Jerina e tre Lekëve

Opinione

Jerina e tre Lekëve

Nga: Gani Mehmetaj Më: 13 nëntor 2017 Në ora: 07:19
Gani Mehmetaj

Nga maja e Kështjellës dardane skaj Rrafshit të Dukagjinit lëshova një zë të zgjatur malësori: "Ehhehehe, ku je more, ku je?" Poshtë greminës së thepisur, prisja të zgjohej Jerina e fjetur e të më përgjigjej. Pas jehonës që u përthye valë-valë, heshtja e mbërtheu greminën me kurorat e maleve deri në pakufi. Ndërkaq, jehona e një legjende tjetër më vinte nga prapa bjeshkës edhe më tronditëse e më tragjike, me trima të vrarë e kalorës të kreshpëruar, që godisnin e merrnin goditje.

Doli Jerina kryeneçe e tunduese, atëherë kur mendohej se emri i saj do të lidhej vetëm me bukurinë e luleve, aromën dehëse të petaleve që në fillim e mbarim pranvere i lenin njerëzit pa mend dhe pa gjumë.

Princesha Jerina, e bija e princit shqiptar Lekë Dushmanit e la pa mend mbretërinë arbërore, nxiti dashurinë e burrave të shquar, por edhe mërinë e princërve në mes veti. Lekë Dukagjini ngrysej e zgjohej me mendjen në Jerinën e Lekë Dushmanit. Lekë Zaharia, princi tjetër me nam, gdhihej me Jerinën në zemër, duke i premtuar tokë e qiell. Por puna vajti deri aty sa dy princat u ndeshën egërsisht ne mes veti për zemrën e trupin e saj. Thuhej se Jerina e donte Leken e Zaharive, por Leka i Dukagjinit nuk e pranonte kurrë këtë dashuri. Nderi kalorësiak ua kërkonte dy Lekëve zemërak të luftonin për jetë a vdekje.

Nisi  ndeshja e egër që e dridhi fushën e dyluftimit: godiste Leka, e priste Leka tjetër, mbushej frymë e zemërim Leka, përballë tij Leka ia kthente me zemërim e frymëmarrje të renduar deri atëherë kur Leka Dukagjini mori goditje vdekjeprurëse nga Lekë Zaharia. Ushtarët  kur e panë  princin e tyre në atë gjendje, u sulen trimërisht kundër Lekë Zaharisë që ta bënin copë e grimë, por dolën ushtarët e Zaharisë para me po aq zemëratë.

Luftë e egër u bë atë ditë. Vringëllinin shpatat, çaheshin parzmorët, rrëzoheshin kuajt, bërtisnin  burrat. Pluhur e re u ngritë mbi fushë deri lartë në qiell. Britma e ofshama e mbuluan dheun. Vdiqën shumë burra. Jehona e betejës erdhi deri në qytet. Thuhet se ndërhyri edhe Vrana Konti, sepse fushën do ta mbulonin edhe më shumë trima të vdekur. Mori plagë derisa futej në mesin e burrave të kreshpëruar. Plagë në shpirt mori edhe Gjergj Kastrioti me të dëgjuar se në fushëbetejë në mes të arbërorëve u vranë gjithë ata trima që vendin e kishin përballë ushtrive armike.   

Kështu, pas asaj ngjarje tragjike kur u vranë 105 burra, kur Lekë Dukagjini po i mëkonte plagët,  Jerina me Lekë Zaharinë jetuan në kështjellën e tyre deri ditën kur Lekë Dukagjini, idhnak e hakmarrës nuk e vrau në gjueti Lekën e Jerinës.

Princesha Jerina, e bija e princit shqiptar Lekë Dushmanit e kishte dhënë fjalën si në eposin e kreshnikëve: fat ma të mirë nuk i dua vedit: Lekë Zaharia ishte fati e dashuria e saj tragjike. Me aromën e kujtimin e një burri do të vdiste, s'kishte kush t'ia zinte vendin. U mbyll në manastir, katër orë larg kështjellës. Pikëllimi po e mbyste.

Burra e gra betoheshin në tokë e në qiell, në Shenjtin Shën Koll se çdo natë e dëgjonin zërin e Jerinës së si e grishte me mall Lekë Zaharinë. Të tjerët ishin të sigurt se e dëgjonin Lekën se si e grishte përmallshëm Jerinën. Vajzave të reja zemra u copëtohej nga pikëllimi, burrave u shpëtonte nga gjoksi një psherëtimë e gjatë ngashëruese. Legjenda thotë pastaj se Jerina kaptoi male e dete, u vendos në manastirin e grave në Sardenjë. Aty e kaloi pjesën tjetër të jetës, në lutje e devocion. Askush nuk e thotë ia përmbushen dëshirën e fundit që trupin t'ia kthenin në vendlindje?    

Shekujt gati e qitën në harresë edhe këtë legjendë tragjike me Jerinën e bukur që s'pati as hak as hile, ndërsa vuajti deri në fund të jetës për bukurinë që ia fali zoti, vuajti edhe për dashurinë që nuk e gëzoi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat