Makinacionet antishqiptare të Qeverisë së Serbisë ndaj komunës së Preshevës

Opinione

Makinacionet antishqiptare të Qeverisë së Serbisë ndaj komunës së Preshevës

Më: 21 shtator 2017 Në ora: 23:46
Nehat Hyseni

Premierja e Serbisë, Ana Bërnabiq, është fajtore kryesore  për rrëmujën dhe destabilitetin e krijuar politik në komunën e Preshevës.

Si vegël politike e SNS-it të Presidentit Aleksandar Vuçiq, ajo është shndërruar në avokate të APN-së së Shqiprim Arifit në Preshevë, duke e imponuar në mënyrë të papranueshme diktatin politik të Beogradit në komunën Preshevës.

Diskriminim joligjor e antishqiptar

Ky vendim makabër e plangprishës i Qeverisë së Serbisë është thellësisht antishqiptar dhe joligjor dhe në mënyrë barbare ka shkelur paturpësisht moralin politik dhe parimet themelore të demokracisë, shtetit juridik dhe sundimit të së drejtës.

Në pyetjet direkte të gazetarëve  (më 20 shtator) reth skandalit politik antishqiptar dhe vendimit antiligjor  të Qeverisë Serbisë, të 15 shtatorit 2017, për emërimin skandaloz të Shqiprim Arifit kryetar dhe anëtarëve të Organit të Përkohshëm në komunën e Preshevës, për përgatitjen e zgjedhjeve të jashtëzakonëshme lokale, pas shpërbërjes së Kuvendit Komunal të Preshevës. 

Në këtë OP emërohet edhe një anëtar i APN-së (11) dhe njëri nga SNS-i, dmth i partisë së Vuçiqit, që nuk kishte asnjë këshilltar në kuvendin komunal, duke e diskriminuar shumicën prej 27 këshilltarve shqiptarë nga PDSH dhe PVD.

Metodat Millosheviqiane

Me këtë veprim diskriminues, Qeveria e Serbisë ka vepruar sikur regjimi fashist i Sllobodan Millosheviqit gjatë viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar në Kosovë, kur kuadrot serbe zgjidheshin me 5% të votave (serbe), që "përfaqësonin" shumicën (shqiptare) prej 95% të popullatës së Kosovës.

"Shqiptarët e ndershëm"

Kurse, APN e Shqiprim Arifit dhe SNS-i i Vuçiqit përbëjnë pakicën prej vetëm 23%, kundrejt 77% që i kanë PDSH dhe PVD. 

Për këtë arsye, në Preshevë Shqiprim Arifin kanë filluar ta quajnë "Sejdo Bajramoviq", kurse udhëheqësinë e APN-së si lojale ndaj SNS-it, ose si "shqiptarë të ndershëm", gjithashtu si term i përdorur nga regjimi i Millosheviqit, për shqiptarët të cilët asokohe ishin rrjeshtuar në krah të regjimit antishqiptar e gjenocidal të asaj kohe, që solli deri tek luftërat e përgjakëshme dhe intervenimi i NATO-s.

Josinqeriteti dhe të pavërtetat e premieres

"Ne kemi qenë të obliguar që t'i vendosim Masat e Përkohëshme dhe shpresoj se kjo do të rregullohet me zgjedhjet lokale konform asaj çka qytetarët e Preshevës realisht dëshirojnë", përgjigjet premierja Bërnabiq në pyetjet e gazetarëve.

Kurse, atë që "realisht dëshirojnë" qytetarët e komunës së Preshevës e kanë shprehur me votë në zgjedhjet lokale të 24 prillit 2017 dhe shumica prej 77% është diskriminuar nga pakica prej 13%, me këtë vendim diskriminues, antiligjor dhe tmerrësisht antishqiptar e anticivilizues dhe të papranueshëm të Qeverisë së Serbisë.

Ndërkaq, deklarimi i premieres se "Qeveria nuk përzihet" në punët e Kuvendit të Komunës së Preshevës, mjerisht, paraqet një të pavërtetë dhe gënjeshtër të kulluar.

Imponim flagrant i Beogradit

Qeveria e Serbisë është përzier në mënyrë flagrante, madje është implikuar si është më keq, në mënyrë të palejueshme e skandaloze dhe ka hedhur zjarr, duke e destabilizuar skajshmërisht situatën dhe stabilitetin politik në këtë komunë me shumicë shqiptare.

Protesta gjithëpopullore

Gjatë ditëve të ardhëshme, sipas deklaratave të kryetares Ardita Sinani, të shkarkuar padrejtësisht nga Qeveria e Serbisë dhe nga premierja Ana Bërnabiq, se janë shkaktuar pakënaqësi të mëdha dhe se do të organizohen protesta e revoltë gjithëpopullore, kundër këtyre makinacioneve antishqiptare të Beogradit dhe kundër servilizmit të turpshëm të APN-së dhe Shqiprim Arifit.

Me këtë vendim skandaloz, Qeveria e Serbisë dëshmon vazhdimësinë e politikës diskriminuese ndaj komunës së Preshevës, që është me popullsi shumicë shqiptare, me metodat  të aplikuara dhe me makinacione të përdorura në kohën e regjimit të Millosheviqit, si dhe me qasjen sipas ideologjisë dhe retorikës antishqiptare të Vojisllav Sheshelit, të cilët përfunduan në Gjykatën e Hagës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat