Merkel – ose konstante në zenit!

Opinione

Merkel – ose konstante në zenit!

Nga: Dr. Mirela Oktrova Më: 23 shtator 2017 Në ora: 10:32
Dr. Mirela Oktrova

Zgjedhjet e nesërme në Gjermani pritet të rikonfirmojnë mandatin qeverisës të Bashkimit Kristiandemokrat-Kristiansocial dhe Angela Merkel në postin e kancelares federale. Pakontestueshmëria e gjatë e Angela Merkel me gjithë luhatjet e përkohshme të lidhura me krizën e refugjatëve duket se lidhet para së gjithash me reputacionin që ajo gëzon jashtë partisë së vet. Kështu, të Gjelbrit, kundërshtarët tradicionalë të konservatorëve gjermanë, të cilëve u takon Merkel, janë të kënaqur me të: ajo bëri realitet kërkesat e tyre të përjetshme: i dha fund shfrytëzimit të energjisë bërthamore dhe hapi dyert për refugjatët dhe azilkërkuesit. Edhe Sigmar Gabriel, ish-kryetar i Partisë Socialdemokrate dhe ministër i Jashtëm, partia e të cilit është i dëmtuari politik afatgjatë i Koalicionit të Madh, shprehet pozitivisht për kancelaren: “Gjithnjë e drejtë, gjithnjë e durueshme”, e karakterizoi ai atë në seancën e fundit të Bundestagut në prag të zgjedhjeve pasardhëse. Shkurt Angela Merkel ka bërë për vete kundërshtarët ose u ka hequr atyre argumentet. Një zhvillim mbase logjik, ndonëse jo fort i pritshëm i personalitetit të ndrojtur, me të cilin ajo iu shfaq botës dymbëdhjetë vjet më parë.

Në konferencën e parë për shtyp pas marrëveshjes së koalicionit të 2005-s, Merkel – ende e pamësuar me pozicionin – mezi arrinte ta fshihte një lloj hutimi, që nuk ishte as pasojë e negociatave disajavore të koalicionit dhe as pasiguri për pozicionin e vet. Politikania nuk e besonte ende, se sapo kishte realizuar ëndrrën e jetës së saj. Dhe s‘ishte e vetmja. Opinioni publik gjerman kish kohë që ndiqte me habi ngjitjen konstante të karrierës së saj pavarësisht gjithçkaje. Se personaliteti i Angela Merkel ngërthente të gjitha mangësitë e dukshme, që mund të ofrojë profili i një politikani karriere: grua, lindore, pa fëmijë, josimpatike, joelegante, pa shije dhe me një ndrojtje të lexueshme ndaj mediave. Për analistët gjermanë, Merkel simbolizonte realizimin e së pamundurës në karrierën politike, një model sui generis – në kushte të tjera krejtësisht i papajtueshëm me parametrat e demokracive mediatike moderne. Suksesi i saj disi i pashpjegueshëm mbetet edhe sot verifikues për parametrat e vlerësimit të politikës dhe politikanëve modernë: a kemi të bëjmë vallë me një sistem të gabuar vlerash, apo Angela Merkel është një fenomen unik, dobësitë e dukshme të të cilit janë në fakt përparësitë e tij të padukshme?

Përgjigjen e kësaj pyetjeje e jep vetë karriera politike e fizikanes 63-vjeçare nga RDGJ, ora e fatit të së cilës përkon me orën “zero” të ndërrimit të sistemeve. Si gjithë politikanët e tranzicionit, Angela Merkel ka nuhatje për momentin strategjik, guxim për të filluar nga e para dhe besim të patundur në vetvete: është konsekuente, di çfarë do dhe fati – për çudi apo për meritë – nuk mungon ta shpërblejë për këtë. Ndaj karriera e saj ka njohur vetëm ngjitje. Në tetë vjetët e pjesëmarrjes në qeverinë Kohl, ajo u përshtat shpejt në rolin e ministres federale, ku zhvilloi aftësinë për të vepruar në kohën e duhur. Në një kohë, kur brezi i ri i politikanëve kristiandemokratë mendonte të bënte karrierë me luajalitet ndaj Kohlit, Merkel ishte e vetmja, që e kuptoi, se pas skandalit të donacioneve partiake, rruga e karrierës ishte rruga e pozicionit kundër mentorit të saj. Po shahu, që i garantoi kreun e Partisë dhe postin e kancelarit, e bëri atë njëkohësisht objekt mallkimi të të gjithë atyre, mbi rrënojat e karrierave të të cilëve u ngrit suksesi i saj. Pasiguria e saj, e lexueshme në takimet dhe deklaratat e para publike si kancelare buronte para së gjithash nga mungesa e mbështetjes brenda partisë së vet, jo gjithnjë e formuluar, por vazhdimisht e nënshtresuar: si gjermanolindore, i vihej në dyshim aftësia e përfaqësimit të mendësisë perëndimore, si protestante – përfaqësimi i katolikëve konservatorë, si femër – aftësia për t’iu imponuar botës mashkullore dhe feminiliteti, si grua pa fëmijë – përfaqësimi i interesave të nënave dhe familjeve.

Fati e deshi, që Agjenda 2010, që hodhi nga pushteti Gerhard Schrëder, t’i vlente Merkel si parashutë sigurie në krizat e shekullit të ri. Përtej kësaj ajo mbetet edhe sot një fenomen i veçantë: nuk sjell në politikë asgjë femërore, se kjo nuk përputhet me personalitetin e saj dhe asgjë revolucionare, se kjo nuk përputhet me bindjet e saj. Ende dhe sot, Merkel nuk përfaqëson as interesat e gjermanolindorëve – ajo bën kujdes, të mos e tematizojë prejardhjen e vet nga Lindja për të mos u larguar nga perëndimorët, ndonëse nuk e mohon atë për të mos u distancuar nga lindorët. Profili i saj në post bazohet më tepër në një tërësi cilësish antropologjike, sesa në një platformë të mirëstrukturuar politike. Asaj thuhet, se i duhet kohë për të marrë vendime, ndonëse s’i mungon vendosmëria për t’i mbrojtur ato deri në fund. Po ajo që te të tjerët do të shihej si hezitim, tek ajo perceptohet si pjekuri dhe gjen përkrahje. Ndaj Merkel s’ka nevojë ta reklamojë veten. Katër vjet më parë mjaftoi një: “Ju më njihni!”, ndërsa sivjet nuk la përshtypje të keqe as dueli televiziv me konkurrentin, i menaxhuar si “duet”. Merkel me sa duket do ta fitojë edhe mandatin e katërt. Sipas demoskopëve, epërsia e saj është kaq evidente, sa zgjedhjet duken thjesht formalitet. Ndonëse thuhet, se ajo e peshoi gjatë rikandidimin. Dhe pati jo pak arsye pro – nga të cilat vera e vitit 2015, e cila thuajse i kushtoi postin, për shkak të tronditjes politike, që shkaktoi kriza e refugjatëve nga Siria, mendohet të ketë pasur peshë decizive. Po analistët shohin megjithatë si motiv për kandidimin e katërt të Merkelit zhvillimet në politikën ndërkombëtare: Trump, Brexit, kriza në BE, populizmi i djathtë, Putin, Erdogan etj. Merkel njihet si njeri racional dhe për rrjedhojë, si pol qetësie në kohë të trazuara. Ndaj New York Times e cilësonte atë së fundi edhe si “mbrojtësen e fundit të fuqishme të Europës”, duke i dhënë mandatit të saj të katërt eventual karakter misioni dhe figurës së saj tisin e një “zonje vërtet të hekurt”..

Ndonëse Angela Merkel jep pak dorë krahasimi me ish-kryeministren britanike, Margret Thatcher, nga e cila e ndan sa nami “i hekurt” – të cilin më shumë po ia veshin të tjerët, se sa po e fiton mandat pas mandati – aq edhe mungesa e hirit prej “zonje”, personalitetet e tyre i bashkon këmbëngulja dhe vullneti për punë. “E hekurta” britanike nuk pohonte kot, se “nëse doni të flisni për diçka, drejtojuni një burri, po nëse doni që të arrini diçka, drejtojuni një gruaje”.

A është Angela Merkel personi i përshtatshëm për vërtetimin e kësaj maksime?

Marrëdhënia e saj fillimisht e çalë me mediat, nuk fliste në të mirë të aftësisë së saj për të thënë, po rruga konsekuente e karrierës së saj pavarësisht gjithçkaje dhe imponimi shumëplanësh brenda dhe jashtë vendit flet në favor të aftësisë së saj për të bërë. Merkel është gruaja e parë gjermane, e cila nga çasti “zero” ia doli të arrinte kreun e një shteti vetëm me vlera njerëzore dhe profesionale – pa hijeshi, pa shije, pa koketeri, pa ndjenja mëmësie, pa emocion dhe në një masë të madhe pa mbështetje.

Dhe ta mbajë atë!

Si simboli i politikanes, që është konstante edhe në zenit!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat