Dallimet dhe ngjashmëritë në mes Kosovës dhe Katalonisë

Opinione

Dallimet dhe ngjashmëritë në mes Kosovës dhe Katalonisë

Florent Xh. Hajrizi Nga Florent Xh. Hajrizi Më 11 tetor 2017 Në ora: 14:28
Veton R. Prelvukaj Nga Veton R. Prelvukaj Më 11 tetor 2017 Në ora: 14:28
Kataloni

Tentativa për të ngritur një paralele mes Kosovës dhe Rajonit Katalan në Spanjë janë të dëmshme jo vetëm për Kosovën dhe Kataloninë por edhe për shumë rajone tjera që aspirojnë vetvendosjen si metodë për shtetformim. Dallimet dhe ngjashmëritë ekzistojnë, mirëpo ato duhet shikuar nga dy prizma, nga ai i të drejtave të njeriut dhe vullnetit të popullit dhe nga rregullat për shtetformim që percaktohen nga E Drejta Ndërkombetare.

Pas referendumit të mbajtur në rajonin Kaltalonise, qarqe të caktuara mundohen të ngrehin paralele në mes të Kosovës dhe Katlonisë, duke anashkaluar disa prej segmenteve kruciale nëpër të cilat ka kaluar Kosova në rrugëtimin e vetë të pavarësimit e që Kosovën e bëjnë rast të veçantë apo sië njihet tashmë Sui Generis.

E drejta Ndërkombetare

Shikuar nga e drejta ndërkombëtare për shtetformim e dimë se ekzistojnë dy mënyra për formimin e shteteve:

1.Dekonolizimi.

Dekolonizimi apo shpallja e pavarësisë nga kolonitë e mëhershme. Në botë ky kapitull është mbyllur në vitin 1999 me shpalljen e pavarësisë së Timorit Lindor si vendi i fundit në botë post-kolonial.

2.Shpërbërja e shteteve

Rasti i shteteve të formuar pas rënies së Bashkimit Sovjetik, në vitin 1991, kur u formuan 15 shtete të pavarura dhe të njohura ndërkombëtarisht ishte në përputhje të plotë me aktet ndërkombëtare për shtetformim. I ngjashëm është edhe rasti i shpërbërjes së Jugosllavisë e që filloi më 1991, ku u formuan 7 shtete të pavarura, e që kulmoi me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, duke përmbyllë kështu shpërbërjen totale të një shteti tashmë inekzistent.

Shtetet SUI Generis

Me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në të drejtën ndërkombëtare kjo formë e shtetformimit njihet si “Sui Generis”, ku rasti i Kosovës është rasti i vetëm në botë i cili ka shpallur pavarësinë nga një vend i cili ka ushtruar dhunë, diskriminim, gjenocid dhe është përballur me spastrim etnik, mirëpo juridikisht ende ka qenë nën kushtetutën e Serbisë, si trashëgimtare e shtetit të Jugosllavisë. Mirëpo, ajo çka e ka dalluar Kosovën nga raste të ngjashme është se në vitin 1999, në këtë territor është instaluar administrimi ndërkombëtar i cili ia ka marrë të drejtën Serbisë për administrim ndaj këtij vendi. Rruga e shtetformimit ka kaluar nëpër procesin e negociatave të ndërmjetësuara ndërkombëtarisht, ku si rezultat kanë pasur shpalljen e akorduar të pavarësisë së Kosovës, gjë që nuk është rasti me Kataloninë. Fakti më i rëndësishëm për Kosovën, e që përsëri e dallon nga çdo shtet tjetër është Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, me konkluzion se, shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare e as rezoluten 1244 të OKB-së.

Të drejtat e njeriut

Nëse i shikojmë zhvillimet e fundit nga prizmi i të drejtave të njeriut, rajoni Katalon i Spanjës gëzon më shumë të drejta dhe autonomi për vendimmarrje, në kuadër të Spanjës, se sa që Kosova ka gëzuar në kuadër të Jugosllavisë dhe më vonë të Serbisë. Dallimi tjetër qëndron në atë se populli Katalon ka përfaqësuesit e tyre në nivelin lokal dhe rajonal dhe nuk ushtrohet dhunë apo presion sistematik ndaj tyre nga Spanja, që esencialisht dallon me rastin e Kosovës, sepse në Kosovë jo vetëm që është mohuar e drejta për përfaqësim, por edhe ajo për ekzistim. Pra, në Kosovë ka pasur shkelje sistematike të të drejtave elementare të njeriut, të përcaktuara me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, duke përfshi edhe nenin 3 të kësaj deklarate “E drejta e Jetës, Lirisë, Sigurisë personale”, edhe më parë por sidomos nga viti 1988 deri në vitin 1999, e që nuk është rasti me Katalonin. Duhet të kujtojmë që në Kosovë, gjatë luftës, në vitet 1998-1999, ka ndodhur spastrimi etnik dhe gjenocid ndaj shqiptarëve, që ishin dhe janë popull shumicë në Kosovë, dhe është dënuar nga faktorët relevant ndërkombëtarë, e që për ta ndalur gjenocidin është dashtë të intervenohet me forcë ushtarake nga aleanca atlantike NATO. E që nuk është rasti me Kataloninë.

Në anën tjetër, Spanja nuk ushtron presion sistematik ndaj popullit që jeton në rajonin Katalan,mirëpo edhe rajoni i Katalonisë ka presidetin e vet, parlamentin dhe ligjet të cilat dallojnë nga ato të Spanjës, pa përmendur dallimet sociale mes Katalanëve dhe Spanjollëve, mirëpo nëse populli vendos që të ndahet dhe kjo bëhet tërësisht përmes procesit demokratik, askush nuk mund t’ua mohojë të drejtën për vetvendosje, pasi që edhe kjo mënyrë e shtetformimit është mirë e rregulluar me akte ndërkombëtare.

Pika e vetme e cila do të mund të konisderohej si ngjashmëri në mes Kosovës dhe Katalonisë, është se popullata e të dy vendeve ka shprehur mosgatishmërinë për të jetuar me popullin apo shtetin nga i cili duan ta shpallin pavarësinë. Mirëpo, siç ka ndodh edhe me rastin e Kosovës, as Katalonia nuk do të ketë një divorc të qetë, pasi që ka shumë vështirësi në procesin e shtetformimit e të cilat e forcojnë pozicionin e Spanjës për ta mbajtur nën kontrollë këtë territor. Pra, shikuar nga prizmi i të drejtave të njeriut, dhe duke u bazuar ne parimin e vetvendosjes, populli i rajonit të Katalonisë, ka drejtë të vendos për shkëputje nga Spanja.

Autorët janë studiues të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, dhe ky shkrim përfaqëson mendimin e tyre personal.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat