Gabimet e Enver Robellit

Opinione

Gabimet e Enver Robellit

Nga: Lis Bukuroca Më: 24 shtator 2017 Në ora: 15:21
Lis Bukuroca

Pas artikullit tim me titull „Apeli i Vetëvendosjes“ publikuar edhe te „Bota Sot“ dhe satirës „Gjermania falënderon Kosovën“, publikuar edhe te „ Fjala e lirë“, si përgjigje më sollën gjashtë herë vështrimin e Enver Robellit me titull: „Pa të majtën Europiane Kosova nuk do t’ishte çliruar!“Disave u shkrova se artikullin duhet ta lexojnë horizontalisht dhe do të shohin se është ndërtuar mbi premisa të gabuara. Nuk kisha ndërmend të shkruaj duke menduar se ishte një pakujdesi e E. Robellit, domethënë, nuk besoja se e kishte bërë qëllimisht. Nëntitulli i analizës së tij është: “Mbi injorancën e pafundme të Kryeministrit të Kosovës.”

Pse thash se Enver Robelli kishte gabuar?

E para: Unë nuk kam guxim intelektual as të pohoj, e as mundësi kognitive për të dëshmuar rrethana faktike, që do të kishin përjashtuar çlirimin e Kosovës.  Pyetjet retorike apo konstatimet hipotetike, nuk kanë fuqinë e zbërthimit realist, por vërtetojnë vetëm hamendjen, ose bindjen vetjake. Bindjet repetitive nuk janë fakte, por rituale. Unë mendoj se SHBA do të kishte intervenuar, por këtë pohim, nuk mund ta shndërroj në fakt, sepse fragmentet që kanë prodhuar atë sulm, i takojnë historisë. Dua të them se për ngjarjet e përfunduara, nuk mund kurrë të dëshmojmë një të vërtetë tjetër, por E. Robelli ka të drejtë ku nënvizon se e majta dhe të Gjelbërit janë rreshtuar përkrah Clintonit.

E dyta: Pak janë ata shqiptarë që tumirin përzierjen e Serbisë në elektoratin serb në Kosovë. Pse? Sepse ushtrohet pushtet i jashtëm brenda një shteti tjetër. Rekomandimet e Erdoganit u kritikuan ashpër në Gjermani, edhe nga emigrantë turq. Nëse E. Robelli ka përkrahur kërkesën e sulltanit, atëherë është në atë vijë edhe tani me avokatimin, të cilën i ofron VV-së. Nëse ka kundërshtuar ndërhyrjen e Erdoganit, atëherë duhej ta bënte edhe kundër VV-së.

E treta: Apelet nga jashtë ndikojnë në përforcimin e partisë radikale AfD. Asaj do t’i observohen fakte se emigrantët nuk integrohen,  se janë kundër shtetit gjerman dhe se vendi mund të destabilizohet nga jashtë. Kjo mund të ndikojë në mirëqenien e të huajve, në punësim, në shkollim etj. dhe të shihen me skepticizëm. Në Zvicër jetojnë mbi 300.000 gjermanë. Nëse qeveria gjermane bën apel për të votuar këtë apo atë parti, mund të ndikojnë në fatin e politikave zvicerane.  Në rast të tillë, gjermanët do të perceptoheshin si faktor hegjemonist.

E  katërta: Më herët shumë prej nesh kemi kritikuar Edi Ramën lidhur me mendimin e tij për Trumpin. Artikulli im publikuar edhe te gazeta “Sot” kundërshton Ramën si edhe i E. Robellit me titull “ Ju prezantojmë analistin e ri të ngjarjeve botërore: Edi Rama!” Parimisht duhej kritikuar edhe politikanët shqiptarë, që shpërndajnë rekomandime të tilla, thua se emigrantët shqiptarë janë aq dudukë, aq të cekët, aq të paditur, sa në vendin ku jetojnë, nuk dinë  cilin të votojnë, por presin udhëzime nga ata që nuk jetojnë në Gjermani. Qytetarët shqiptarë  janë një shtresë e arsimuar mirë! Shumë herë më të shkolluar se elita politike atje.

E pesta: Artikulli i Robellit është ndërtuar mbi pseudofakte. Një fakt duron vështrimin dhe zbërthim deri në fund. Shembujt e numëruar prej tij, që përligjin intervenimin e Albinit,  janë sipërfaqësore dhe nuk i rezistojnë asnjë shqyrtimi serioz. Do të numërohen më poshtë.

Citat: “Nëse dikush gjen në komunikatën e VV-së një fjalë të vetme që sugjeron që kosovarët të votojnë kundër partisë së kancelares Angela Merkel, atëherë le të lajmërohet për të marrë një dhuratë.” Enver Robelli.

Në rendin demokratik nuk ekziston mundësi për të votuar “Kundër”, por vetëm “Për”. Duke votuar për një parti, vetvetiu përjashtohen tjetra. Komunikata e VV-së duke rekomanduar SPD-në, Martin Schulzin si kandidat i saj, përjashton CDU-në Angela Merkelin, si kandidate.  

E gjashta: Me cilat argumente justifikon ai kërkesën e VV-së?  
Citat: ”Nëse VV ka bërë ndonjë mëkat me apelin e saj të fundit, atëherë edhe CDU e Merkelit ka bërë të njëjtën gjë. CDU si parti konservatore që është, në Kroaci e mbështet HDZ-në dhe jo socialdemokratët, por SDP - ja kroate përkrahet nga SPD-ja gjermane.”  

Këtu gjenden gabimi i Enver Robellit. Krahasim nuk qëndron. Krahasimi nuk është fakt, por pseudofakt. Pse? Sepse është krejtësisht normale të mbështeten partitë simotra në mes vete. Askush nuk ka kundërshtuar atë. Ai edhe në vazhdim numëron shembuj tjerë për t’i dhënë fuqi argumentuese konstatimeve të tija, por nuk do të rreshtohen këtu sepse janë të një natyre si mendimi i lartëcituar.

Për ta pranuar atë mendim si provë përfundimtare, ku nuk mund më asgjë as t’i shtohet, as t’i hiqet, atëherë Enver Robelli është dashur të tregojë sa gjermanë jetojnë në Kroaci. Sa gjermanëve iu drejtua zonja Merkel. Nëse ajo i është drejtuar gjermanëve me nënshtetësi kroate, atëherë mendimi im është i gabuar dhe Robelli ka të drejtë.

Zonja Merkel nuk do t’i drejtohet as gjermanëve në Zvicër, as atyre në Austri për të ushtruar ndikim në politikat e fqinjëve. Ka dallim në esencë, në lartësi dhe shtrirje, kur nëpërmjet emigranteve, bëhet përpjekje për të ushtruar ndikim në politikën e një vendi tjetër. Ky është manipulim me të huajt, për të rritur egon e vet,  siç synon edhe Erdogani. Shembujt e Robellit flasin për mbështetje institucionale, që kanë të majtat apo të djathtat në mes vete. VV nuk i drejtohej gjermanëve si Merkle kroatëve, por i drejtohej shqiptarëve me nënshtetësi gjermane.

Për përfundim, nga mungesa e kohës: Nëse Albin Kurti ka të drejtë dhe kërkesa e tij qenka legjitime, atëherë duhet të ndryshojmë bindjet. Atëherë edhe përzierja e Vuçiqit në Kosovë është thjeshtë normalitet i kohës. Meqenëse unë mendoj se elektorati serb duhet të ndërtojë jetën e vet në Kosovë dhe t’i largohet tutorizmit, atëherë jam i prirë të besoj se apeli i VV -së dhe liderëve tjerë në vazhdim, ishte një budallallëk i llojit të veçantë, sepse në këtë mënyrë, ata kristalizuan të drejtën e Serbisë për të intervenuar në Kosovë nëpërmjet serbëve.

Këto ishin arsyet e mia pse disave që sollën artikullin e Enver Robellit, u shkrova se ai shkrim, pjesërisht është ndërtuar mbi premisa të gabuara dhe ka defekte në strukturë, logjik dhe gjykim.

Lexuesit të vëmendshëm i mbetet të krijojë bindjet e veta. Atij që ka paragjykime nuk i ndihmojnë as faktet, as pseduofaktet. Ai qysh në fillim beson se kush ka të drejtë, sepse besimi përjashton rezonimin dhe të menduarit analitik, respektivisht objektivitetin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat