Murgesha e re Jerina

Opinione

Murgesha e re Jerina

Nga: Gani Mehmetaj Më: 14 nëntor 2017 Në ora: 07:16
Gani Mehmetaj

Prapë më dilte parasysh, më ngatërrohej pamja e Jerinës tjetër, po aq e bukur, po aq lozonjare, po aq e dhënë pas luleve. Në Jerinën urbane me xhins e xhakavento u dashurua djaloshi i qytetit. Askush nuk u doli para t'ua eklipsonte dashurinë, s'pati rival që do të kërkonte dyluftim. Një përleshje me fytyrë të gjakosur në diskotekë për hiret e Jerinës, një bërryl në ije për ndëshkim pse ai e mbante në përqafim të bukurën e qytetit, nuk quheshin luftë për jetë a vdekje.  Megjithatë ua kishin lakmi jo vetëm rininë e dashurinë.

Një ditë i zgjedhuri i Jerinës, Leka nga cepi i Rrafshit të Dukagjinit, atje ku dikur ngjizeshin legjendat,  iku në luftë, apo e  morën në luftë,  legjenda urbane nuk e sqaronte. Tym e flakë shkonte fati i luftës . Bota po përmbysej. E priti Jerina Lekën e tij pa u ankuar dhe pa u tunduar në dëshirimet e djemve tjerë. Pyeti gjithandej. Përgjigje nuk i dha askush. E shihnin me keqardhje, rrudhnin me supe. 

Megjithë shpresën e madhe fjalë a lajm nga ai nuk mori. Dikush tha se Leka ra në një rrafshnaltë të trishtë nga një plumb snajperi. Vrasësi nuk ia pa as fytyrën, as nuk e njohu më parë, e kishin urdhëruar se duhej të vriste këdo që lëvizte prapa hendeku armik. Dhe prapa hendekut armik lëvizi Leka i Jerinës, prandaj ushtari i huaj e vrau. Ashtu thuhej në një lajm tronditës. Kaloi një kohë, kumti as u përsëritë as u vërtetua.  

Një tjetër kumt u shpërnda më shpejt se sa i pari, më pak tragjik, por jo më pak i dhimbshëm për Jerinën. Sipas kumtit të ri djaloshi u martua me një bionde të skajit verior të kontinentit. Biondja kishte fytyrë edhe më të bardhë se Jerina e  Rrafshit të Dukagjinit. Jerinën e sëmboi më shumë lajmi që ai u martua me një biondine me lëkurë më të bardhë se ajo, se sa kur i thanë se e vranë në një qafë mali a rrafshnaltë të trishtë. Prapë nuk donte ta besonte as të parën, as të dytën.
Nuk e pranonte të vdekur as të martuar.  

Ajo e dinte që i dashuri i saj po të qe gjallë një lajm do t'ia dërgonte, po të kishte rënë në luftë një kumt i fshehtë do t'i vinte, ndërkaq, as i vinte lajm nga i dashuri, as nuk i erdhi kumti i fshehtë.   

Vendosi t'i kushtohej botës së përtejme, sepse kjo botë nuk i ofroi atë që ia premtoi. Të vinte dorë mbi vete, nuk ishte në natyrën e saj, të martohej aromë burri tjetër nuk donte. Ajo nuk e donte as jetën e mishit e të gjakut. Nëna i vdiq, babai ra në shtrat nga pikëllimi, i dashuri nuk jepte shenja jete.

Jerina e bukur u mbyll në manastirin e vetmuar, në mes të dy kurorave malore, atje ku paqja e qetësia të grishnin, të bënin t'i zbusje dhimbjet e shpirtit. Aty nuk ishte e vetme në vuajtje e pikëllim, simotrat pendestarë e kuptonin dhe e trajtonin mirë. Jerina nga cepi i Rrafshit të Dukagjinit ndoqi rrugën e princeshës së Lekë Dushmanit, i ngrysi ditët në manastir. Atje do të jetonte për kujtimin e dashurisë me devotshmëri, sepse gjithnjë e më shumë i shtohej dyshimi se ai nuk ishte në mesin e të gjallëve. Në fillim fantazonte që Leka do të vinte, do të hapte me rrëmbim dyert e forta të manastirit dhe do ta merre me vete. Qante kur e imagjinonte këtë pamje si në filma.

Kjo shpresë me kalimin e viteve i zbehej gjithnjë e më shumë, shpesh i përftonte mendimi: "Ai nuk është në mesin e të gjallëve, ai nuk do të martohej kurrë me një tjetër, le të jetë edhe më bionde se unë". Këtë  bindje  ia forcoi flutura me krah të shkruar që ra mbi petalet e një lule, ku qëndroi pak më parë bleta. Ajo rrinte në kopshtin e manastirit dhe dëshironte të bëhej lule si kjo lule që lëshoi aromë aq të njohur e aq drithëruese. Një rrymim i ftohtë ia përshkoi trupin. Nisi t'i mbushej mendja se kjo aromë, ardhur nga larg bashkë me erën e njohur, ia sillte edhe erën e rënde të dheut. Aroma e trupit të tij, bartur nga poleni i bletës ia përkëdhelte shqisat, por era e dheut ia dridhte trupin. Ajo e kishte dëgjuar legjendën për mbretëreshën e luleve, emrin e të cilës mbante, e dinte se edhe i dashuri i Jerinës nuk u kthye kurrë nga lufta.

" Thua edhe Jerinës së Plator Dardanit  ia këputi shpresat aroma e luleve që ia solli flutura për t'i kumtuar se i dashur i saj nuk ishte në mesin e të gjallëve?".
Murgesha e re derdhi lot mbi petalet e luleve, në kopshtin e manastirit. E vajtoi në heshtje vdekjen e të dashurit. Flutura iku tutje nga pikat e njelmëta të lotëve. Askush nuk mori pjesë në pikëllimin e saj, e vetme dhe e braktisur nuk e përballonte dhimbjen.  

Në të ngrysur e gjeten pa ndjenja në kopshtin e manastirit me një lule në grushtin e shtangur.     

Netëve të kthjella jo vetëm murgeshat e manastirit por tërë krahina betohej se emri Jerinaaaa, përplasej dhimbshëm e me pëshpërima. Emri i saj pëshpëritej dymijë vjet nëpër këto hapësira.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat