Edi Rama - nga Goran Bregoviçi deri tek zëvendësministrat nga Prishtina

Opinione

Edi Rama - nga Goran Bregoviçi deri tek zëvendësministrat nga Prishtina

Nga: Faton Abdullahu Më: 9 tetor 2017 Në ora: 10:16
Faton Abdullahu

Unë dua të besoj se Edi Rama e ka përnjëmend, pra ti përdorë zëvendësministrat si hallkë e përforcimit të lidhjes institucionale Shqipëri - Kosovë. Por une e di se Rama, që nga çorapet lara, patiket adidas në takim me Kancelaren Merkel, deri tek tre lapsat në xhepin e sipër kur vizitoj Parisin, është me prirje prej formalisti të sofistikuar. Prandaj kam të drejtë të kem rezervat e mija dhe ngazëllimin ta lë për më vonë, nëse rezultatet përmbajtësore në praktikë, do ma demantojnë skepticizmin tim.

Edi Rama ka emëruar katër zëvendësministra të rinjë nga Kosova, jo shumë të njohur ndër ne, së paku jo sa përfoleshin emrat e disa të tjerëve, për të qenë pjesë e kabintetit të tij. Thënë përmbledhtazi në Kosovë kjo u prit mirë, në të vërtetë shumë mirë. Të gjitha parametrat flasin se popullariteti i tij në Kosovë është gjithnjë në rritje. Nëse krahasohet me Edi Ramën e para disa viteve, sidomos me Edi Ramën kryebashkiak i Tiranës që i dha ‘Çelsin e Tiranës’ Goran Bregoviçit (një papjekuri politike në raport me Kosovën, që disi më përngjan me papjekurinë e Behxhet Pacollit në raport me fenë) pra në raport me Edi Ramën e dikurshëm me qorapet lara dhe me shkrimet e tij të hershme, ku Kosova përmendet rrallë e hiç, Edi Rama aktual ka bërë hapa të mëdhenjë përpara në drejtim të qasjes përafruese me Kosovën. Ai ka tejkaluar të gjithë socialistët, parti kjo që rrallë e sidomos në fillet e saja, është shquar me qasje të tilla ndaj Kosovës, me përjashtime individuale, siç është Pandeli Majko. Në anan tjetër në këtë drejtim Edi Rama nuk mund të krahasohet me paraardhësin e tij Nano, i cili në këtë segment, nuk u mbush mend asnjëherë, por mbet, jo rrallë arrogant e shpesh përjashtues ndaj Kosovës. Ata që mendojnë se kjo për Nanon nuk është e saktë, mund ti gjeshë vetëm në shoqatën e Enver Hoxhës në Ferizaj.

Prej nga ky ndryshim i Edi Ramës? Si u bë që ky majtist nga Tirana, në raportin me Kosovën i njëtrajtshëm me familjen e tij politike, po shfaqet tash sa kohë krejt ndryshe në këtë segment? Dhe kjo ndryshe sa është përmbajtësisht ndryshe?

Në të vërtetë Edi Rama me këto që po bën, duket se më në fund po i përgjigjet Kosovës. Jo aq institucioneve të Prishtinës zyrtare, sa mendesisë kolektive këtu. Ai po i përgjigjet një kërkese të çiltër vëllazërore që pranon me duartrokitje çdo gjë ‘pa doganë e kontrollë’ nga ‘Rruga e Kombit’ në Prishtinë e gjithandej në Kosovë. Asaj Kosove dhe asaj rinie e cila një gjakim për përafrim me Shqipërinë e ka të mbëltuar larg më heret edhe e ka si amanet e kulturë politike, e ka të përpunuar në forma të ndryshme dhe çka është më e rëndësishmja e ka përnjëmend. Nëse Edi Rama po i përgjigjet kësaj, kjo është për çdo lavdatë dhe vlerësimi me atë të njohurën ‘më mirë vonë se kurrë’ i shkon kësaj rilindje politike dhe kulturore të Kryeministrit të Shqipërisë.

Shumëkush mund të thotë se kjo gjetje është formë ektra e mirë e përforcimit dhe begatimit të raporteve Shqipëri – Kosovë që askush nga qveritarët e Kosovës nuk e ka bërë deri më tani në raportin anasjelltas. E vërtetë. Nuk e kanë bërë dhe as nuk do ta bëjnë përderisa kemi këtë monitorim ndërkombëtar, jo vetëm politik, ndaj Prishtinës zyrtare. Një veprim i njëjtë apo ngjashëm nga ndonjë kryeqeveritar i Kosovës në raport me Shqipërinë do të keqinterpretohej dhe paragjykohej shumë dhe keq, sado që unë nuk do ta kundërshtoja sugjerimin nga kushdo se, përkundër këtij monitorimi, ja vlen që së paku të provohet nga Prishtina diçka në këtë drejtim (por përnjëmend diçka përmbajtësore) edhe nga qeveritarët e Kosovës.

Më e rëndësishmja është që të vendosen standarde të menduar mirë për përafrim dhe bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Jo solo, siç bëri kështu Rama, por në bashkëpunim Prishtinë - Tiranë, në të mirë të kualitetit të jetës së qytetarëve tanë dhe sigurisë të të dyja shteteve tona por edhe forcimit të paqes në rajon. Ne në bashkëpunim me miqtë tanë ndërkombëtar, duhet të gjejmë formula të cilat e tejkalojnë atë të jo shumë të vërtetë e shpesh përdorur jo sinqerisht se, do të afrohemi e bashkohemi kur të hymë të dyja shtetet në BE. Edhe po të jetë kështu, ne, tani, por edhe më vonë, duhet të bashkëpunojmë larg më shumë ndërveti, se sa që këtë e mundësojnë integrimet evropiane sepse ajo nuk janë të dizajnuara për një rast “sui generis” siç është raporti Shqipëri – Kosovë. Kjo është krejt normale. Vetëm paragjykuesit, bazuar në të kaluarën ballkanike, mund të kenë paranojë për këtë integrim.

Mirëpo ajo që do të ishte jo e dobishme, është që zëvendësministrat e Edi Ramës nga Kosova të zëvendësojnë në çfardo mënyre institucionet e Kosovës. Unë dua të besoj se Rama e ka përnjëmend, pra ti përdorë zëvendësministrat si hallkë e përforcimit të lidhjes institucionale Shqipëri - Kosovë. Por une e di se Rama që nga çorapet lara, patiket në takim me Kancelaren Merkel, deri tek tre lapsat në xhepin e sipër kur vizitoj Parisin, është me prirje prej formalisti të sofistikuar. Kam të drejtë të kem rezervat e mija dhe ngazëllimin ta lë për më vonë, nëse rezultatet përmbajtësore në praktikë ma demantojnë skepticizmin tim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat