Qentë endacakë dhe kazinot, çfarë prioritete madhore politike këto ?!

Opinione

Qentë endacakë dhe kazinot, çfarë prioritete madhore politike këto ?!

Nga: Lirim Begzati Më: 7 tetor 2017 Në ora: 18:51
Lirim Begzati

Uji të pijshëm, ujërat e zeza, qentë endacakë, asfaltimi i rrugëve, kazinot dhe lojërat e fatit, parqet publike, trotuaret, çatitë dhe tavanet e shkollave. Një emërues ky i përbashkët i disave nga temat, të prezantuara si objekt trajtimi në kuadër të premtimeve dhe programeve politike në zgjedhjet lokale të disa komunave tona në Maqedoni.

Formula prezantimesh këto që në masë të madhe iu përngjajnë edhe praktikave të shteteve tona të afërme që na rrethojnë, gjë kjo që sqarohet me lakminë që ia kemi njëri tjetrit që t’i imitojmë disa veprime dhe reflektime !

Merita e disave nga temat e shpalosura është se duken deridiku të konkretizueshme. Me siguri se do të hapet edhe ndonjë rrugë tjetër, e do të riparohet ndonjë shkollë ! Po edhe për qentë endacakë, njerëzitë mund të mbajnë ndonjë shpresë se ndoshta do të gjindet një zgjidhje !

Gjithë ai përkushtim i shprehur për gjetjen e një zgjidhje për largimin e qenëve endacakë ! Sa pak përkushtim për gjetjen e një zgjidhje për zbutjen e problemit të largimeve masive të rinisë sonë nga vendi !

Edhe çështjet e cekura, qofshin ata edhe qesharake për dikendin, me siguri se e mbajnë rëndësinë e tyre dhe kërkojnë një qasje serioze. Mirëpo, shtrohet me plotë arsye pastaj edhe pyetja se, në krahasim me nevojat reale të popullatës, sa është pesha e tyre dhe çfarë niveli të prioritetit duhet të mbajnë në një program politik ?

Edhe pse pakë i ndëgjojmë disa prioritete të tjera gjatë debateve, sa bukur tingëllojnë termet siç janë « luftimi i papunësisë», « shkollimi cilësor », « zhvillimi ekonomik », « zbutja e varfërisë », « frenimi i largimeve masive nga vendi » dhe shumë çështje të tjera madhore.

Nuk pengon fakti se nuk bëhen aq premtime në disa fusha që e preokupojnë thellë popullatën. Pengon mbi të gjithat dhënia e përshtypjes së « varfërisë » së sensibilitetit ndaj këtyre çështjeve, mungesa e një debati të orjentuar kah perspektivat e nevojshme, mungesa e reflektimeve konformë mundësive dhe potencialeve ekzistuese dhe konteksteve të krijuara.

Me një zë pakë entuziastë shprehet disa herë nevoja e promovimit të një politike investitore të bashkëatdhetarëve tanë që punojnë jasht. Ndërkohë, nuk bisedohet aq shumë për largimet masive nga vendi. Nëse dikushi do t’a kishte guximin - por jo vetëm ate - t’iu japë përgjigjen pragmatike këtyre dy komponenteve, do të meritonte që ai të ngritet në piedestalin e triumfalistëve të një kauze të vlefshme. Fatëkeqësisht kjo nuk ndodhë, sepse është sadopak më vështirë me iu futur debatit të tillë, se sa temës së asfaltimit të një rruge të lagjes sonë !

Vallë, nga e gjithë kjo që u tha, parashtrohet pastaj pyetja se a u hapë sadopak rruga e shpresës për një nismë të re, për një përkushtim më serioz ndaj problemeve jetike që i preokupojnë njerëzitë tonë, të komunave tona ?

Diçka i « shpëton » vizionet e shprehura në politikat tona lokale. Jetojmë në një shtet ku komunat, për shumë çështje, n’varen në masë të madhe nga pushteti qendror. Është ndoshta pikërisht ky fakt ai i cili i relativizon disa diskurse politike lokale të ç’veshura nga pragmatizmi.

Mbeten me ripërsëritur prioritetet politike që i ndëgjojmë : uji të pijshëm, ujërat e zeza, qentë endacakë, kazinot, një emërues ky i përbashkët i disa vizioneve, që nuk do të dëshironim t’a mbajnë ngjyrën e « kufinjëve » të mundshme të një premtimi dhe programi politik!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat