Apeli i Vetëvendosjes

Opinione

Apeli i Vetëvendosjes

Nga: Lis Bukuroca Më: 23 shtator 2017 Në ora: 16:21
Lis Bukuroca

Edi Rama bëri një gabim dhe rrezikoi jo aq veten, sa kishte mundësi të rrezikonte interesat shqiptare. Atë gabim e përmirësoi disi dhe sigurisht ka mbledhur mend se as për nga interesi nacional, as për nga fuqia ekonomike, as për nga madhësia e shtetit, as për nga dija, nuk i jep askush atë të drejtë, të jap leksione votuesve jashtë Shqipërisë.

E bëri edhe Erdogani. Ky kërkoi të mos votohet partitë kryesore gjermane, por nuk kundërshtoi AfD-në. Kjo parti, për të cilën sot thuhet se do të jetë forca e tretë, me diku 11%, është në interes të Erdoganit dhe Putinit. Këta dy të fundit duan shpërbërjen e BE-së, kështu të papenguar do të krijonin sfera ndikimi, pra, koloni të reja. Me BE-në me mbi gjysmë miliardi banorë dhe fuqi të madhe ekonomike, Erdogani mbetet siklet periferie, por as hegjemonia ruse nuk mund të rritet, përkundrazi.

Në biseda me gjermanët,por edhe në media, ndërhyrja e Erdogani u përjetuaohej si përzierje e pasurrat në politikënbërjen gjermane. Në mënyrë revoltuese u shprehën partitë kryesore të vendit. Erdogani me atë kërkesë arrogante, ndihmonte AfD-në, por edhe me një synim për të krijuar nga turqit një kolonë të pestë, një lukuni që mund të drejtohet jo nga vendi, ku jeton dhe ku përjeton vlerat demokratike më të mira se në Turqi, por që mund të manipulohet nga autokrat, i cili banon në një pallat me 1.000 dhoma. Erdogani dëmtoi turqit sepse nëse veprojnë si dëshiron ai, turqit do të humbnin simpatinë dhe perceptohen me skepticizëm, madje edhe si të rrezikshëm. Për këtë është kujdesur kryeministri turk, kur kërcënonte Europën me luftë qytetare.

Tani iu drejtua  nënshtetësve gjermanë VV. VV konsideruaka veten parti simotër të socialdemokratëve gjermanë. Në fakt, SPD, nuk ka asgjë të përbashkët me VV-në. Ndoshta në programe, por jo në veprime. Në veprime VV vështrohet si parti e majtë ekstreme, madje as jo si “Die Linke.”

VV ka afri me partinë që kërkon të mos votohet, AfD. Kjo parti ka anëtar brenda vetes që urrejnë hebrenjtë. Njerëz të tillë ka edhe VV. AfD ka ekstremistë të djathë brenda vetes. VV ka ekstremistë të majtë e të djathtë. AfD mund të ketë brenda vetes të krishterë radikalë. VV ka islamistë radikalë. AfD kërcënohet me fjalë, VV me gurë dhe me gaz. AfD nuk ka anëtarë të burgosur, VV ka nën akuzë disa dhe ka rrezikuar edhe jetën e anëtarëve.  Vizioni i AfD mund të jetë fashist, vizioni i VV duket revolucionar, stalinist.

SPD nuk ka asgjë me Stalinin. SPD nuk përpiqet të realizojë qëllimet e saja me bomba rrënim dhe sulme, por në Kuvend. SPD është parti që ruan interesat dhe imazhin gjerman. SPD është parti qytetare, VV tani nuk kuptohet më. Ka humbur profilin si LDK, si PDK dhe klanet tjera poltike.

VV ishte parti alternative, por tani për vota, po shkërben PDK-në dhe LDK-në. Nuk është aq me rëndësi orientimi ideologjik i një anëtar, ose kandidati, por me rëndësi është a mund të fitohen vota më shumë.

VV ka keqkuptuar dhe keqinterpretuar votën e popullit. Populli ka njohuri të qarta për skenën politike. Ai nuk votoi VV-në pse ka njohuri të mëdha, pse ka programe të realizueshme, pse ka shumë ekspertë në parti për ta nxjerrë Kosovën nga fundi i pusit dhe nga gardhi i jashtëm, populli votoi VV-në nga zhgënjimi i madh, historik. Zhgënjimi i përmasave mitike! Ai votoi për politikë të pastër dhe me shpresa se arreston të gjithë hajnat dhe pastron Kosovën nga rrugaçët dhe kriminelët në politikë dhe, kishte edhe një shpresë, se VV prish kontratat për ndërmarrjet e shitura në mënyrë mafioze. Nëse dëshiron vota të ekstremistëve islamikë, ato mund t’i fitojë, por do të humbë vota tjera, si dhe imazhin në Europë, i cili natyrisht mund të rikompensohet në Lindje.

Në Europë nuk mund të bëhet karrierë me antisemitizëm, në vendet e Lindjes, po! Kristalizoni orientimin dhe ideologjinë! Nuk keni të pasme për dy karrige! Populli ju votoi për orientim të qartë, sepse PDK dhe LDK nuk kuptoheshin më. Tani edhe ju vazhdoni rrugën e tyre!

VV ka qenë parti e majtë, sot ka brenda saj salafistë antisemitë dhe me njerëz të tillë, ajo parti, edhe nëse fiton shumicën, nuk mund të qeverisë vendin. Nuk do t’i lejohej. VV po pengon vetveten. Po rrënon shpresën e fundit. VV ndoshta po përpiqet të lidhë marrëdhënie me SPD, duke shpresuar se përfiton përkrahjen e saj, por parë nga ajo parti, VV nuk është parti e majtë, por e ekstremit të majtë me një anëtarësi heterogjene karrieristësh agresiv. Anketat thonë sot se SPD fiton 22 për qind, pra 10 më pak se zonja Merkel. Me këtë fletërrufe -  meqenëse keni përcjellë gjendjen dhe mund të merrni me mend  rezultatin e zgjedhjeve - çfarë dreqi shaloni që ngulni këmbë për t’i prishu marrëdhëniet me Merkelin?  Domethënë, VV me vetëdije të plotë hidhet në anën e humbësit dhe kështu, dëmton vetveten në marrjen e pushtetit.  

Të kritikosh veprimet e paarsyeshme të një partie, dmth. të ndihmosh në këndelljen e saj.  VV pas fitores duket në delir dhe i lejon vetes atë që nuk ia lejon Italia.

Veprimin e vet mund ta kuptojë mirë VV, nëse nesër Qeveria gjermane u bën apel shqiptarëve të mos votohet VV, sepse mund të pengohet integrimi i Kosovës në BE. Atëherë këtë burracakëri të ndonjë shamani, që ka shkruar atë tekst, do ta kuptojnë edhe këta që sot irritohen, pse kundërshtohet, jo pe u shkrua komunikata. Një numër i tyre ndjehen të sulmuar personalisht, nëse u tregohet budallallëku i partisë.

Sjelljet e VV po ia mbushin mendjen Perëndimit se më mirë është të përkrahen mafiozët në Kosovë, se sa një parti me një integritet laraman. Anëtarët e saj janë të pezmatuar, të alarmuar. Ata janë edhe në gazep sepse shpesh veprimet nuk janë në linjën e VV, por përpiqen të mbrojnë atë që  nuk mbrohet, si edhe me islamistin radikal. Një njeri si ky i fundit, jo se nuk duhej kandiduar, por duhej përjashtuar nga partia, por VV nuk e bën. Kërkimi i faljes nuk është bërë ngase nuk pajtohen me qëndrimin pro kalifatit, por nga presioni i jashtëm. Anëtarët e VV-së janë në gazep çdo javë të përligjin qëndrime që as ata vet nuk mbështesin.

VV nuk po qortohet pse veproi mirë, por pse veproi keq. Njeriu kritikon nga zhgënjimi, ose tallet nga gëzimi. Komunikata e VV nuk ishte për tallje, por për keqardhje. Shqiptarët në Gjermani janë të arsimuar mirë, sa nuk mund askush të konsideroj ata kope. Apeli është degradim i vullnetit të lirë të tyre. Mosbesim ndaj aftësive të tyre e pastaj, numri i jonë është aq simbolik në vendin me 82 milionë banorë, sa apeli del qesharak, prej trazovaçi, prej zavraku, meskinë dhe rrahagjoks. Edhe sikur të gjithë shqiptarët me shtetësi të votonin partinë që u rekomandohet, nuk do të ndikonte as një për qind në rezultat. Ju dini këtë, ose duhet tani, nëse nuk e dini! Nëse e dini, atëherë kujt i duhej kopjimi i Erdoganit? Ndoshta nuk ishte flirti me partinë simotër, por ishte detyrim ndaj Erdoganit dhe mesazhi i dërgohet atij. Komunikata tregon se VV ka nisur të mbivlersojë veten. Kjo nuk është mirë për një parti që synon pushtetin.

VV me po dëmton vetveten dhe po zhduk shpresat.  Ky është zhgënjimi i radhës! Dhe, ne kemi drejtë të revoltohemi sepse ishte shpresa e fundit. Sepse ideologjia e saj para disa viteve, ishte thjeshtë shqiptare, sot nuk kuptohet më. Jo me fajin tonë, por me veprat e saja. Dhe, nëse vazhdojnë të prodhojnë budallallëqe, në zgjedhjet e ardhshme do t’i kthejë gravitacioni aty ku ishin! Të dëshpëruar do të jemi ne dhe ata! Për fat të keq!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat