Thaçi po tutet

Opinione

Thaçi po tutet

Nga: Faton Mehmeti Më: 11 tetor 2017 Në ora: 13:10
Faton Mehmeti

Mbështetësit e tij gjithnjë kanë theksuar me fanatizëm se: Thaçi është trim. Ndonëse ishin të paktë ata që e besonin këtë, e theksonin këtë me këmbëngulje dhe disi me tone të ashpra dhe të sigurt. Nuk di se ku e bazonin një gjë të tillë, gjithsesi verbërisht besonin në atë që mendonin. Ndërsa, pjesa më e madhe në mesin e tyre edhe unë, gjithnjë besoja se Thaçi nuk është as trim dhe as patriot. Nuk di të ketë bërë ndonjë betejë, të ketë treguar zgjuarsi në luftë përpos manipulimeve dhe intrigave. Dhe as patriot s`mund të jetë një person që e vjedh vendin e tij, që e degradon ekonominë dhe drejtësinë e mban në xhep.

Për më tepër një person që bën çdo gjë për pushtet, s`mund të jetë as i dinjitetshëm dhe as moralisht i ndershëm. Duket se Thaçi kishte ndërtuar imazhin e tij si një piramidë nga rëra, që herdokur kur do rrënohej. Thonë, se njerëzit që kanë frikë nuk janë të qetë, as të vetëdijshëm çfarë thonë, e kjo më së miri u demonstrua gjatë prezantimit të raportit për perceptimin publik rreth Gjykatës Speciale, të organizuar nga disa organizata joqeveritare në Prishtinë.

Me këtë rast Thaçi bëri lajthitje duke konstatuar se  “Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë ka ardhur si nevojë politike ndërkombëtare, por Kosova duhet parë atë si një avantazh për të pastruar njollosjen”. Gjykata Speciale nuk ka ardhur si nevojë politike ndërkombëtare, por si pasojë e dështimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë, sistem të cilin e ka degraduar Thaçi me klanin e tij “ Pronto”.

Mungesa e dinjitetit të Hashimit për t’u përballuar me realitetin dëshmon papjekurinë e tij politike dhe mungesën e marrjes së përgjegjësive. Thaçi asnjëherë s`ka treguar dinjitet për të pranuar dështimet e tij, çdo herë që dështon faturën e paguan Kosova, ndërsa fajin e ka bashkësia ndërkomëbtare, e nëse arrin ndonjë sukses ( edhe pse nuk di të ketë të tillë), e lartëson veten deri në piedestalin e Xhorxh Uashingtonit. Thaçi nuk ka hallin e Kosovës, as pse ka dështuar sistemi i drejtësisë pasi  vetë e ka dështuar, por ka vetëm një hall që shoqërohet me frikë: Arrestimin e tij nga Gjykata Speciale. Largimi i ambasadorit të Britanisë dëshmon për përplasje të tyre me Thaçin, i cili për të shpëtuar veten është në gjendje të kall edhe Kosovën.

E kuptoj se Thaçi e ka të vështirë të mësohet me idenë se do të arrestohet, pasi s’ka menduar kurrë se do të jap një ditë përgjegjësi për të bëmat e tija. Bëri çdo gjë që t’i shpëtoj kësaj Gjykate, aq sa arriti të nënshkruaj asociacionin dhe demarkacionin, derisa servilizmi i tij ndaj bashkësisë ndërkombëtare arriti kulmin me përuljen para serbëve të vrarë. Si duket as kjo s`po i kryen punë. Mbase bashkësia ndërkombëtare i ka bërë të ditur se askush nuk do të ketë imunitet nga Gjykata Speciale.

Dhe të gjithë ata që mendonin Thaçin si trim dhe patriot, shumë shpejt do e kuptojnë se nën lëkurën e “trimit dhe patriotit” fshihet një frikacak dhe injorant i skajshëm.  Koha e gënjeshtrave të Thaçit ka mbaruar, e bashkë me këtë edhe maskat do të bien. E vërteta po troket së bashku me gjykatën speciale, e cila do të rrënojë piramidat e ngritura nga rëra. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat