Ah këto politikat tona boshe, në vigjilje të zgjedhjeve komunale!

Opinione

Ah këto politikat tona boshe, në vigjilje të zgjedhjeve komunale!

Nga: Lirim Begzati Më: 14 tetor 2017 Në ora: 19:29
Lirim Begzati

Kjo Maqedonia me halle të ngjyrave të ndryshme e të laramishme. Me një pushtet të brishtë qendror, e të fokusuar në vizione që synojnë vetëm një shtet fuqishëm të centralizuar, një shtet nën kontrollin e dikujtë dhe vetëm dikujtë ! I frikësuar për mos me e humbur një formë organizimi, e cila i duket (gabimisht) si alternativa unike që do të mbronte gjoja se karakterin unitar të vendit !

Vend ky i cili, përveç problemeve identitare, jepë së paku përshtypjen se që nga vite të tërra ka patur « prioritete » të çuditshme, siç janë promovimi i politikave egoiste, aferat korruptive, shprehja e nacionalizmit të egër, përforcimi i patriotizmit të « falsifikuar », e kështu me rradhë. Çfarë mëkati kjo ! Një humbje kohe e shpresash, një sërë dëmesh të bartura në shpinë të vehtes, një trashëgimi disfatash të njëpasnjëshme !

Rruga e decentralizimit të vendit duket e mbylluar. Edhe pse një formulë kjo që cilësohet se do të mund t’i jepte një shpresë zhvillimit të vendit. Megjithatë, edhe « nevojtarët » kryesorë të disa proceseve, siç janë komunat, mbeten ende në gjumë, mungon reaktiviteti i duhur dhe efikas përballë kërkesave legjitime. Mirëpo, akterët komunalë nuk e kanë vështirë t’a bartin fajësinë tek dikush tjetër, për shembull, tek protagonistët tanë të ndryshëm në pushtetin qendror. E këto të fundit do t’a bartin pastaj fajësinë diku tjetër ! Një rreth ky i « mrrekullueshëm » vicioz, fatëkeqësisht edhe i pafundë!

Në planin e mirëfilltë ekonomik, programet zhvëllimore e vërtetë strategjike duken inekzistente apo nëse thuhet se ato ekzistojnë sadopak, mbeten më tepër të ngulfatura në regjistrin teorik apo të premtimeve tradicionalisht boshe, e natyrisht shumë më pakë të vërejtura në praktikë. Ekonomia regjionale, përfshirë ajo e komunave, nuk jepë shenja prosperiteti. Le të relativizohet edhe kjo çështje, duke i’a lënë një pjesë të përgjegjësisë (e jo tërrësinë !) mungesës së një politike koherente globale dhe gjithpërfshirëse të vendit në këtë drejtim.

Mbetet kështu që disa herë të kënaqemi me shpresat e disa zhvillimeve që janë të mbështetura në rezultatet e arritura përmes disa financimeve që vijnë nga fondet e huaja, nga të tjerët. Sa të lezetshme këto paratë e huaja të gatshme, që vijnë nga evropianët, që vijnë nga të tjerët!

Çfarë triumfalizmi shprehet pastaj në diskurset tona politike kur arrihet të fitohet ndonjë investim nga fondet e huaja. Një triumfalizëm jo rrallë i shprehur si një sukses i politikës individuale të dikujtë !

T’ia shtojmë kësaj edhe rezultatet e arritura në fushën e bizneseve, të cilat shpeshherë janë vetëm një frytë i një pune të palodhshme të ndonjë investitori privat, se sa një korrje e një suksesi falë ndonjë politike ekonomike efikase. Jo pra, nuk posedojmë ndonjë promovim politik inkurajues ; njerëzit duhet vetë t’i kërkojnë zgjidhjet e mundshme në një kontekst ekonomik të tërbuar !

Edhe për çështjet përkatëse, në mjediset e politikave tona, janë krijuar shprehi që dikushi, në emër të kalkulimeve personale, t’i ekspluatojë politikisht rezultatet e dikujtë tjetër, duke u shprehur me krenari përmes thënieve « këto rezultate biznesesh janë një produktë i politikës sonë efikase » ! Sa anekdotike edhe kjo !

Atëherë, pa asnjë befasi - përmes diskurseve politike që synojnë fitimin e garave në zgjedhjet komunale – sa bie sot në sy reflektimi i disa politikave që janë burim dhe pasojë logjike e disa fenomeneve negative, edhe ate konformë konteksteve dhe realiteteve të krijuara. 

E gjithë kjo çka u tha nuk ka nevojë të interpretohet si një shprehje dëshprimi të pakushtëzuar. E panevojshme gjithashtu që të shpaloset një pesimizëm i tepruar. Bëhet dhe është bërë diçka, por ende   mbetet shumë larg nga ajo që është dashur të bëhet apo që duhet dhe mund të bëhet !

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat