I nderuar Bardhyl Mahmuti, ja përse i dal në mbrojtje Enver Robellit!

Opinione

I nderuar Bardhyl Mahmuti, ja përse i dal në mbrojtje Enver Robellit!

Elida Buçpapaj Nga Elida Buçpapaj Më 17 tetor 2017 Në ora: 20:56
Terroristi Jeton Lleshi, anëtar i AAK-së, i akuzuar për terrorizëm për dërgimin e granatës ruse në redaksinë e gazetës “Bota sot” dhe i dënuar me 10 vite burg nga Gjykata Federale Zvicerane së bashku me Bardhyl Mahmutin, ish anëtar i LPK-së.

I nderuar Bardhyl,

Lexova një shkrimin tuaj të shkruar më 25 korrik për “paparacin” Enver Robelli pasi që ky kishte botuar një foton tuaj ku keni dalë me Jeton Lleshin, i dënuar nga drejtësia zvicerane më 27 shtator, fajtor për vrasje të shumëfishtë në tentativë për dergimin e nje bombe ne redaksinë e Bota Sot e cila po te plaste na kishte vrarë te gjitheve.

Keto konkluzione janë të organizmave të specializuara zvicerane.

Më bëri përshtypje se në vend te indinjoheshit për krimin dhe kriminelin, e lavderonit ate për patriotizëm dhe mllefoseshit me Robellin.

Hetimi i çështjes është zviceran dhe procesi është mbuluar gjërësisht po nga shtypi zviceran, që kishte ekskluzivitetin. Enver Robelli, siç dihet, kontribuon tek Tages Anzeiger dhe ai i ka sjelle në shqip publikut ato që shtypi zviceran i ka botuar dhe publikuar në mediumet kryesore.

Por edhe sikur t’i botonte ai i pari, ky është misioni i gazetarit. Të hedhë dritë.

Fotoja juaj me Jeton Lleshin nuk perben as krim as faj. Por papergjegjesi intelektuale dhe morale përbën reagimi juaj kur anashkaloni tre fakte kryesore: I pari, se bomba do te shkaktonte kasaphanë; i dyti, kur presupozoni se ato që botonte Bota Sot nuk ishin të vërteta dhe, i treti, kur nuk e merrnit në konsideratë se me këtë hetim është marrë drejtësia zvicerane.

Tash vendimi përfundimtar dihet por asnje shqiptar ketu ne Zvicer nga ata qe pretendojne se i kontribuojne se vertetes nuk ka dale te solidarizohet me drejtesine zvicerane. Janë frikacakë, indiferentë, bashkëpunëtorë ?

Heshtja e tyre eshte zevendesuar nga enveriste, qe kanë rihapur kapitullin e kërcënimeve, qe aktin e terroristit Jeton Lleshi e quajne veper heroike, qe kriminelin e quajne Avni Rrustemi dhe për ne insinuojnë e na quajnë tradhtarë, njerëz të Beogradit, Esat Pashe qe e meritonim te vriteshim nga bomba.

Enverizmi shqiptar që gëlon në Zvicër dhe që mjerisht tolerohet nga komuniteti shqiptar, eshte i barabarte me nazizmin dhe me terrorizmin e të gjitha ngjyrave sepse ushqen dhunë e urrejtje .

Duke ju respektuar, ju ftoj te reagoni sepse në qasjen tuaj të 25 korrikut, i keni dale ne mbrojtje Jeton Lleshit, duke kujtuar veprimtarinë e tij patriotike dhe e konsideruar “gabim” krimin e tij por ndërkohë keni nënvizuar e jeni shprehur besimplotë tek drejtesia zvicerane.

Tash instanca më e lartë e drejtesisë zvicerane Gjykata Federale e ka dhënë verdiktin dhe Jeton Lleshi shpallet fajtor për tentativë vrasje të shumfishtë.

Përfshirja e Jeton Lleshit, sikur dëshmojnë fotografitë, në grupacione politike është një hipotezë se krimi që ka kryer ka konotacion të qartë politik. Jeton Lleshi është ekzekutori i krimit, po ideologu kush është? Veç kësaj, drejtësia zvicerane posedon edhe dy adn të tjera që presupozohet se Jeton Lleshi, kur e ka përgatitur bombën kundër botuesit Xhevdet Mazrekaj, kryeredaktorit dhe kolumnistes dhe ekipit te gazetarëve, ka qenë të paktën edhe me dy bashkëpunëtorë të tjerë.

Në raste të tilla hetimi duhet të jetë shterrues.

Kjo kërkon përgjegjshmëri. Por, në vend që të tregohet indinjatë ndaj aktit kriminal, rifillon një sulm i ri kundër gazetës Bota Sot, botuesit Xhevdet Mazrekaj, çiftit të gazetarëve Buçpapaj dhe Enver Robellit për faktin se ata ribotuan foto të kriminelit me kryefigura te politikës dhe figura publike.

Po kjo është detyra e shtypit. Aq më tepër kur në Kosovë rezultojnë të pazbardhura të gjitha vrasjet politike të gazetarëve.

E di që duket sikur fotoja me Jeton Lleshin të cënon integritetin, por prandaj duhet distancimi dhe dënimi i veprës kriminale.

Ramush Haradinaj, kryeministri i Kosovës duhet të vetdeklarohet, sepse është e turpshme që është idol i Jeton Lleshit. Edhe Bedri Islami e të tjerë. Është e vërtetë se Bedri Islami ka qenë në krye të LPK, por nuk besoj as se është enverist dhe se as është vrasës pasi të jatin e tij e ka eleminuar direkt diktatori Enver Hoxha dhe ai e ka provuar vuajtjen e diktaturës që fëmijë.

Segmenti kriminalo-terrorist shqiptar, tani si pjesë e krimit të organizuar duhet të identifikohet dhe neutralizohet nga drejtësia.

Disa ditë më parë në Kosove u rrah barbarisht gazetari Vehbi Kajtazi, nga të paktët gazetarë që denoncojnë mafien politike, ndërkohë që shtypi botoi foto të sulmuesit me Kadri Veselin, Azem Sylën dhe Milaim Zekën të cilin Kajtazi e apostrofonte në shkrimet e tij për krim të organizuar? Rastësi të jetë?

Ata që vrasin, sulmojnë e ndërsejnë mbrohen nga politika. Prandaj krenohen me foto se i përdorin ose si mburoja ose si kërcënim ose për spekulim.

Në rastin e Jeton Lleshit, krimi i tij konsiderohet nga nje segment ekstremist deri në Zvicër si vepër heroike, krimineli konsiderohet luftëtar dhe hero, ndërsa ata që i kish marrë në shenjester njollosen, denigrohen, poshtrohen. Ndaj tyre shpifet për të manipuluar opinionin se terroristi Jeton Lleshi është viktimë e tyre dhe se shenjestra e tij është fajtore, tradhtare, bashkëpunëtore e Serbisë.

Siç dihet, në Kosovë janë qindra dosje të vrasjeve politike të pluhurosura. Viktimat dhe familjarët presin drejtësi. Vetëm kur të veprojë drejtësia, sikur veproi në Zvicër me rastin e kriminalit Jeton Lleshi, atëherë do të funksionojë sistemi dhe shteti i së drejtës.

Ky duhet të jetë edhe objektivi i përbashkët kombëtar, pa dallime politike. Vendosja e shtetit ligjor i çon detyrimisht kriminelët prapa grilave dhe krijon siguri, besim të ndërsjelltë, unitet kombëtar, faktorizim të shqiptarëve dhe integrim të tyre në institucionet euro-atlantike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat