Tragjikomedia e Zv/ministrave ogurzezë për Haradinajn

Opinione

Tragjikomedia e Zv/ministrave ogurzezë për Haradinajn

Nga: Mimozë Lakna Më: 9 nëntor 2017 Në ora: 15:10
Mimozë Lakna

Qeveria aktuale ka shënuar rekord sa i përket numrit të zëvendësministrave. Kabineti qeveritar përbëhet nga një numër i madh militantësh të subjekteve politike që i përkasin koalicionit PAN dhe partive më të vogla që janë pjesë përbërëse e tij.

Aq shumë pati emërime zëvendësministrash gjatë këtyre ditëve sa që kjo çështje u shndërrua në komedi.

Kudo nëpër Kosovë flitet për numrin marramendës të anëtarëve të Qeverisë së Kosovës. Nuk mbeti kush pa u akomoduar në kolltukët e ngrohta të ndërtesës gjigante të Qeverisë.

Nuk do të mund të ishte ndryshe përbërja e Qeverisë, kur dihet edhe mënyra se si u bë bashkë koalicioni PAN.

Situata me zëvendësministra si me qëllim, ka lënë në hije çështjen e liberalizimit të vizave, për të cilin kryeministri aktual kishte premtuar se do të përmbushet pas tre muajve të qeverisjes së tij.

Kjo nuk do të ndodhë. Liberalizim pa miratimin e marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e zi nuk ka.

Tashmë janë bërë shumë arsye që Kuvendi të shtojë presionin ndaj qeverisë.  Numri i madh i kabinetit qeveritar, dështimi i liberalizimit të vizave, çështjet që kanë të bëjnë me njohjen e Kosovës, gjendja alarmante në fushën e shëndetësisë, janë vetëm disa nga arsyet e mjaftueshme për të cilat opozita duhet t`i kërkoj interpelancë Ramush Haradinajt.

Vëmendja e opinionit aktualisht është tek kabineti qeveritar i stërzmadhuar, por nuk do të thotë se çështjet e tjera janë të shkëlqyeshme në Kosovë.

Kështu “rehatimi” i militantëve nuk nënkupton edhe marrëdhëniet e mira brenda përbrenda koalicionit PDK-AAK-Nisma AKR. PDK nuk pajtohet me qëndrimet e AAK-së sa i përket çështjes së demarkacionit.

Në një linjë me PDK-në, si gjithherë është edhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i cili kërkon miratimin e marrëveshjes, të cilën e ka nënshkruar në vitin 2015 në Vjenë.

PDK u bë bashkë me opozitën dhe votoi mocionin kundër qeverisë Mustafa.

Andaj, ka shumë mundësi që PDK ta rrëzoj edhe qeverinë Haradinaj për këtë arsye.

Mos marrja e vendimeve të mëdha, u përdorën si justifikim për rrëzimin e Qeverisë Mustafa. I njëjti “shkas”, mund të përdoret i PDK-së për rrëzimin e Harainajt dhe qeverisë së tij. Shihemi në Pranverë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat