Ja si duhet të votojmë të dielën!

Opinione

Ja si duhet të votojmë të dielën!

Nga: Faton Mehmeti Më: 20 tetor 2017 Në ora: 15:51
Faton Mehmeti

E diela po afrohet, ndërkohë që po shtohen ethet e kandidatëve që konkurrojnë dhe qytetarëve të pa përcaktuar, se për kë të votojnë. Pjesa më e  madhe pritet që edhe kësaj radhe mos të votojë. Të votosh është e drejtë themelore e çdo shtetasi të Republikës së Kosovës. Kjo e drejtë është një nga të drejtat më të vështira të fituara në historinë e njerëzimit. Njerëz në botë kanë luftuar, protestuar, janë vrarë për ta fituar këtë të drejtë, ndërsa ne sot e shpërfillim dhe jemi indiferent të saj. E drejta e votës është e drejtë qytetare për të gjithë. Nëse duam të ndryshojmë, më parë duhet të votojmë dhe të zgjedhim. Disa e mendojnë mos votimin si një zgjedhje dhe zgjidhje, sepse duke mos votuar ata zgjedhin diçka, të qenurit indiferent dhe jo hipokrit. Nga ana tjetër, ata mendojnë se është absurde “ të zgjedhësh të keqen më të vogël” kur nuk mund të zgjedhësh askënd. Të mos votosh nuk është zgjidhje dhe as zgjedhje.

Duke qëndruar në heshtje, duke mos votuar ne ia lëmë në dorë zgjedhjen një grupi militantësh, të cilët kanë të rrënjosur thellë ndjenjën për të votuar për partinë e tyre. Duke ia lënë në dorë një grupi njerëzish të votojnë, në pushtet do të vijnë ata që kanë më shumë para, më shumë pushtet dhe jo të duhurit, që do të sjellin ndryshimin e këtij vendi. Të zgjedhurit e “të keqës më të vogël”, sigurisht nuk është zgjidhje, por me votën tënde ti nuk lejon atë, të keqen e madhe, të depërtojë dhe të vendosë për jetën dhe fatin e këtij vendi. E keqja ka depërtuar tanimë në qelizë të shtetit të Kosovës, prandaj kanë hapësirë jo vetëm të konkurrojnë , por edhe të zgjidhen kryetar komunave dhe  anëtarë të kuvendeve komunale njerëz të pa moralshëm, hipokritë, banditë dhe servilë shefave. Si është e mundur që i pranojmë, i lejojmë të sillen kështu, heshtim dhe nuk reagojmë? Si është e mundur që talljen me shtetin, politikën, qytetarët, zgjedhjet dhe demokracinë i pranojmë si normalitet, madje si sjellje trendi? Si është e mundur që nuk nxorëm mësime nga gabimet e të kaluarës dhe kemi kaq shumë pasion të përsërisim të njëjtat gabime edhe në të ardhmen?  Si është e mundur të denigrojë politika dhe institucionet deri në këtë pikë? Jo, ky vend meriton më shumë.

Në fund të fundit dhe ato përfaqësues politikë që kemi, janë ata që ne kemi vendosur aty më parë. I kemi fuqizuar , pasuruar, mbështetur dhe në fund themi se nuk kemi alternativa të mira për të votuar. Sot, Kosova ka nevojë për votues që më shumë se çdo gjë tjetër duan përmasimin e këtij vendi. Të votosh do të thotë të jesh i përfshirë në vendimmarrje, do të thotë të zgjedhësh i pavarur dhe i lirë alternativë më të mirë që do të plotësojë objektivin final, zhvillimin e komunave të Kosovës. Vota e ndëshkimit është ndër metodat më demokratike, për të treguar fuqinë e votës ndaj atyre që pushtetin e kanë shfrytëzuar për interesa të tyre. Nëse qytetarët nuk e përdorin votën e ndëshkimit, atëherë politikanët do të ndjehen komod  për të vjedhur dhe mos punuar asgjë.  Tani është koha e fundit për të votuar më pragmatik e jo emocional, për të grisur maskat e atyre që fshihen nën maskën e heronjve dhe luftës. Kosova  nuk është pronë e askujt, prandaj qytetarët duhet të shpëtojnë Kosovën nga politikanët e pandershëm dhe hajna, sepse politikanët vijën e shkojnë, por Kosova mbetet gjithnjë e popullit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat