Kosova në një sistem kompleks të politikës ndërkombëtare

Opinione

Kosova në një sistem kompleks të politikës ndërkombëtare

Nga: Mentor Tahiri Më: 8 nëntor 2017 Në ora: 20:36
Mentor Tahiri

Që nga themelimi i OKB-së kur nga fuqitë fituese të luftës së dytë botërore fillon të vendoset një rend i ri që më vonë fuqishëm do të përshkohet nga dekolonializmi, respektivisht lindja e kombeve të reja, anëtarësimi në këtë organizatë  është perceptuar përgjithësisht edhe si sigurim i statusit të shtetit. Pa harruar këtu rastet specifike të shteteve të cilave nuk u intereson anëtarësimi në OKB. “Selia e Shenjtë” mjaftohet me statusin e vëzhguesit. Zvicra deri së voni gjithashtu nuk ka shfaqur interesim për shkak të neutralitetit të saj ndërkombëtarisht të rregulluar, për të vendosur këtë vetëm pas referendumit të vitit 2002 kur 55% e qytetarëve zviceran votuan pro anëtarësimit.

Simbolika e OKB-në si kupolë e konfirmimit të shtetësisë, nuk u diskutua për një kohë të gjatë. Megjithatë, e drejta e vetos për anëtarët permanent të Këshillit të Sigurimit si një mekanizëm i ruajtjes së baraspeshës gjeopolitike në botë, ndonëse një kohë veç tjerash njëmend ka mbajtur nën kontroll “listën” e shteteve të cilat ekzistojnë, këtë nuk mund të thuhet se po e arrin në disa zhvillime të fundit në skenën politike botërore. Veçanërisht është i dallueshëm roli kundërshtues i Rusisë dhe Kinës kundrejt Kosovës.

Fatmirësisht, për shkak të specifikave të veçanta të Kosovës dhe legjitimitetit ndërkombëtare të vetë shpalljes së pavarësisë në koordinimin me komunitetin ndërkombëtarë, kjo kundërshti nuk ka mundur të ketë sukses në shumicën e organizatave ndërkombëtare ku Kosova ka aplikuar deri më tani. Gjithsesi është për t’u brengosur fakti se këto dy fuqi botërore kanë të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit, me çka Kosova do të përballët herët a vonë me rastin e aplikimit për t’u bërë anëtare e OKB-së. Anëtarësimi në OKB nënkupton praktikisht njohje kolektive të shtetësisë, por kur kjo mungon, atëherë një shtet i hynë rrugës së mundimshme diplomatike për krijimin e marrëdhënieve diplomatike me çdo shtet veç e veç.

Shtetësi të pretenduara

Është shumë e vështirë të thuhet me saktësi se sa shtete sovrane ka sot në botë. Ndërkohë ka shtete të tilla të cilat kanë subjektivitet ndërkombëtarë madje pa qenë në gjendje të ushtrojnë sovranitetin efektiv në gjithë territorin e vendit, madje as kompetencat policore në tërësi, sikurse në rastin e Palestinës e cila ka statusin e shteti vëzhguesit pranë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që nga viti 2012; apo edhe sovranitete të tilla jo territoriale si “Urdhri Sovran Ushtarak i Maltës”, i cili ka statusin e përhershëm të vëzhguesit që nga viti 1994. Gjithsejtë sot ka 193 anëtarë të OKB-së, si dhe 3 anëtar vëzhgues, nga të cilët dy njihen si shtete. Por rasti i Kosovës veç tjerash tregon se jo çdo gjë mbaron këtu.

Sistemi politik ndërkombëtarë, sot është më kompleks se asnjëherë. Në kuadër të tij ka një rrafsh shumëdimensional aspektesh të së drejtës ndërkombëtare apo edhe të funksionimit praktik lidhur me ekzistimin e një shteti, qoftë edhe pa qenë anëtar në OKB. Republika e Kinës (Tajvani) është shembull i mirë i funksionimit qoftë edhe me minimum marrëdhënie diplomatike me shtete tjera, por me shumë prani ekonomike e së këndejmi me marrëdhënie diplomatike ekonomike jo formale, por shumë aktive.

Ngjarjet të cilat ndodhën në Evropën e dikurshme komuniste i dhanë fund diktaturës politike me ç’rast vjen në shprehje një valë e re aspiratave për pavarësi. Një segment i veçantë në krijimin e një kaosi “të kufijve” ka ndodhur me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Përderisa vetë Rusia ka shuar me gjak pavarësinë e shpallur çeçene e cila madje ka njohur vitet e jetësimit de-facto të saj (1991-1994 dhe 1996-1999), sot gjithandej ish imperisë së dikurshme komuniste ka një varg territoresh të cilat pretendojnë shtetësinë. Një prej tyre është edhe Tatarstani për dallim nga përvoja e hidhur çeçene, ka tentuar shkëputjen e tij nga Federata Ruse me mjete politike. Tatarstani mbetet sot e vetmja Republikë në kuadër të Federatë Ruse, i cili ka detyruar Moskën zyrtare që t’i referohet si Shteti i Tatarstanit.

Por, përkundër që Moska me të gjitha mënyrat reziston në çdo përpjekje për pavarësim të popujve autokton, vetë ajo ka pretendime të drejtpërdrejta lidhur me territore brenda kufijve ndërkombëtarisht të pranuar të Gjeorgjisë. Vite me radhë Moska po bën presion të jashtëzakonshëm te disa shtete të cilat janë jashtë sferës së ndikimit amerikan dhe perëndimorë, që të njohin territore si Abhazia apo Osetia Jugore. Meqenëse ka një njohje sado minimale të këtyre dy territoreve si shtete të pavarura, nuk duhet neglizhuar faktin se Moska ka arritur që për këto territore të nxjerrë një “status” të shteteve pjesërisht të njohura ndërkombëtarisht. Abhazia dhe Osetia Jugore njihen nga Rusia, Nikaragua, Nauru dhe Venezuela; kurse janë revokuar dy njohje të mëparshme nga Vanuatu dhe Tuvalu.

Aktualisht, një potencial për ndryshime kufijsh ka edhe në lindjen e mesme. Ambiciet kurde për shpalljen e pavarësisë në kufijtë e tanishëm aktual të Autonomisë Kurde në veri të Irakut, duket se së paku tani u stopuan nga qëndrimet ofensive të Turqisë, e cila bëri me dije për një varg masash me të cilat një Kurdistan i pavarur mund të përballet, duket përmendur sanksionet ekonomike e deri te ndërhyrja ushtarake. Ndërsa menjëherë pas referendumit për pavarësi, ndodhi rikthimi i pushtetit të Bagdadit në Kirkuk, i cili edhe ishte i vetmi kontest territorial ndërmjet një shteti potencial kurd dhe pjesës tjetër të Irakut. Në njërën anë kjo mund të kuptohet si privim i shtetit potencialisht të ri nga resurset e pasura të naftës, por ndoshta edhe zgjidhje e akorduar e mosmarrëveshjeve territoriale, pas parasysh faktin se gjatë marrjes së kontrollit mbi Kirkuk, qeveria irakiane nuk hasi në ndonjë rezistencë serioze as ushtarake as politike.

Kosova një rast i veçantë i argumentueshëm

Vatrat aktuale që lindin nga aspirata të ndryshme për shtetësi të reja, përfshirë këtu edhe ngjarjet politike në Kataloni, nuk mund të gjejnë një analogji me Kosovën. Kosova përmbushë të gjitha kriteret siç është e paraparë nga Konventa e Montevideos, dokument ky i rrallë i përgjithshëm i se drejtës ndërkombëtare i cili definon atributet e nevojshme për ekzistimin e një shteti. Vetë pavarësia e Kosovës në aspektin e të drejtës ndërkombëtare u legjitimua nga mendimi i GJND-së me 2010, për t’i hapur Kosovës tutje rrugën në kuadër të sistemit politik ndërkombëtarë. Represioni shtetëror deri me 1999 e madje dhe së fundi deportimi masiv i popullsisë së Kosovës janë një de-legjitimim shtesë i çfarëdo pretendimi të Beogradit zyrtarë mbi Kosovën.

Rrugëtimi i Kosovës për të qenë shtet, së paku nëse merret si bazë një dokument legjislativ, praktikisht fillon aktet e Kuvendit të Kosovës me 1990, një hap ky më pas i përcjellë edhe nga vendime të tjera bazuar në të cilat do të funksionojë nën hije Republika e Kosovës, atëherë e panjohur ndërkombëtarisht. Ishte ky një proces i cili përgjithësisht në politikën ndërkombëtare njihet si shpërbërja e Jugosllavisë, por në të cilin komuniteti ndërkombëtar nuk njihte rolin e hershëm të Kosovës ngase ajo në sistemin politik jugosllav kishte statusin e krahinës autonome dhe jo të republikës. Vendimet e legjislativit kosovar të vitit 1990 dhe 1991 i cili nga Serbia konsiderohej si i “suspenduar”, nga aspekti i të drejtës ndërkombëtare sot nuk njihen si paraprijëse të Republikës së sotme të Kosovës, e madje për këtë është vështirë të gjendet edhe një konsensus brenda mendimit politik në Kosovë, gjë që u dallua gjatë luftës në Kosovë dhe sidomos pas vendosjes së kontrollit ndërkombëtarë me 1999.

Në këtë aspekt sidoqoftë, Kosova sot paraqitet si unike edhe për faktin se pavarësia e saj është shpallur dy herë. Shpallja e pavarësisë me 17 shkurt 2008, ishte një kompromis i dyfishtë në kuadër të konstalacioneve të atëhershme. Në njërën anën mekanizmi i pavarësisë përkohësisht të mbikëqyrur paraqiste kompromisin brenda akterëve relevant ndërkombëtarë sa gati për një çast përfshiu edhe Rusinë; kurse në anën tjetër është kompromis historik i popullatës shumicë në Kosovë që të hiqet dorë nga krijimi i një shteti kombëtar shqiptar në Kosovë (qoftë edhe si fazë kalimtare drejt një shteti të bashkuar shqiptar), ashtu siç ishte pretenduar gjatë aktiviteteve politike dhe të armatosura për çlirimin e vendit. Në gjithë këtë është e padiskutueshëm vullneti plebishitarë i popullit të Kosovës për pavarësi.

Por ajo që është me rëndësi dhe që thellon akoma më qartë dallimet mes Kosovës dhe disa aspiratave tjera për njohje të shtetësive, është pikërisht fakti se Kosova u shpall shtet i pavarur në akordim dhe pajtueshmëri të akterëve ndërkombëtarë. Në këtë relacion, pretendimet e Beogradit apo edhe ato të ngjashme me të se në rastin e Kosovës bëhet fjalë për një shtet të vetëshpallur assesi nuk qëndrojnë.

Por duhet pranuar se një varg kontestesh aktuale në botë, e komplikojnë vendimmarrjen kundrejt Kosovës, duke mos lejuar që të rrumbullakohet deri në fund anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare. Shumë shtete ngurojnë të deklarojnë njohjen e Kosovës pikërisht nga frika se kjo mund të ketë pasoja në organizimin e tyre të brendshëm politik apo territorial. Rëndom këto shtete nuk kanë probleme tjera të natyrës gjeopolitike, përveç atyre me frenimin e aspiratave për pavarësi apo më shumë autonomi brenda tyre.

Në këtë kategori hynë katër nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që i rezistojnë njohjes së paku formale të Kosovës. Spanja për shkak të Katalonisë dhe Tokave Baske; Rumania për shkak të 2 milion hungarezëve në Transilvani; Sllovakia për shkak të 1 milion hungarezëve; Qipro pjesërisht për shkak të frikës nga ndarja e veriut turk, por pjesërisht edhe duke përcjellë qëndrimin e Greqisë.

Më një diplomaci të saktë e cila një specifikat e shteteve të caktuara, diplomacia kosovare duhet të prezantojë faktin se Kosova paraqet një rast të veçantë. Në anën tjetër, potencialet e Kosovës sikurse edhe çdo shteti tjetër të vogël janë të kufizuara sa i përket themelimit të marrëdhënieve të drejtpërdrejta diplomatike me secilin shtet veç e veç, andaj ajo që sot përcakton peshën e subjektivitetit ndërkombëtarë, është anëtarësimi në organizata ndërkombëtare dhe aktiviteti konkret brenda tyre, një shembull i një angazhimi të tillë kolektiv karshi një numri të madh të shteteve, si shembull mund të jetë lobimi në kuadër të Organizatës së Frankofonisë, e cila ka një potencial të jashtëzakonshëm divers në kuptimin politik, si dhe të shpërndarjes gjeografike.

Kosovës nuk i rrezikohet shtetësia, por subjektiviteti ndërkombëtar

Pavarësisht se në kushtetutën e Serbisë e cila ka hyrë në fuqi në vitin 2006, Kosova vazhdon të përmendet si pjesë e Serbisë, madje që në fillim në tekstin e preambulës, opinioni publik në Serbi çdo herë e më shumë kupton se në Kosovë është krijuar një realitet i ri. Gjithsesi këtu duhet përmendur faktin se kushtetuta në fuqi e Serbisë ka ardhur në shprehje para vetë shpalljes së pavarësisë nga ana e Kosovës. Në këtë drejtim mund të konsiderohet se dështimi i ligjvënësve serb në pranimin e realitetit të ri, konsiston në faktin e mungesës së amandamentimeve për të liruar vetë Serbinë nga pretendimet mbi Kosovën. Në anën tjetër, procesi i bisedimeve në Bruksel, respektivisht Marrëveshja bazë e arritur në Bruksel me 2013, ka detyruar Serbinë që të njeh legjitimitetin e institucioneve të Shtetit të Kosovës dhe që për të njëjtën të zotohet edhe para komunitetit ndërkombëtarë.

Serbia politike që tani e ka të qartë se Kosova është shtet dhe nga shtetësia nuk ka kthim prapa. Retorika e cila vazhdon të përdorët megjithatë po bëhet më e matur kur bëhet fjalë për bartësit institucional në Serbi. Vetë Presidenti Serb në fund të tetorit, pas takimit me ndihmës-sekretarin amerikan të shtetit Hoyt Brian Yee, ka pranuar se nga zyrtari amerikan ka marrë mesazhe të qarta se nuk guxon të preket sovraniteti i Kosovës. Tutje në detaje të cilat janë shpërfaqur edhe nga zyrtarë të tjerë serb është përmendur viti 2018 si afat reflektimi për qëndrimin zyrtar serb karshi shtetësisë së Kosovës, si dhe vet 1 Janari 2019 si fund i këtij afati.

Megjithatë, sistemi politik ndërkombëtarë i sotëm është mjaft kompleks dhe pikërisht këtu Serbia tenton të gjejë disa vrima ku mund të veprojë. Lënë anash deklaratat e Beogradit zyrtar se nuk do të njohë Kosovën si shtet, ajo çfarë esencialisht Serbia tani synon është relativizimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Shtetit të Kosovës. Më saktësisht ka përpjekje që Kosova në sistemin politik ndërkombëtarë të perceptohet si një shtet me pavarësi të kufizuar, apo edhe të vendoset në një kategori me një varg territoresh të cilat de-facto funksionojnë si shtete, por që nuk e kanë të njohur shtetësinë e tyre. Natyrisht kjo nuk do të jetë një strategji haptazi e deklaruar, por një gjë e tillë që tani vërehet nga disa veprime të diplomacisë serbe në koordinim me Moskën dhe shtete të caktuara nën ndikimin rus.

Të kujtojmë se te deklarata surinameze për revokimin e njohjes së Kosovës, kyç ishte akordimi me Rusinë. Pavarësisht se si ky veprim mund të interpretohet nga aspekti i të drejtës ndërkombëtare, një është evidente, në këto rrethana më nuk mund të llogarisim në votën pro të Surinamit gjatë aplikimit për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Është më tepër një goditje psikologjike me qëllim të paralizimit të njohjeve të reja eventuale për Kosovën. Revokimi surinamez i njohjes së Kosovës, në mënyrë të qëllimshme është realizuar bashkë me revokimin e njohjes së Saharës Perëndimore.

Surinami është përzgjedhur dhe joshur me kujdes që të veprojë kështu. Kjo është një goditje e cila nuk i bën lajka vetëm Serbisë, por edhe shteteve që janë të implikuara në çështjen e Saharës Perëndimore, si Maroko dhe Algjeria. Shtuar këtu faktin se pjesa e Afrikës në të cilët gjendët Sahara Perëndimore ka edhe probleme me aspiratën e popullit tuareg për krijimin e një shteti të tij të pavarur, shihet se kjo gjithashtu paralizon një njohje të mundshme nga Republika e Malit.

Lënë anash Algjerinë e cila përgjithësisht ka një pozicionim gjeopolitik anti-perëndimorë, Maroko dhe  Mali janë shtete të cilat nuk kanë njohur ende Kosovën, pikërisht për frikën nga problemet e brendshme (Sahara Perëndimore, respektivisht çështja tuarege) dhe jo për shkak të rreshtimit të tyre gjeopolitik. Njohja nga këto shtete do të përmbyllte gjithë procesin e njohjes në Afrikën Perëndimore.

Pavarësisht se asnjë nga raste si këto nuk mund të krahasohen me Kosovën, megjithatë diplomacia kosovare duhet të jetë mjaftueshëm vigjilente që të mos lejojë asnjë hapësirë analogjie në këtë drejtim, duke goditur fuqishëm pika të cilat thellojnë dallimin përmes argumentimit të specifikave të veçanta të Kosovës dhe atributeve të shtetësisë së Kosovës të cilat janë në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare.

Vetë tërheqja nga kandidaturat për anëtarësim në Interpol dhe UNESCO, pavarësisht rrethanave të caktuara në relacionet e Kosovës me aleatët e saj, së paku duhet trajtuar si pësime nga të cilat duhet mësuar. Lobimi duhet të jetë më gjithëpërfshirës dhe me një koordinim shumë më dinamik me shtete aleate të Kosovës. Anëtarësimi në disa prej organizatave ndërkombëtare është çështje numrash, andaj Kosova duhet të shtrëngojë më shumë raportet diplomatike me shtete të caktuara në mënyrë që të njëjtat shtete të jenë qendra të fuqishme të lobimit për Kosovën.

Në këtë kuadër Kosova duhet të tentojë së paku nga një qendër të tillë në Afrikën Veriore, Azinë Juglindore, Amerikën Latine. Kjo nuk do të ishte e nevojshme në rast të anëtarësimit në OKB, ngase kjo do të nënkuptonte një njohje kolektive, por imponohet në situatën e tanishme. Diplomacia kosovare duhet të ketë parasysh se faza në të cilën gjendet, kërkon një lobim përtej kufijve të perceptuar të botës perëndimore. Kjo në asnjë mënyrë nuk cenon e as nuk vë në dyshim orientimet gjeostrategjike të Kosovës.

Sigurisht, parakusht çdo përmirësim në diplomacinë kosovare, është një vendim strategjik institucional që të fillohet njëmend me krijimin e diplomatëve të karrierës. Kosova nuk ka sot një trupë diplomatike në kuptimin e plotë të fjalës. Nuk duhet harruar se trendët në fushën e medias dhe përgjithësi të mirat që vijnë nga zhvillimi teknologjik, diplomacinë sot e shtrijnë edhe jashtë kuptimeve të deritanishme konvencionale. Duhet t’i ofrohet mundësi për të dhënë kontributin gjithë potencialit njerëzor në dispozicion.

Fatkeqësisht, faktorët relevant të politikëbërjes në Kosovë, nuk kanë arritur aspak të dallojnë momentumin e ndjeshëm gjeopolitik në të cilin gjendet vendi, andaj përbërja kuadrovike e diplomacisë kosovare, ka qenë pjesë integrale e pazareve politike. Emërimet e ambasadorëve dhe diplomatëve në përgjithësi, pavarësisht edhe nëse i janë nënshtruar proceseve formale të rekrutimit, deri tani janë thjeshtë politike-partiake, apo së paku me preferenca të natyrës së tillë, jo rrallë edhe familjare. Natyrisht, çdo respekt për përjashtimet të cilët me punën e tyre dëshmojnë profesionalizmin në diplomaci.

Deri tani, mosekzistimi i një trupe diplomatike të përbërë nga diplomatë të karrierës dhe jo nga kuadro partiake, ka reflektuar negativisht shumë ashpër në procesin e rrumbullakimit të subjektivitetit ndërkombëtarë të Kosovës. Çdo tronditje në skenën e brendshme politike ka shkaktuar edhe shkëputje të diplomacisë kosovare. Interpoli dhe UNESCO janë rastet më të dhembshme në këtë drejtim, pavarësisht se çdo proces ka specifikat e tij dhe rrethanat që mund të imponohen. Megjithatë, nuk ka luks që të lejohet përsëritja e disa përvojave të deritanishme. Një diplomaci më dinamike dhe më profesionale për Kosovën, sot është më shumë se strategjike, kurse për realizmin e plotë të subjektivitetit ndërkombëtarë të Kosovës dhe tutje mbrojtjen e tij, është jetike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat