Premtuan, nuk po e bëjnë, po dështojnë

Opinione

Premtuan, nuk po e bëjnë, po dështojnë

Nga: Mimozë Lakna Më: 13 nëntor 2017 Në ora: 22:12
Mimozë Lakna

Janë bërë më shumë se dy muaj që kur Presidenti i vendit Hashim Thaçi, kishte dhënë premtimin e radhës për formimin e Ushtrisë së Kosovës. Thaçi kishte deklaruar se ushtria do të bëhet deri në fund të vitit, mirëpo nuk kishte treguar se si do të ndodhë një gjë e tillë, duke marr parasysh kundërshtimet e Listës serbe.

Ushtria është pjesë përbërëse dhe elementare e secilit shtet në botë. Si e tillë do të duhej të ishte edhe për Kosovën. Premtimet për formimin e ushtrisë kanë shkuar deri në atë masë sa të konsiderohen edhe si të tepërta.

Aktualisht, gjithë vëmendja e organeve shtetërore, është kthyer tek marrëveshja e mbetur pezull me Malin e zi, sa i përket shënjimit të vijës kufitare. Edhe një muaj kanë mbetur deri në fundvitin e paralajmëruar nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Plane për formimin e ushtrisë nuk ka. Kushti kryesor vazhdon të mbetet, ndryshimet kushtetuese me dy të tretat në Kuvendin e Kosovës.

Pjesë e qeverisë është Lista serbe e cila kundërshton këto ndryshime. E njëjta nuk pranon që Kosova të ketë ushtrinë e saj. Kompromiset për pushtet me këtë listë po e marrin në qafë vendin.

Presidentit Thaçi, nuk i kishte funksionuar as nisma që me anë të ndryshimit të ligjit për FSK-në ta themelonte ushtrinë e Kosovës, ani pse e njëjta kishte kaluar deri në Kuvend për t`u shqyrtuar nga deputetët.

Me premtimet e Presidentit Thaçi, qytetarët janë mësuar kaherë. Premtimet megalomane Thaçi i kishte “specialitet” nëpër fushatat  zgjedhore sa ishte kryetar i PDK-së.

Rrugën e tij e ka vazhduar edhe Ramush Haradinaj, i cili në fushatë kishte premtuar formimin e ushtrisë dhe liberalizimin e vizave pas tre muajve të qeverisjes.

Por, me të marr postin e kryeministrit, Haradinaj duket se ka harruar të mbajë premtimin e madje as nuk diskuton për atë që kishte thënë para se të vinte në këtë post.

Ka angazhuar një staf rekord për kryerjen e punëve shtetërore, Ministra, zëvendësministra e këshilltarë. Nuk dihet se çka do t`i shërbejnë vendit gjithë ai “nam qeveritarësh”, por ajo që dihet është se buxhetit do t`i kushtojnë shumë.

Cdo ditë po befasohemi nga emërimet e papritura të zëvendësministrave që po i bën Haradinaj. Për fat të keq, ende nuk po mund të befasohemi për ushtrinë dhe liberalizimin e vizave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat