Prapë numrat?

Opinione

Prapë numrat?

Nga: Ymret Reshiti Më: 21 shtator 2017 Në ora: 13:12
Ymret Reshiti

Me formimin e qeverisë Haradinaj sikur menduam se u tejkalua çështja e numrave të koalicionit PANAL për formimin e institucioneve shtetërore. Hyrja e AKR-së në koalicion me PAN-in,  në fillim u çmua si bekim  por siç po shihet tani  ky bekim po na del si mallkim.

Siç duket  koalicioni PANAL i kishte bërë llogaritë gabimisht. Po del që ata  më shumë kishin qenë të përkushtuar në plotësimin e ambicieve personale të marrjes së posteve shtetërore, pa menduar se vrapimi pas atyre posteve mund të dëmtoj  numrin e votave të koalicionit  në Kuvend. Lidhja e koalicionit të AKR-së me PAN-in nuk  doli që të jetë bërë me pëlqim unanim të AKR-së siç u paraqit “para opinionit”.

Menjëherë pas këtij koalicioni, deputeti i AKR-së Korab Sejdiu braktisi AKR-në dhe koalicionin PANAL e zvogëloi  për një votë. Gjithashtu, lëshimi i posteve të deputetëve  vetëm e vetëm për të marrë poste qeveritarë  mundësuan humbjet tjera të votave të AKR-së. Me largimin e deputetit Behgjet Pacolli dhe emërimit të tij në postin e zëvendës  kryeministrit dhe ministrit të punëve të jashtme, AKR-ja humbi edhe një deputet ndërsa  LDK-ja përfitoi nga ky rast duke e shtuar numrin e deputetëve  edhe për një.

Sikur të mos mjaftonin këto zhvillime, dikush nga të mëdhenjtë e PANAL-it e futi në lojë  KQZ-në , me porosi që  deputetin Zafir Berisha ta de certifikoj nga kandidatura për kryetar komune. Qëllimi  është që një kandidat serioz për Prizrenin siç është Zafir Berisha  ta mënjanojnë nga  gara  sepse nëse do të fitonte garën do të dilnin të “bëmat e famshme “ të qeverisë Muja. Kjo lojë, koalicionit PANAL i ka kushtuar me humbjen edhe të një vote ( me të drejtë)  të deputetit në Kuvend ngase deputeti Zafir Berisha  ka deklaruar se “nuk do ta mbështes këtë koalicion”. Të  gjitha këto vlime në kazanin politik të PANAL-it,  tregojnë  frymën dhe fytyrën e vërtet të këtij koalicioni mish mashi.

Qeveria që punon së koti

Tentimi që përmes mbledhjeve të qeverisë, të heshtët çështja e mungesës së numrave në Kuvend, ka si qëllim që para opinioni publik situatën e “ krizës së numrave” ta paraqesë si normale. Ky është një gabim tjetër finok i kësaj qeverie, e cila ka nisë t’i sjell probleme vetvetes. Koha më së miri dëshmoi se rëndësia e numrave në Kuvend nuk mund të anashkalohet kurrsesi. Këtë nuk deshi ta kupton ambicia dhe kokëfortësia e koalicionit PANAL. Tre muaj kohë na morën numrat dhe u bëmë gazi i botës. Mungesa e guximit për tu marrë me çështjen e numrave tregon  edhe një fakt tjetër, të pa thënë deri më tani për koalicionin e brishtë. Ky koalicion, përtej të sotmes nuk di të parashikoj asnjë veprim  politik. Si u bë që ky koalicion nga 63 deputet,  tani të mbetet në 60 deputet. 

Pse gjatë procesit të ndarjes së “kulaçit” nuk menduan se sa numra  do t’u mbesin në Kuvend?  Roli i numrave në Kuvend është i pa tej kalueshëm për iniciativat serioze të qeverisë. Sa do që të mbaj takime pune qeveria  assesi nuk mund ta lë në “ hije” rëndësinë dhe fuqinë që ka  Kuvendi i Kosovës. Ecja pa Kuvendin është ecje drejt fundit të qeverie. Pa mbështetjen e Kuvendit të Kosovës nuk mund të kalojnë agjendat e qeverisë në fushën e ligjeve, politikës , ekonomisë, sigurisë  etj. Takimet e qeverisë pa numrat në Kuvend janë takime së koti.  Një fjalë e urtë populli thuhet sikur “ me rrah ujë në hava”.

Pse po mungojnë numrat, pyetje që nuk po marrim përgjigje ende  nga të papërgjegjshmit? Koalicioni PANAL në vrapin  për të marrë  poste bëri vetëvrasje politike dhe strategjike. Humbi numrat në Kuvend. Flitet edhe për teori konspirative se kinse dikush nga brenda “ka parapa një situatë të tillë ”.  A mos është ndonjë paralajmërim disiplinimi  për  kryeministrit Haradinaj që  ai “ ta redaktoj”  gjuhën dhe misionin e tij qeverisës deri në atë masë sa  që  të mos shqetësoj “bosët  e  krimit dhe korrupsionit” që gjenden brenda koalicionit?! Por ajo që dihet është se ky koalicion mund të shembet edhe para se me hy në dimër. Ky koalicion është krijuar me ambiciet personale të politikanëve dhe do të shkatërrohet pikërisht nga ato ambicie. Vetëm sa  vonon se shpëtim nuk ka!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat