë Nebilit.

I dashur Havzi se të lodha,

Patriotat e gjobëvënsit në emër të antikomunizmës harrojnë se letërsia eshte letërsi e jo politikë as luftë, harrojnë se letërsinë e bëjnë letrarët e politikën politikanët. Unë kam marrë përsipër të bëj letërsi, të botoj letërsi të zgjedhur ballkanike.
Ne letrarët nuk jemi fajtorë për politikën e politikanët, politika e politikanët janë fajtorë për letërsinë.
Ndërsa debilat do të gëjojnë gjithmonë në ahuret e gjirizet tona.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat