Shtetet e reja në Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe sfidat me të cilat ata përballen

Opinione

Shtetet e reja në Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe sfidat me të cilat ata përballen

Nga: Burim Breznica Më: 10 nëntor 2017 Në ora: 10:55
Burim Breznica

Politika nderkombëtare apo globale është një lloj skene e ndeshjeve dhe konkurrencës mes shteteve të ndryshme, ku shtetet e vjetra, por edhe ato të reja synojnë të kenë ndikimin e tyre politik në rajon apo botë. Pastaj edhe në fushën ekonomike përmes kontrollimit të resurseve të rëndësishme natyrore (si psh. nafta, uji, pasuritë minerale etj.) si dhe në fushën gjeopolitike duke shfrytëzuar pozitat e rëndësishme strategjike për përfitime politike dhe ekonomike.

Krijimi i shteteve të reja politike në Evropë

Traktati i Paqes së Versajes  i vitit 1648 ka dhënë tiparet e para në kuptimin e shteteve moderne në Evropë. Ai traktat kishte përfunduar luften 30 vjecare të asaj që njihej si Perandoria e Shenjtë Romake (The Holy Roman Empire) dhe pjesës tjetër të Evropës së asaj kohe, gjë që solli ndarjen hartografike në bazë territoriale. Në atë kohë u arrit marrëveshja që për të qenë një entitet si shtet duhej pasur këto atribute: një territor apo kufij të definuar, një qeveri që kontrollonte atë territor, popullin dhe sovranitetin e vendit.  Shteti ne kuptimin edhe me modern definohet si një institucion politik i organizuar me autoritet dhe fuqi për të qeverisur një territor dhe popullin e tij duke mbetur i pavarur në raport me shtetet tjera (Jackson dhe Rosberg, 1985). Shtetet e reja janë ato që në kohe jo të largët fituan pavarësi për të kontrolluar punët e tyre të brendshme dhe të jashtme duke qene edhe sovrane e me integritet territorial. Psh. si shtete të reja në politikën globale mund të përmenden: Angola (1975), Cape Verde 1975, Surinami (1975), Eritrea 1993, Uzbekistani (1991), Kosova (2008), Sudani Jugor (2011) etj.

Shtetet e reja në kuptimin zhvillimor (shtete në zhvillim e sipër)

Aktualisht në botë, shumica e shteteve që dominojnë në aspektin ekonomik dhe zhvillimor janë shtetet kapitaliste perëndimore, Japonia dhe deri diku edhe Kina (kjo e fundit ka shumë deficite).  Ato shtete dallohen me fuqi të konsiderueshme ushtarake, ekonomike, ato kanë lidership stabil, kapital njerëzor dhe resurse e teknologji të zhvilluar. Kurse shtetet e reja në kuptimin zhvillimor janë të gjitha ato që nuk kanë ekonomi të zhvilluar, ato shtete kanë probleme me papunësi, me jostabilitet politik, me korrupsion, me institucione jo të zhvilluara, me sistem arsimi të dobët, pastaj me probleme sociale etj. Shtetet e zhvilluara kuptohet që kanë më shumë fuqi dhe nxjerrin më shumë përfitime në resurset globale përmes territorit e fuqisë mëtë madhe, kontrollit, ndikimit në rajone të ndryshme apo në institucione globale. Ato kanë korrur përfitime edhe përmes globalizimit dhe industrive të avancuara të orientuara në prodhimtari dhe teknologji të reja dhe elektronike dhe duke shitur produktet e tyre në tregjet globale. Konkretisht duke shitur produktet e tyre në tregjet e vendeve në zhvillim që nuk kanë ndonjë prodhimtari të avancuar që mund të konkurrojë me vendet me ekonomi të zhvilluara. Fuqite e tyre ushtarake, ekonomike apo në resurse njerëzore ju sigurojnë vendeve të zhvilluara ndikim shumë më të madh në marrëdhëniet dhe institucionet ndërkombëtare, kurse në anën tjetër shtetet e reja e kanë shumë më vështirë të shtrijnë ndikimin e tyre në sferën globale, pastaj ju mungon tradita dhe përvoja si dhe qeverisja dhe menaxhimi i mirë me resurse njerëzore dhe ato ekonomike. Si shembuj të shteteve në zhvillim janë: Haiti, Liberia, Kosova, Maqedonia, Letonia etj.

Sfidat e shteteve të reja në Marrëdhëniet Ndërkombëtare

Njohja ndërkombëtare e një shteti fillimisht është një nga sfidat kryesore të shteteve të reja dhe kjo është fundamentale për një shtet në mënyrë që të arrij më lehtë të anëtarësohet në OKB, në institucione tjera ndërkombëtare politike, ekonomike,kulturore, sportive etj. Sfidë tjetër e shteteve të reja është krijimi i një pozite dhe vendi me ndikim në skenën globale por ajo përcaktohet edhe nga fuqia ushtarake, ekonomike, politike etj. Problem dhe sfidë tjetër shumë e madhe për shumicen e vendeve në zhvillim dhe ato të varfëra është qeverisja dhe keqmenaxhimi institucional në vend. Qeverisja e keqe e brendshme është një nga faktorët kryesorë nga i cili nuk ka zhvillim ekonomik, por ka papunësi, pasiguri, korrupsion dhe varfëri të qytetarëve, kurse një pjesë e vogël e zyrtarëve qeveritarë pasurohen në kurriz të të tjerëve (F. Fukuyama, State-building 2005).

Një sfidë tjetër për shtetet e reja ështe edhe globalizimi. Dihet se globalizimi sjell shumë dobi edhe për shtete të reja si psh. qarkullim dhe tregti e lirë (me përjashtime), produkte globale si psh ato të Apple, psh. filma amerikanë dhe francez apo ushqime, muzikë dhe rrobe nga mbarë bota. Transfer dijeje, specializime në universitete prestigjioze dhe këmbim përvojash ndërkombëtare etj. Por në anën negative edhe krimi qarkullon goxha lirshëm globalisht. Për shtetet e reja sfidë e vecantë është se shumica e tyre nuk kanë prodhimtari të zhvilluar dhe kanë teknologji të prapambetur e nuk mund t’i përballojnë konkurrencës së fuqishme perëndimore me teknologji të avancuar dhe si rezultat ato mbeten vende konsumuese dhe të orientuara në tregti. Me fjalë të tjera, të varura ekonomikisht, teknologjikisht dhe intelektualisht nga shtetet e zhvilluara. Kjo pastaj krijon varësi dhe politikanë servilë, të padijshëm (me ndonjë përjashtim) që nuk dijnë të mendojnë me kokën e vet dhe as nuk kanë dije e guxim të mbrojnë interesat e këtyre shteteve në raport me fuqi apo unione rajonale që kanë interesat dhe agjendat e tyre politike dhe zhvillimore. Si një shembull mund të jetë Nigeria, edhe pse e pavarur që nga viti 1958 (ishte koloni e Francës) dhe me resurse të konsiderueshme ekonomike ende ka varfëri të madhe, papunësi, jostabilitet politik dhe goditet nga terrorizmi e ka ikje truri nga vendi. Një nga arsyet kryesore për këtë situatë është se Nigeria gati se ka pushuar të prodhojë ndonjë gjë dhe është tërësisht e varur nga importet e jashtme dhe lehte e shantazhueshme nga fqinjtë dhe shtetet më të mëdha që mund të kenë interesa tjera. Tjetër faktor është edhe keqmenaxhimi institucional dhe liderët e dobët e pa vizion.

Shumë gjëra që u shkruan më lart vlejnë edhe për Kosovën dhe Shqipërinë sic mund të merret me mend. Kosova është ndihmuar shumë nga vendet përëndimore mike në të kaluarën dhe vazhdon të ndihmohet edhe tani. Por duke qenë vend pa ndonjë prodhimtari të zhvilluar, si rezultat pa eksport dhe pa teknologji të avancuar është e varur nga importet e jashtme. Duke mos pasur sisteme dhe kuadro arsimore të avancuara dhe kompetitive me vendet e zhvilluara do të jetë vështirë të arrihen inovacione ao shpikje të ndryshme apo edhe të prodhohen teknologji të reja më përparësi krahasimtare në raport me vendet e tjera. Si pasojë e kësaj dhe keqmenaxhimit institucional, nuk do të jetë e lehtë të sillen edhe investime strategjike të jashtme që do të mund të bënin ndryshimin, qoftë në krijimin e vendeve të punës, poashtu edhe në ngritjen e zhvillimit ekonomik të vendit. Liderët dhe pushtetarët aktual nuk duhet të mendojnë se vendet e industrializuara në fund do te ju sjellin dhe transferojnë dijet dhe teknologjitë e fundit globale sepse ato do të ruajnë ato teknologji dhe know-how (dijen dhe teknologjitë e punës) për vete në mënyrë që të vazhdojnë dominimin e tyre global (J. Rosenau, U. Petschow: Governance and Sustainability, 2005)

Në fund duhet ditur që zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik (nga i cili varet zhvillimi i shtetit në të gjitha fushat si në arsim, mjekësi, siguri etj.)  mund të arrihet vetëm me qeverisje dhe menaxhim të mire e pa korrupsion. Pastaj gjyqësia e pavarur, institucionet e përgjegjshme dhe llogaridhënia ndaj qytetarëve, nga niveli qendror në atë lokal do të jenë vendimtare nëse politikat për zhvillim të qëndrueshëm në një shtet do të arrijnë sukses në të ardhmen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat