Një 1997-të e re po duket në horizont

Opinione

Një 1997-të e re po duket në horizont

Nga: Asllan Bushati Më: 15 tetor 2017 Në ora: 14:38
Asllan Bushati

Shqiptarët , pas Luftes Dyte Botërore, kanë bërë shumë “marrëzira” ( në se mund ta përdorim këtë term në kontekstin jo fyes për popullin),  disa prej të cilave  kanë qenë edhe kolektive por  shumica nga udhëheqësit  politik. Edhe kur kanë qenë kolektive janë ideuar e mbështetur po nga politikanët. Shkarazi po përmend  disa prej tyre : Nxjerrja  në një  gjyq falls  dhe pushkatimi  i gjithë  deputetëve opozitar në 1945 . Mashtrimi me bombën në Ambasadën Sovjetike dhe pushkatimi  në Tiranë i 22 intelektualëve  atdhetarë pa asnjë arsye. Vënia nën shenjestën e nëndetses  së Bazës se Vlorës me ekuipazh sovjetiko-shqiptar për tre ditë (16, 17, dhe18  dhjetor 1959) e një destrojeri amerikan  në Mesdhe ,me të cilin udhetonte për në Lion-Francë, Presidenti Amerikan Ajzenhauer dhe si pasojë kundërpërgjigjeja amerikane duke vënë nën shenjestrën bërthamore për më shumë se tridhjet vjet  bazat  ushtarako-ajrore të Rinasit e Kucovës, bazën ushtarako-detare të Vlorës dhe  qytetin e Gjirokastrës. Dalldija kolektive e 1967-tës për prishjen e  shkatërrimin e gjithë institucioneve të fesë duke u bërë i vetmi” vend ateist në botë”. Ideja e cmendur ” tu qepemi  kodrave e maleve dhe ti bëjmë pjellore si dhe fushat” duke shkatërruar tërësisht bimësinë,pemët,pyjet, faunën e florën,e  duke bërë erozion shkatërrues të të gjithë vendit  me duart tona . “Ndërtimi me sukses i socializmit duke u mbështetur vetëm në forcat tona”, duke e këthyer vendin në një depo të madhe hekurishtesh me të ashtuquajturat uzina e fabrika moderne. Bunkerizimi i gjithë vendit për tu “ballafaquar e fituar në luftë me gjithë botën”. Marrëzia  kolektive  e 1997-tës me futjen e parave në piramida  e cila coi në  humbjen e  tyre , humbjen e  jetës së mijera shtetasve dhe për inatë të tyre , shkatërrimin e  plotë të  shtetit. Vrasja e besimit se ky vend  nuk mund të bëhet  normal si të tjerët , dhe eksodi i të paktën i një të tretës së numurit të përgjithëshëm të popullatës. Nuk na mjaftuan të gjitha këto, por na “duheshim” edhe dy marrëzi të tjera  dhuratë nga Edi Rama si: kanabizimi i gjithë vendit,dhe së fundi  kriminalizimi i tejskajshëm i pushtetit .

Ka edhe  shumë  të tjera ,por edhe kaq  na mjaftojnë për të dalë në konkluzionin  se për   gati shtatëdhjetë vite këto janë shumë të tepërta për një popull të vogël si i yni, dhe se këto  për të mos thënë i kanë kthyer mbrapsh rrjedhat e përparimit të  vendit , më së pakti mund të themi i kanë  ngadalësuar  ndjeshëm  ato në krahasim me popujt e tjerë në rajon e më gjërë. Në këto kushte pyetja më e thjeshtë  nga cdo shtetas shqiptarë do të ishte  se :  pse kanë ndodhur e  ndodhin këto  gjëra  ne?  Mendoj  se edhe përgjigjja më e thjeshtë  do të ishte se: mbi të gjitha  është  keq qeverisja e këtij vendi.

Edi Rama, nuk realizoi asnjë nga premtimet madhore të mandatit të parë dhe më e keqja , në vend të realizimeve, solli  kanabizimin dhe kriminalizimin e gjithë vendit. Disa nxitojnë ta  mburrin se ai bëri reforma dhe po e bën Shqipërinë shtet. Në gjykimin tim kjo nuk qëndron.  Së pari Shtetin Shqiptar e krijoi Ismail Qemali dhe  e formësoi me të gjithë elementët e shtetit modern perendimor Ahmet Zogu. Së dyti,  lidhur me reformat e Edi Ramës, unë mendoj se ata janë gjysmake e përgjithësisht të dështuara dhe se vetë Edi Rama jo vetëm nuk është reformator, por është një shoumenë, batutaxhi,  hokatar dhe një mashtrues perfekt.

Le të ndalemi pak tek kanabizimi. Disa mendojnë se ai solli punësim të përkohshëm të një sasie njerëzish dhe se fitimet janë brenda vendit e  duke u shëndruar në një pasuri kombëtare. Në këndshikimin tim kjo nuk qëndron për shumë arsye, por nga më kryesorët janë: dëmtimi i imazhit të vendit në sytë e ndërkombëtarëve dhe frenimi i biznesit ndërkombëtar për investim afatgjatë në Shqipëri. Për rrjedhojë kjo frenoi mbi të gjitha, hapjen e vendeve të reja të punës kaq të domosdoshme për brezin e ri, por zvogloi ndieshëm prodhimin e brendëshëm buqësor. Kanabizimi   duke qenë fenomen masiv, tashmë është kthyer në një bankë informale të parave të pista që kërkojnë të blejnë pasuri të patundëshme deri forcërisht duke dëmtuar kështu pronarët e biznesin e vogël dhe duke tjerërsuar forcërisht elementët themelor të bazës ekonomike të vendit.Shkurt me parat e kanabisit, mafia po krijon pasuri konkuruese të pa ligjëshme dhe krejt të pa ndershme.

Tjetër  aspekt është se parat e drogës deformuan  vullnetin , votën e lirë edhe  rezultatin  përfundimtar të  zgjedhjeve të qershorit 2017-të. Edi Rama i bleu ato duke bashkëpunuar  hapur me kriminelët e drogës dhe për pasojë  me rreth njëzet përqind të votave të shqiptarëve udhëheq i vetëm gjithë vendin pa e ditur se ku do të shkojë ,se për këtë mandate të dytë  ai  nuk ka bërë asnjë premtim electoral. Ai i fitoi zgjedhjet jo për zotësi e punë të madhe në realizimin e premtimeve elektorale, por për një ligj elektoral  skandal, për një lëvizje të gabuar politike të LSI-së e cila nuk ju bashkangjit opozitës, dhe për një mbështetje të pa drejtë dhe të pandershme që atij i dhanë ndërkombëtarët.

Humbëse e vetme e gjedhjeve me më shumë se dyqind mijë vota, doli  PD-ja dhe shumë i baltosur e i plagosur Lulzim Basha. Në gjykimin tim,  kjo ndodhi  jo për faj dhe paaftësi të Zotit Basha, por të rrethanave, sepse megjithë përpjekjet e tij për rishikimin e ligjit zgjedhor për gati një vit e gjysëm ajo ju bë e pamundur në një kohë që edhe  ndërkombëtarët ja kishin premtuar një gjë të tillë. Basha me synim zgjedhjet e lira e të nderëshmë u fut në cadër para Kryeministrisë dhe nuk do të futej  edhe në zgjedhje pa u krijuar kushtet për to. Por ndërkombëtarët OSBE, Odihri, BE e SHBA i dhanë gjithë përkrahjen e duhur Edi Ramës ( duke mbyllur sytë përpara mosrealizimeve dhe  paudhësive që kishte bërë ) dhe duke u bërë bashkautorë në shkatërrimin e zgjedhjeve në Shqipëri.  Ata duke mos dashur të ballafaqohen me të vërtetën zgjedhore dhe të drejtën ,  zgjodhën rrugën e deklarimit se zgjedhjet  ishin të mira për Shqipërinë . Por  jam i bindur se po të kishte ndodhur  kjo situatë në një vend tjetër  demokratik me siguri (nuk do të quheshin të  mira për rrethanat), por  do të quheshin  skandal zgjedhor .

Përfaqsuesi i Departamentit të Shtetit Amerikan Yee, e detyroi Zotin Basha të mos shtonte ne dokumentin e  rekomanduar  të ndërkombëtarëve, qoftë edhe një presje të vetme, por vetëm të thoshte “PO”. Pra ndërkombëtarët nuk u shqetësuan  sa duhet për ardhjen e të inkriminuarve në Parlament e në strukturat drejtuese të shtetit dhe kanabizimin e vendit para zgjedhjeve, për të cilat opozita dhe Basha ishin shumë të motivuar e të vendosur për të luftuar kundër tyre. Pyetja shtrohet : atëherë po pse tani  kur zgjedhjet kanë mbaruar dhe  i ka fituar padrejtesisht Rama ,ngrihen e thonë se në Shqipëri ka katër grupe kriminale , njëzet familje etj.  Ku ishin këto  ndërkombërar  para zgjedhjeve kur opozita dhe Zoti  Basha  thërrisnin me të madhe nuk shkohet në zgjedhje me Edi Ramën dhe kriminelët e armatosur?  Pse ata  i imponuan Bashës dhe opozitës një zgjidhje  turpruese me disa ministra teknik, figurant e pafuqi vepruese për rregullimin dhe zgjidhjen e problemit të  zgjedhjeve? Pse  i  mëshojnë  sot specifikisht temës së kriminalitetit , kur ai ishte një fenomen veprues edhe para zgjedhjeve? A mendojnë ata se me këtë veprim  dalin paqshëm dhe të larë  nga ndotja zgjedhore që krijuan? Jo , mendimi im është se ata nuk janë të pastërt dhe të larë me zgjedhjet  e qershorit 2017 në Shqipëri, por janë të  baltosur dhe me përgjegjesi. Ata jo vetëm nuk kanë qenë një arbitër i paanshëm zgjedhor por shumë të anëshëm e pro qeveritar. Më e pakta gjë që mund të thuhet është se kjo është e pandershme.

Tani Edi Rama erdhi në pushtet i vetëm  e me fuqinë e  parave dhe të armëve të bandave. Ata nuk i duhen më, por ai është i pa fuqishëm ti largojë, se i kërkojnë pjesën që kanë investuar . Në këtë raport interesash, bandat kanë filluar të sulmojnë fillimisht njera-tjetrën në Elbasan, Vlorë, Durrës, Shkodër, Lushnje etj, por njëherazi po i tregojnë dhëmbët edhe Edi Ramës duke i  bërë karshillëk në pushtetin vendor të cilin ka rrezik ta nëpërkëmbin shpejt aty ku nuk e kanë nën kontroll akoma. Pas pushtetit vendor bandat do të përplasen me segmentet e shëndosha  të policisë, shërbimit informative, prokurorisë, opozitës dhe segmenteve qeveritare që nuk i përkrahin. Kam të dhëna nga shokë, miq e dashamirë se në Shkodër, Lezhë, Lac, Fush-Krujë, Vorë, Tiranë, Shijak, Durrës, Elbasan, Lushnje, Vlorë etj shumë pronar dyqanesh, trojesh e banesash  e biznesesh të vogla ,po largohen nga pronat e tyre nga presioni i bandave. Në shumicën e rasteve ata ju ofrojnë një ofertë poshtruese dhe më pas në se nuk ja arrijnë qëllimit,  u drejtojnë grykat e armëve dhe tritolin.Por ky nuk është fundi se pas tyre  presioni do të drejtohet tek bankat dhe organet e drejtësisë. Kur e kudo që  bandat do të hasin në pengesa  ata më së pari e pastrojnë vendin me armë. Kjo është 1997-ta  e re që po gatuhet në vorbullën e ideve e të praktikave të  Edi Ramës.

Në gjykimin tim, Edi Rama është i falimentuar në cdo kuptim, se  ai nuk ka para e  nuk ka mundesi ta thërras investitorin e huaj se është i pa besueshëm për te. Pra nuk mund të hap vende të reja  pune, nuk mund të bëjë investime publike  në infrastrukturë, arsim e shëndetësi etj. Edhe ne se bën përpjekje për ngritjen e rrogave e të pensioneve, ose do të shtojë borxhet (të cilat aktualisht  jane shume të larta), ose do të rrisë inflacionin që është po ashtu shkatërruese për ekonomine e Shqipërisë . Pra ky njeri i falimentuar  nuk i duhet askujt tjetër përvec bandave që vetë i krijoi. Atëherë pse duhet të mbahet në pushtet?  Shqiptarët nuk kanë nevojë për një shoumenë, hokatar e batutaxhi, qe kudo qe shkon ben teater , nje njeri  pa ide e platforma për të ardhmen e vendit. Ai nuk eshte reformator por thjeshte genjeshtar e nje mashtrues i kamufluar, te cilit s’mund ti besosh per asgje jo me te ardhmen e vendit .

Në këtë situatë është e nevojshme që  opozita jo vetëm të bllokojë foltoren e Parlamentit, por ta rrethojë   Parlamentin  , Kryministrinë, ministristë, sheshet e  kryqëzimet me  njerëz paqësor,e  jo të dhunshëm, për ta larguar nga pushtetit një orë e më parë Edi Ramën . Largimi i tij do të krijojë mundësinë dhe hapsirën e nevojshme për të luftuar dhe zhbërë strukturat organizative, parat, pasuritë , asetet dhe cdo gjë të mafias dhe të bandave kriminale të cilat janë një rrezik serioz për të ardhmen e Shqipërisë. Që 1997-ta të mos përsëritet më, këtij njeriu të papergjegjshem  i  duhet thënë NDAL.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat