Pronarët e Partisë Demokratike janë anëtarët e saj

Opinione

Pronarët e Partisë Demokratike janë anëtarët e saj

Nga: Flamur L. Hoxha Më: 24 shtator 2017 Në ora: 08:35
Flamur L. Hoxha

Dilema që kemi sot, nga unë lexohet si e tillë: të fitosh demokratët e tronditur e të zhgënjyer, të përbuzur prej zyrtarëve të tyre, të partisë së tyre, apo të mbash ata që u konsumuan egër, ata që shpesh kujtuan se janë pronarë të Partisë Demokratike.
 
Analizën që po duam në Partinë Demokratike më mirë se kushdo e bëjnë ata që takuam një për një në fushatën e fundit elektorale, ata që nuk i trembi frika e presioni, ata që nuk i joshi privilegji e paraja (edhe pse me pjatë bosh e halle plot), ata që nuk i nenshtroi varfëria e nevoja.  Thjeshtë janë ata që dinë shumë e më shumë se ne, pasi kanë mbi 26 vite që thonë ballëlartë, duke të parë në sy “Jemi me Partinë Demokratike’’.
 
Sot më mirë se kushdo analizën e humbjeve e bëjnë demokratët – njerëzit e thjeshtë, pronarët e saj (të PD), të Shtëpisë së Lirisë së Shqiptarëve, pa qenë të mëdhenj, pa e braktisur kurrë atë, pa zhurmë, pa shpërblime, pa dalë në media e gazeta, por duke kërkuar për të ndjekur pas dhe besuar atë që ata duan të zgjedhur prej tyre, ata thërrasin sot sfidën e madhe: Të fitosh demokratët dhe të dyfishosh elektoratin apo të mbash afër konsumatorët e moralit, të pushtetit, të frikacakëve së përballjes me elektoratin. Besoj se për të gjithë kjo zgjedhja e parë është e vetmja që duan antarët e Partisë Demokratike.
 
Bej atë që duhet bërë, zoti Basha, zgjidh dhe mblidh rreth vetes ata që ofrohen për të dhënë e jo për të marrë, ata që kanë pushtetin e moralin, ata që e kanë dashur dhe e duan cdo ditë Partinë Demokratike, sepse ka plotë, shumë… thjeshtë pyet antarët e saj, ata të cilët me plot krenari dhe dinjitet thonë gjithmonë: ‘’Jemi me Partinë Demokratike’’.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat