Problemi i Kajtazit nuk është sulmuesi që e goditi, por 200 veta që e shikuan ‘seri’

Opinione

Problemi i Kajtazit nuk është sulmuesi që e goditi, por 200 veta që e shikuan ‘seri’

Nga: Kimete Berisha Më: 14 tetor 2017 Në ora: 13:29
Kimete Berisha

E shohim fëmiun e shtrirë në rrugë, zbathur, pa çorapa-nuk e kthejmë kokën.

E shohim plakun këmbë në autobus-nuk çohemi nga vendi. 

E shohim njeriun e zbehur, pa pikë gjaku në fytyrë, mbështetur për lisi, nuk e pyesim ‘a ke nevojë për ndihmë’! 

E shohim njeriun të heshtur e të vuajtur-nuk e pyesim ‘çka ke’!

Nuk e hapim derën-kur na thërrasin!
Nuk përgjigjemi në telefon. 

Shokun nuk e pyesim ‘a po mund b?hesh idare’. 

Nuk e thërrasim policinë kur e dëgjojmë vajin e një gruaje që e rrah burri i saj, e britmat e një fëmije që e rrah nëna e tij.

Thjesht:

S’ndjejmë asgjë.

S’jemi të motivuar. 

Jemi në disponim indiferent!

Dhe, s’na intereson askush, përveç vetja, dhe pjella jonë.

Pra, jemi shoqëri depresive.

Apatia dhe indiferenca kanë lidhje të ngushtë me sëmundjet mendore, siç është depresioni (apo larg qoftë shizofrenia), prandaj, një shoqëri si ne, që duron gjithçka, sheh gjithçka, përjeton padrejtësi të llojeve të ndryshme çdo ditë, e nuk reagon, në atë shoqëri nuk mund të llogarit askush.

200 veta e panë Vehbi Kajtazin ditë’m drekë kur e sulmuan në fytyrë, e nuk u çu njëri prej tyre t’i ndajë, mosni aman!

Problemi i Vehbiut nuk është sulmuesi që e goditi papritur e pa u kujtuar, por problemi i tij dhe i yni janë 200 veta që e shikuan ‘seri’.

Bashkë me sulmuesin, do të duhej të arrestoheshin edhe ata 200 veta që pa dashje u bën followersa të sulmuesit.

Stoikët i jepnin apatisë kualitet pozitiv, demek sipas tyre apatiku është person që e karakterizon ‘urtësia’, ata kujtonin se apatikë janë njerëzit pa pasione, kurse kimetja mendon se njeriu pa pasione dhe pa ndjenja, është njeri i vdekur, rreth të cilit nuk ndodh jeta.

Ndoshta është mençuri të mos përzihesh në jetën e tjetrit, por nuk është humane ta shikosh indiferent dikë duke u rrahur. 

Mençuria kalkukon, e ruan veten, kurse humanizmi na mban në jetë, mençuria pa mirësinë është djallëzore, është indiferente, si vdekja.

Çfarë e ka shkakuar apatinë tonë? 

Pse neve nuk na bëhet vonë!

Është e vërtetë se humori i ka mbijetuar depresionit tonë, ama humori ‘i pistë’, ‘johuman’, ‘i vrazhdtë’, ‘sadist’, ‘diskriminues’. E ky lloj ‘humori’, nuk e motivon njeriun për mirë, prandaj edhe humorin e kemi ‘përgjakur’! 

Qeshin me viktima, gëzohen kur dëgjojnë se dikush është përgjakur, i duartrokasin vdekjes.

Kaq në depresion që jemi. Hapur, në Facebook, me emër e mbiemër, i duatrokasin krimit.

P.S. Më la përshtypje ky paradoks: Vehbi Kajtazi ua zbulon njerëzve bisedat private në viber, ndërsa emrin e sulmuesit të tij nuk e zbuloi, tha shkaku mos m’i dëmtu hetimet. 

Pra, kur i dhemb këtij, kur e prek atë, nuk i dëmton hetimet, e kur u dhemb të tjerëve, i dëmton hetimet.

Nuk paska gjë më të shëmtuar sesa ti si femër t’i dëgjosh meshkujt duke thënë ‘më kanë rrahur’! Thuani së paku ‘më kanë sulmuar’!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat