Istikamet fetare përballë Ziadin Selës

Opinione

Istikamet fetare përballë Ziadin Selës

Nga: Azem Parllaku Më: 2 tetor 2017 Në ora: 13:53
Ziadin Sela

Si ndjekës i filozofisë politike të, Arbën Xhaferit, Dr. Ziadin Sela, u ka mbetur besnik parimeve të tij, që janë kërkesat esenciale të shumicës. Ndryshe nga politikanët e tjerë shqiptarë të Maqedonisë, Sela, e ndërtoi profilin e tij me pragmatizëm, pakorruptueshmëri materiale e ideore, pa shovinizëm, dhe me një retorikë të ashpër, por të drejtë dhe të guximshme. Dr. Ziadin Sela, përgjatë këtij viti dhe vitin e kaluar, ka spikatur si udhëheqësi më elokuent, më mendjehollë, patriot, e ballëhapur, dhe ndërkohë i qartë në përballjen me demagogjinë antishqiptare, racizmin e tentativat e klikës së Gruevskit për të përçarë shqiptarët në Maqedoni dhe për t’i përdorur ata si mish për top në shërbim të mbijetesës së regjimit. Gjithnjë e më shpesh muajve të të fundit, në Shkup është zhvilluar një fushatë shumë e egër ndaj figurës së, Ziadin Selës, dhe Aleancës për Shqiptarët. E gjithë kjo fushatë e koordinuar dhe e sponzorizuar nga VMRO-ja, pse jo, dhe e ndihmuar nga disa politikanë shqiptarë të cilësuar si "Gruevistët", ka synuar t’a paraqesë Selën si ultra-nacionalist dhe radikal, e për rrjedhojë VMRO-ja t'a shfrytëzojë si "ushqim" për mbështetësit e saj protestues. Është e kuptueshme që qarqet antishqiptare në shtetin fqinj, përpiqen që, gjithmonë të kenë një palë shqiptare për konfrontim, me qëllim që, çdo mossukses i veprimtarive shtetërore të paraqitet si krizë ndëretnike. Duke e ditur se Sela konsiderohet si një politikan serioz dhe i vlerësuar nga ndërkombëtarët, fushata anti-Sela në media ka si qëllim t'a paraqesë atë, si politikani i destabilitetit, e në këtë mënyrë të humbasë mbështetja e madhe që, Sela e gëzon tek ndërkombëtarët.

"Ziadin Sela ka fyer dhe ofenduar rëndë sentimentin fetar të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni", shkruanin mediat e financuara nga Katari dhe Turqia. Ziadin Sela, duke folur në emisionin "Zonë e Lirë" të, Arian Çanit, tha vetëm të vërtetën me të cilën ballafaqohen shqiptarët e Maqedonisë. Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, ndërlidhi përkatësinë fetare të shqiptarëve me mungesën e investimeve në fushën e kulturës. Sipas Selës, shqiptarët në Maqedoni janë myslimanë, sepse u mungojnë objekte të tjera kulturore, e jo, sepse kanë zgjedhur vetë, që të jenë të tillë. Ai tha se duke mos pasur salla sporti, teatro, etj, shqiptarëve u mbetet që të shkojnë në xhami. Sela, i cili qartësisht ishte vendosur të përbënte "kokën e turkut" shqiptare, të kasaphanës së 27 prillit 2017 në parlamentin e Maqedonisë, sot anatemohet pse thotë një të vërtetë. Dhe e vërteta është se: Shqiptarët në Maqedoni, janë të diskriminuar në të gjitha sferat e jetës, mungojnë investime në infrastrukturë, e sidomos në kulturë. Kjo është shumë e shprehur, shqiptarët nuk kanë çerdhe, nuk kanë shtëpi kulture, nuk kanë teatro të mjaftueshme dhe shteti nuk u ka dhënë shumë mundësi, teksa xhamitë kanë qenë një shpëtim për shqiptarët, që të mos përfundojnë në burgje.

Si një nga protagonistët kryesorë në skenën e politikës shqiptare, dhe një mbrojtës i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, Sela, njihet dhe si politikani i parë shqiptar në Maqedoni, që ka vënë në praktikë tryezën e dialogut të partive shqiptare në vendin fqinj. Pas largimit të tij nga PDSH-ja e Menduh Thaçit, ai kurrë nuk është parë me sy të mirë nga ish-Kryeministri Gruevski dhe falangat e VMRO-së. Njihet si njeriu që çau PDSH-në, dhe praktikisht hoqi qafe nga skena politike e shqiptarëve të Maqedonisë, një fosil politik si kjo parti shqiptare bisht e zgjatim trupor i VMRO-së, që ishte shndërruar në besnike e strukturave antishqiptare, anti perëndimore, shoviniste, neofashiste dhe filoruse të diktatorit të Maqedonisë. Si ndjekës i filozofisë së, Arbën Xhaferit, cili ishte njëri prej mendimtarëve të rrallë të trevave shqiptare, Ziadin Sela, kërkon të n'a e bëjë të ditur se, çfarë dëmi u shkaktojnë shqiptarëve në Maqedoni, nismat individuale, grupore, ose institucionale. "Bashkëjetojnë stile të ndryshme, klasikja me post-modernen, folklorizmi me modernen, naivizmi me surealizmin, manierizmi oriental me inovacionizmin oksidental, kiçi me estetizmin etj. Kjo dëshmon se kultura jonë ende nuk është e konsoliduar", shprehej kulturologu, politikani dhe mendimtari Arbën Xhaferi. Ndërsa, sot e kësaj dite ende shqiptarët në Maqedoni nuk po kuptojnë rëndësinë e gjithanshme të idesë së shtetit ligjor, standardit për mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut, domosdoshmërinë për verifikim shkencor të gjitha ideve, që janë në funksion të organizimit shoqëror, nxitjen e hulumtimit të fenomeneve dhe përfundimisht rëndësinë e ndarjes së shtetit prej religjionit. J

o pa qëllim, Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, sulmohet nga falangat e ish-Kryeministrit Gruevski, i cili në mënyrë brutale instrumentalizoi, mitin dhe besimin fetar dhe duke shfrytëzuar buxhetin shtetëror, që sipas Kushtetutës duhet të jetë shekullar, ndërtoi kisha e katedrale, jo për ideale, por që të provokojë komunitetin mysliman, që të pozicionohet në istikamet fetare. Kështu, ai një luftë të humbur politike dhe etnike po e bart në terrenin mitik dhe fetar, me shpresë që të dalë fitues. Në vitin 2013, kur Gruevsi ishte kryeministër, Qendra për Civilizim Islamik, një organizatë joqeveritare e përbërë prej "veprimtarëve intelektualë", mundi të blejë njërin prej objekteve më të vjetra osmane, për t'a  rinovuar më pas dhe kthyer në seli të kësaj organizate. E çuditshme, por, në hapjen e kësaj selie mysafir nderi do të ishte vetë presidenti Gjorge Ivanov, famëkeq për lidhjet e tij me VMRO-DPMNE-në. Gjykuar sipas bashkëpunimeve që ka realizuar kjo organizatë, Katari dhe Turqia duket të jenë vendburimet e financave, të cilat, siç mësohet, pasi pranohen, u ndahen organizatave më të vogla që janë në varësi të Qendrës për Civilizim Islamik, duke krijuar në këtë mënyrë një oktapod të frikshëm financiar që përfshin organizata, individë, media të shumta dhe së fundmi, edhe një parti politike. Sot është kjo parti politike, krijesë financiaro-politike mbuluar nën petkun fetar, e sulmon Ziadin Selën, që me të drejtë ngre shqetësimin për mungesën e investimeve në lëmin e kulturës. Madje është i bindur që, lëvizja e tij politike do të mund t'a ndryshojë dhe korrigjojë kodin qytetërues të shqiptarëve. Kjo ide, e ndryshimit të  strukturës mendore është e dëlirë dhe reale, pa atë pretenciozitet, megalomani dhe djallëzi të teorive të tjera. Ky është një dallim strategjik. Sot në të gjitha shtetet e Ballkanit, politikanët kërkojnë ndihmën e faktorit religjioz për legjitimimin e tyre politik, moral dhe partiak. Kjo gjithsesi nuk ndodh në shtetet evropiane. Ndaj shqiptarëve në Maqedoni u kërkohet t'a  europianizojnë veten. Globalizmi, varfëria, mosfunksionimi i shtetit, i ligjit, relativizmi etik, huazimet, ndikimet nga jashtë që depërtojnë përmes fesë, korrupsioni, krimi i organizuar, dëshpërimi nga cilësia e jetesës, niveli i ulët i cilësisë së krijimtarisë, përçarjet si pasojë e polarizimit politik, vegjetimi si mënyrë e vetme e jetës pa ideale etj, janë faktorë që ndikojnë në ndryshimin e identitetit të një kombi. Aty ku nacionalizmi ka qenë ideal frymëzues, aty zhvillimi është i pandalshëm, aty madje më lehtë ndërtohet shteti funksional ligjor, dhe aty ku nacionalizmi është i rrejshëm, i keqpërdorur për qëllime të tjera shfaqen proçese degjeneruese që e komprometojnë atë. Në Maqedoni, pikërisht kështu po ndodh! Është absurde të anatemohet, Ziadin Sela, që ngre zërin kur, me të vërtetë segmenti kulturor i popullit të tij po përthahet. Të jesh në krah të, Ziadin Selës, do të thotë që: Mendimet, çfarëdo qofshin, ato modifikohen, në varësi nga rrethanat, dhe se mendimi shqiptar duhet të zhvillohet gjithnjë e më shumë, e kështu të jetë në funksion të çështjes kombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat