Pse ende frikësohemi të shprehemi në favor të partive «multietnike»?

Opinione

Pse ende frikësohemi të shprehemi në favor të partive «multietnike»?

Nga: Lirim Begzati Më: 25 shtator 2017 Në ora: 11:53
Lirim Begzati

Në momente të caktura historike të politikës së Maqedonisë, nuk diskutohet aspak fakti se ka qenë gati se e paevitueshme që të mendohet vetëm për parti të ndara, në shërbim të një grupi të caktuar etnik apo nacional. 

Një veprim i tillë, shpesh ka dhënë përshtypjen se partitë politike kanë përcjellur kështu njëfarë rruge në « dy binare paralele, e të ndara », pa mos u « bashkuar » gati se aspak njëri me tjetrin, në përjashtim të rasteve kur janë prekur interesat e ngushta politike apo partiake të dikujtë, përfshirë këtu edhe rastet e domosdoshmërisë së bashkëqeverisjes gati se të imponuar !

Nën hijen e një konfiguracioni të tillë, nuk është një rastësi pastaj që edhe debatet të fokusohen në çështje që kanë më tepër të bëjnë me rivalitete etnike apo nacionale, me konfrontime të ashpra ndërpartiake, me fajësitë « mbrendapartiake » e kështu me rradhë !

Sa atraktive duken sot debatet mbi ate se kush ka qenë më tepër patriot, e kush më tepër tradhëtar, kush e ka shkatërruar këte apo ate parti, e kush është më tepër fajtor e kush më pakë !

Qofshin ato maqedonase apo shqiptare, gati se të gjitha partitë gjinden sot përballë sfidave për me arsyetuar « patriotizmin e dështuar » apo për me iu përballuar pyetjeve për një sërë premtimesh të njëpasnjëshme të dhëna dhe natyrisht të parealizuara sot e kësaj dite !

Në shtetet multietnike, formulat e tilla të funksionimit të pluralizmit politik iu afrohen më tepër logjikave të konfrontimeve të definuara paraprakisht, se sa shpresave për me avancuar interesat e gjithëmbarrshme të vendit.

Pluralizmi i Maqedonisë vuanë pra nga një deficit dhe vështirësi për aplikimin e një formule në përputhje me interesat e politikës që i nevojitet realisht vendit. Edhe shtimi gradual i tendencave të reja politike, duket se e ka shumë më lehtë t’i kopjojë modelet ekzistuese - gjoja se me programe të reja politike - se sa t’i afrohet ndonjë alternative që kërkon një strategji veprimi dhe një kurrajo të një niveli krejtësisht tjetër !

Sot, nëse ka sadopak nevojë të diskutohet për problematikën e këtyre dukurive, aq më tepër do të kishte nevojë për me iu afruar reflektimeve më serioze për promovimin e modeleve të « partive multietnike », dhe mekanizmave që e lehtësojnë këtë, edhe pse jo aq lehtë kjo te na, pasi që ende mbizotrojnë pikëpamje të defetizmit të pafundë !

Pa mos patur nevojë me iu futur analizave se çka u bë dhe se si ndodhën disa procese atipike, procese këto si pasojë të disa « aksidenteve politike » shqiptare, dihet se prezenca e një pjese të popullatës shqiptare në rradhët e një partie maqedonase, i ka dhënë një dinamikë tjetër politikës dhe mënyrës së veprimit të partisë përkatëse, duke lënë pak më tepër anësh një politikë me orjentim të theksuar nacionaliste, siç është rasti i partisë tjetër të madhe maqedonase.  

Kjo nuk mund të mohoet assesi, e nuk mund të diskutohet as ajo se, sa i përket fenomenit të « përzirjeve » në gjirinë e një partie, do të ishte e preferueshme që në dinamikat e mëtutjeshme të integrohet njëfarë optike e reciprocitetit të veprimit, tek të gjitha grupet etnike apo nacionale të vendit.  

Peizazhi i përbërjes multietnike të Zvicrës perëndimore i përngjanë në masë të madhe asaj të Maqedonisë perëndimore. Modeli zvicran, jo vetëm për çështjen e decentralizimit, gjuhës, bashkëjetesës multietnike, por edhe për karakterin, « multietnike » të partive politike mund të shërbejë si një burim i padiskutueshëm inspirimi për Maqedoninë.

Në territoret ku bashkëjetojnë komponente të ndryshme etnike të shoqërisë zvicrane, nuk mund të imagjinohet aspak ekzistenca e një partie « monoetnike », e cila në rradhët e saja do të kishte vetëm anëtarë të një grupi etnik.

Vizion ky funksionimi i mbështetur në logjikën se në shtetet multietnike që synojnë ardhmërinë e përbashkët dhe të prosperuar, nuk mund dhe nuk duhet të punohet ndryshe. Përqindjet pjesëmarrëse të një partie reflektojnë shpesh edhe përqindjen e prezencës së grupeve të ndryshme etnike në hapësirën e caktuar territoriale.

E gjithë kjo i shkon përshtati edhe formulës, sipas së cilës, njerëzit jetojnë « njëri me tjetrin » e jo vetëm « njëri pranë tjetrit ». Interesat e ngushta të një grupi të caktuar bashkëdiskutohen në kuadër të një bashkëjetese dhe bashkëveprimi, përmes privilegjimit të kompromiseve të ndërsjella.

Janë pikërisht praktikat e tilla, ata të cilat i’a japin krenarinë këtij shteti. Po të mos kishte vepruar kësisojë Zvicra, nuk do të ishte aty ku është sot ! Bile, do të kishte me siguri disa telashe që do t’iu përngjanin atyre që i vërejmë te na, në Maqedoni!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat