Shqiptarët në Maqedoni të rreshtohen me forcat politike properëndimore

Opinione

Shqiptarët në Maqedoni të rreshtohen me forcat politike properëndimore

Nga: Abdulla Mehmeti Më: 22 shtator 2017 Në ora: 17:35
Abdulla Mehmeti

Çka duhet të dinë qytetarët dhe votuesit shqiptarë në Maqedoni, në lidhje me zgjedhjet vendore të 15 tetorit të këtij viti?

Kësaj radhe, beteja kryesore në Maqedoni mes dy koalicioneve më të mëdha partiake, të udhëhequra nga LSDM dhe OBRM-PDUKM, nuk është vetëm lufta për pushtet, por për dominim të ndikimit serb dhe rus, në njërën anë, si dhe të orientimit properëndimor e euroatlantik, në anën tjetër.

Ju them me sinqeritetin më të madh, siç nuk ua kanë thënë të tjerët deri më sot, se është koha kur nuk duhet të ngrihen pa nevojë çështje politike dytësore e të parëndësishme, të cilat mund të presin për pak kohë, edhe pse ato është dashur të zgjidhen me kohë dhe nuk janë zgjidhur, me fajin më të madh të vetë neve dhe të udhëheqësve të partive politike që i kanë përfaqësuar shqiptarët në këtë shtet me demokraci të brishtë.

Ju them hapur se, deri më sot asnjëri nga blloqet e mëdha të këtyre partive politike, të udhëhequra nga LSDM dhe OBRM-PDUKM, nuk kanë treguar interesimin më të vogël për realizimin e të drejtave kolektive të popullit shqiptar në këtë shtet; sa herë kanë ardhur në pushtet, këto koalicione dhe parti kanë manipuluar me vullnetin politik të qytetarëve, kanë abuzuar me institucionet e shtetit, i kanë plaçkitur qytetarët dhe e kanë vjedhur pasurinë e shtetit, si me procesin e privatizimit nën qeverisjen e LSDM-së, ashtu edhe me vjedhjen e pasurisë së shtetit, kriminalizimin e shoqërisë dhe të institucioneve të pushtetit në këtë shtet, nën qeverisjen e OBRM-PDUKM; se asnjëra nga këto parti nuk ka hezituar për realizimin e projekteve antishqiptare, duke i shkelur të drejtat dhe liritë e tij më themelore, për aq më keq, duke i përgjakur shqiptarët sa herë i kanë urdhëruar ,,shefat" e tyre nga Beogradi dhe Moska.

Kjo politikë nuk do të mbetet pa sqaruar, hulumtuar, rishqyrtuar dhe dënuar, por kohët tanimë kanë ndryshuar dhe ne duhet të jemi të vetëdijshëm për situatën e re të krijuar pas zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe me krijimin e qeverisë së re reformuese, e cila ka mbështetje të plotë nga Brukseli dhe Uashingtoni, prandaj duhet të ketë edhe mbështetjen e shqiptarëve, sigurisht që jo pa kushte. Kushtet tona tanimë dihen dhe janë deklaruar hapur edhe para opinionit vendës edhe para faktorit ndërkombëtar.

Shqiptarët në Maqedoni duhet të jenë më vigjilentë se kurrë, në cilin krah të kësaj beteje të madhe do të rreshtohen kësaj radhe. Kjo është beteja kryesore politike që duhet të fitohet në interes edhe të aspiratave tona kombëtare, pavarësisht se kush në radhët e cilës parti politike të shqiptarëve është i rreshtuar.

Çështjet tjera të hapura do të zgjidhen shumë lehtë, jo në një të ardhme të largët, por menjëherë pas triumfit në këtë betejë. Kësaj radhe do të jetë mençuri politike të mos shikohen ngjyrat partiake, kandidatët, por opsioni properëndimor, nga është i orientuar me kohë kombi shqiptar, me pak përjashtime të disa forcave reaksionere me orientim antikombëtar, proserb dhe prorus.

Këtë ua kemi borxh t'ua sqarojmë qytetarëve tanë, përmes mediave, në tubime, debate dhe kudo në ndeja të zakonshme. Ta mbrojmë interesin kombëtar, kësaj radhe mbi interesat partiake, grupore dhe individuale, se koha nuk na pret!

Të gjitha forcat politike në Maqedoni, pavarësisht nga përkatësia etnike e tyre, të cilat janë me orientim të njëjtë properëndimor, me synim për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, janë interesi ynë, aleatët tanë, partnerë në rrugën tonë për çlirim, liri dhe barazi mes popujve të vendit dhe rajonit; janë forca politike të cilave ne shqiptarët duhet t'u japim krah si popull, jo vetëm si pjesëtarë të partive politike dhe si qytetarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat