Qeveria Haradinaj e destinuar të dështojë

Opinione

Qeveria Haradinaj e destinuar të dështojë

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 7 tetor 2017 Në ora: 10:25
Qeveria PANA-Lista serbe

Motoja kryesore e kryeministrit Ramush Haradinaj gjatë fushatës elektorale ishte se si ai do të jetë dinamik në drejtimin e ekzekutivit, por qysh në muajin e parë të qeverisjes Haradinaj ka filluar të përballet me dështime të njëpasnjëshme.

Për dështimet e Haradinajt, duhet të merren parasysh tre faktorë. Pranimi i tij për t’iu nënshtruar Listës Serbe pas asnjë kusht vetëm për tu bërë kryeministër, shkuarja e tij në koalicion me PDK-në që ka qëndrim të kundërt me kauzën kryesore të Haradinajt që është Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, dhe pranimi i tij për të udhëhequr ekzekutivin me pesë kryeministra, që i bie se Kadri Veseli është kryeministër për ministrat e PDK-së, Behxhet Pacolli për ministra të AKR-së, Fatmir Limaj për ministra të NISMA-s dhe Goran Rakiç për ministra të Listës Serbe.

Sa i përket Listës Serbe, Haradinaj qysh në fillim të mandatit u turpërua dhe dështoi për të shkarkuar ministrin Nenad Rikallo, i cili akuzohet publikisht nga banorët e lagjes “Dardania” për keqtrajtim të shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë. Madje, duke mbrojtur verbërisht Rikallon ai fajësoi një familje shqiptare se gjëja ajo paska një kontekst pronësor me ministrin.

Mos aplikimi për anëtarësim në UNESCO dhe INTERPOL janë dy dështimet e tjera të Haradinajt që për shumë njohës të fushës është një paaftësi e kryeministrit dhe ministrit të jashtëm, Behxhet Pacolli për mos lobim të mjaftueshëm, dhe dyshimi se mos aplikimi për anëtarësim në këto dy organizata ka qenë kusht i Listës Serbe në këmbim të votës për Haradinajn kryeministër.

Miratimi i versionit aktual të Demarkacionit me Malin e Zi do të jetë më shumë një dështim personal i Haradinajt se sa i qeverisë, pasi që gjatë kohës që ai ishte në opozitë pati protestuar kundër miratimit të kësaj marrëveshje.

Por si duket edhe këtu Haradinaj është i destinuar të dështoj, kur kemi parasysh se partneri kryesor në koalicionin qeverisës, PDK është kundër ndryshimit të kësaj marrëveshje. Nënshkrues i kësaj marrëveshje ishte ish-ministri i jashtëm, Hashim Thaçi, tani president i Republikës së Kosovës. Andaj, në këtë betejë do të futet edhe vet presidenti Thaçi, i cili në prapaskenë, nuk do të lë gurë pa lëvizur që kjo marrëveshje të miratohet me versionin aktual.

Problemi tjetër i qeverisë Haradinaj gjatë këtij mandati do të jenë ministrat nga partitë e koalicionit, çka Haradinaj nuk do të ketë fuqi ekzekutive. Madje, kjo është njëra ndër pikat e marrëveshjes në mes PAN-it dhe AKR-së.

“Me kërkesë të liderit të AKR-së emërohen dhe shkarkohen të gjithë kuadrot që burojnë nga kjo marrëveshje e që janë përfaqësues të AKR-së sikundër janë ministrat, zëvendësministrat etj”, thuhet në Pikën 5 të kësaj marrëveshje.

Pranimi i pikës 5 të marrëveshjes me AKR e pamundëson përmbushjen e premtimit kryesore të Haradinajt për dinamikë në punën e qeverisë.

So do t’ia dal Haradinaj të shkarkoj ta zëmë një ministër të AKR-së, nëse ai nuk i përmbush detyrat e tij me përgjegjësi, kur kjo mund të çoj në prishje të koalicionit që për Haradinajn është fatale.

Ministrat e PDK-së do jenë një problem tjetër për Haradinajn, pasi që praktika na tregon se njerëzit e PDK-së në kabinetin kryeministrit Isa Mustafa, shpesh herë kanë qenë të papërgjegjshëm në punën e qeverisë vetëm që Isa Mustafa të dal keq para publikut.

Me praktika të tilla do të ndeshet edhe kryeministri Haradinaj, sepse nuk është në interesin e PDK-së një qeverisje e mirë e udhëhequr nga AAK dhe Haradinaj.

Andaj, duke u bazuar në të gjitha këto sfida që do përballet Haradinaj, qeveria e tij është e destinuar që të dështoj, dhe do të mbahet mend si njëra ndër qeveritë më të dobëta në historinë e shtetit të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat