Hashim Thaçit i kthehet negativi

Opinione

Hashim Thaçit i kthehet negativi

Nga: Mimozë Lakna Më: 12 tetor 2017 Në ora: 10:28
Mimozë Lakna

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka shuar edhe atë pak fije shprese, se qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin nëpër Evropë pa viza. Ai ka kërkuar që Shqipëria ti pajisë me nënshtetësi qytetarët e Kosovës në mënyrë që ata të mund të lëvizin lirshëm.

Presidenti Thaçi, po e ngritë flamurin e bardhë karshi Bashkimit Evropian. Tashmë është e qartë se ëndrra e qytetarëve të Kosovës për lëvizje të lirë vazhdon të mbetet e tillë. Thaçi ka deklaruar se në këmbim të vizave Kosova ka pranuar edhe shumë kompromise siç është Gjykata Speciale. Mirëpo, ai ka harruar të përmend dy kushtet kryesore të cilat BE pret që Kosova t`i plotësojë për të fituar lëvizjen pa viza. Zyrtarë e Bashkimit Evropian kanë përsëritur shumë herë që miratimi marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e zi dhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit janë dy kushtet kryesore, pa plotësimin e të cilave nuk ka heqje të vizave.

Se sa vështirë është në Kosovë lufta ndaj krimit dhe korrupsionit e tregojnë vazhdimisht aferat e ndryshme që publikohen në medie, siç ishte kohë më parë ajo “Pronto2”, ku zyrtarë të PDK-së bëjnë pazar postet e institucioneve të ndryshme në Kosovës.

Me kërkesën që qytetarët e Kosovës të pajisen me nënshtetësi të Shqipërisë, Presidenti Thaçi duket se e ka pranuar faktin se korrupsioni nuk po luftohet aq sa duhet. Rrënjët nuk po goditën, pavarësisht deklaratave të shumta se një gjë e tillë po ndodhë.

Në anën tjetër, miratimi i marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e zi, po vazhdon të mos procedohet në Kuvendin e Kosovës, në pritje të punës së komisionit të ri. Për shkak të kësaj kauze qytetarët e Kosovës nuk kanë liri për të lëvizur në Evropë.

Më në fund, Presidenti Thaçi u kujtua se është e padrejtë që zyrtarët e qeverisë të kenë pasaporta diplomatike, ndërsa qytetarët e Kosovës të vazhdojnë të presin para ambasadave.

Deri më sot, vetëm disa figura publike në Kosovë kanë pasur fatin që të kenë pasaportën e Shqipërisë dhe beneficionet që i sjellë ajo. Qytetarët thjeshtë jo! Ata kanë vazhduar jetën e tyre me të vetmin destinacion gjeografik, Shqipërinë dhe Maqedoninë e aty këtu, ndonjërin prej vendeve evropiane.

Presidentit Thaçi ju kthye negativi nga Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta. Për Metën nuk është zgjidhje marrja e nënshtetësisë shqiptare.

“Pa dyshim ne mirëkuptojmë këtë kërkesë që vjen nga ky presion i drejtë i qytetarëve të Kosovës për pajisje me nënshtetësi shqiptare, kuptoj se çfarë ndodh me qytetarët dhe studentët që duan të studiojnë në vende evropiane. Zgjidhja nuk është të merret nënshtetësia shqiptare pavarësisht dëshirës për të kaluar këtë problem. Zgjidhja është tejkalimi i këtij problemi. Shpresoj që institucionet e Kosovës në një dialog me BE dhe Malin e Zi ta zhbllokojnë këtë çështje”, tha Ilir Meta gjatë vizitës në Kosovë.

Edhe Meta ia bëri të qarta kushtet për liberalizim të vizave. Por, sigurisht se edhe vet Presidenti Thaçi i ka të qarta këto kushte. Mbetet vetëm që ato të plotësohen..

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat