Jo dialog me Serbinë, por me Shqipërinë

Opinione

Jo dialog me Serbinë, por me Shqipërinë

Nga: Prof.Dr.Mehdi Hyseni Më: 14 nëntor 2017 Në ora: 14:38
Prof.Dr.Mehdi Hyseni

Për të ekzistuar si shtet i pavarur dhe sovran, Kosova, patjetër, duhet të dialogojë  me Shqipërinë, jo me Serbinë, derisa kjo de fakto dhe de jure   ta njohë Kosovën. - Nuk ka opsion tjetër, o ribashkim me Shqipërinë, o nën mbikëqyrjen e Amerikës. Ndryshe, nuk do të “mbijetojë”  shteti  i Kosovës ngase “brenda natës”, do ta gllabronin Rusia dhe Serbia me aleatët e tyre tradicionalë të amalgamës filosllave.

Prandaj,  lidershipi i Kosovës dhe i Shqipërisë, duhet të përqëndrohen në objektivat dhe në interest afatgjata të doktrinës së politikës së jashtme parimore të përfilljes së drejtës historike të shqiptarëve mbi  territoret e Shqipërisë Etnike. Ndërtimi dhe zbatimi me konsekuencë i një politike të këtillë mbarëkombëtare shqiptare, është garanti kryesor për zgjidhjen me mjete paqësore të problemit kolonial me vendet fqinje sllave të Ballkanit. Ndryshe,  status quo-ja ekzistuese e moszgjidhjes së këtij problemi shekullor mes  shqiptarëve dhe sllavëve kolonialistë të Ballkanit, imponon luftën e pareshtur antikoloniale të shqiptarëve kundër  robërisë qindravjeçare të elementit sllav, të ngulitur me forcë dhe me gjenocid në trupin e shëndoshë autokton të Shqipërisë Etnike (1876-2017).

Për të arritur një kompromis politik me kolonialistët   dhe imperialistët sllavë, që me çdo kusht dhe në mënyrë të vullnetshme e me paqe, të braktisin territoret indigjene të Shqipërisë Etnike (gjë që deri më sot nuk ka ndodhur që shtetet kolonialiste me dëshirë dhe në mënyrë paqësore, të heqin dorë nga kolonitë e tyre në Azi, në Afrikë, e së këndejmi edhe në Ballkan, siç janë Serbia, Greqia, Bullgaria  dhe Mali i Zi), Prishtina dhe Tirana zyrtare, domosdoshmërisht, duhet të gjejnë gjuhë të përbashkët me Amerikën dhe me aleatët e saj evro-perëndimorë, duke kërkuar njohjen dhe respektimin e së drejtës historike dhe të vetëvendosjes kombit shqiptar            mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara, që të jetë i shkolonizuar, i ribashkuar, i pavarur dhe sovran brenda kufijve historikë legjitimë dhe gjeopolitikë të Shqipërisë Etnike.

Kjo, do të ishte zgjidhja e drejtë dhe përfundimtare e çështjes koloniale shqiptare në Ballkan, duke u bazuar  në parimet e filozofisë së paqes së marrëdhënieve konstruktive dhe humane të bashkësisë ndërkombëtare dhe të rendit të ri juridik pozitiv ndërkombëtar, që, edhe shqiptarëve autoktonë në Ballkan, do t’u bënte të mundur të jetonin pa frikë në shtëpitë dhe në territoret e tyre të Shqipërisë Etnike.

Ky duhet të jetë objektivi prioritar i aksit politik dhe diplomatik Prishtinë-Tiranë, jo kurrfarë vazhdimi i dialogut të Kosovës me Serbinë, prapavija  e të cilit karakterizohet në blerjen e kohës dhe të dobësimit  të politikës shqiptare (Pishtinë-Tiranë) dhe të prishjes së marrëdhënieve të Kosovës dhe të Shqipërisë me partnerët ndërkombëtarë (në veçanti me Amerikën dhe me aleatët e saj evro-perëndimorë).
 
Prandaj, liderët politikë të Kosovës dhe të Shqipërisë urgjentisht, duhet të ndërtojnë dhe të praktikojnë strategjinë e njësuar të veprimit dhe të bashkëpunimit aktiv paqësor kundër politikës kolonialiste dhe ekspansioniste agresive ruso-sllave  në ripushtimin, në ricopëtimin dhe  në rianksemin e trojeve etnike shqiptare në Ballkan. 

Pra, pikësynim parësor i politikës dhe i diplomacisë shqiptare, duhet të jetë lufta dhe përpjekjet intensive kundër hegjemonizmit serbomadh dhe pretendimve territoriale ruso-sllave në Ballkan, duke u mbështetur në parimet dhe në objektivat e  Kartës së Kombeve të Bashkuara:  “  respektimi i së drejtës së vetëtvendosjes; rspektimi i të drejtave kombëtare, i të drejtave dhe i lirive të njeriut; respektimi i sovranitetit dhe i integritet territorial;  përmbajtja nga ndërhyrja dhe nga përzierja në çështje të brendshme të shteteve të tjera;  respektimi  i së drejtës së ligjshme të secilit komb, që të mbrohet qoftë individualisht ose në mënyrë kolektive;  përmbajtja nga përdorimi i forcës dhe ushtrimi i trysnisë ndaj vendeve të tjera;  përmbajtja nga aktet e agresionit ose kërcënimit me agresion, si dhe të përdorimit të forcës kundër integritetit territorial dhe pavarësisë së ndonjë vendi;  zgjidhja e të gjitha konflikteve ndërkombëtare me mjete dhe me rrugë paqësore, siç janë negociatat, paqësimi, arbitrazhi ose vendimet gjyqësore në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara;  respektimi dhe përmbushja e detyrimeve dhe e përgjegjësisë së subjekteve ndërkombëtare ndaj së drejtës ndërkombëtare, si dhe avancimi i interesave dhe i bashkëpunimit të ndërsjellë  të popujve dhe të vendeve të ndryshme në frymën e drejtësisë, të paqes, të mirëbesimit dhe të sigurisë kolektive në dimensione ndërkombëtare”. Të gjitha këto parime janë të detyrueshme për të gjitha shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara mbi bazën e traktatit të së drejtës së përgjithshme ndërkombëtare në përputhje me bashkësinë bashkëkohore ndërkombëtare dhe me sistemin juridik të OKB-së.

Prandaj, edhe Serbia si subjekt i së drejtës ndërkombëtare, është e detyrueshme dhe mban përgjegjësi për moszabitimin e këtyre parimeve të theksuara të rendit juridik pozitiv ndërkombëtar, duke qenë se ende ndodhet në hipotekën shekullore të kolonializimit mbi Kosovën dhe pjesët e tjera të Shqipërisë Etnike siç janë edhe  Novi Pazari (Tregu i Ri), Presheva , Bujanoci dhe Medvegja. Pa spastrimin e kësaj hipoteke, Serbia nuk ka të drejtë të jetë as anëtare e OKB-së, sepse ka shkelur parimet dhe objektivat e Kartës së OKB-së ngaqë ende nuk ka hequr dorë nga politika kolonialiste dhe imperialiste ndaj territoreve të Shqipërisë Etnike. Kjo shpërfillje flagrante e Kartës së OKB-së dhe e së drejtës ndërkombëtare nga ana e Serbisë kolonialiste  dhe gjenocidale (1876-2017) ndikoi drejtpërdrejt  dhe tërthorazi  në zhvillimin e kryengritjeve dhe të luftërave të shqiptarëve   kundër shtypjes, terrorit, gjenocidit dhe shfrytëzimit kolonial të Serbisë, të Malit të Zi dhe të Greqisë. Pra, lufta çlirimtare kombëtare dhe antikoloniale e kombit shqiptar (1876-2017)për të dalë nga zgjedha e sundimit kolonial serb-sllav, ishte  edhe  frymëzimi dhe ideali i UÇK-së (1992-1999) kundër sundimit fashist, totatlitar, terrorist dhe gjenocidal të hordhive çetniko-fashishte  të Serbisë mbi Kosovën shqiptare (1992-1999).

Për të mos u përsëritur terrori dhe gjenocidi serbomadh (1998/1999) mbi shqiptarët dhe mbi Shqipërinë Etnike, shtetarët dhe liderët politikë të Shqipërisë dhe të Kosovës, domosdoshmërisht nevojitet ta rindërkombëtarizojnë kërkesën e drejtë shekullore të popullit shqiptar për zgjidhjen e  çështjes koloniale shqiptare, duke kërkuar nga faktorët relevantë ndërkombëtarë, që pikësëpari, të ndërprejnë çdo dialog me Serbinë derisa kjo ta njohë Republikën e Kosovës.

Këtë konstatim tonin e mbështet edhe ky vlerësim i ekuilibruar dhe realist  i akademikut,i shkencëtarit dhe i patriotit tanë shquar Mark Krasniqi: “ Krijimi i Shqipërisë etnike, do të ishte zgjidhja më e drejtë dhe më e mirë e problemit të popullit shqiptar në Ballkan…Vetëm ky shtet me kufij etnikë mund të jetë garanci e paqes së përhershme në Ballkan.” (Mark Krasniqi, Kosova Sot, Prishtinë, 1992,f.31.).

Ky, do të duhej të ishte preokupimi parësor i klasës  politike si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, jo diletantizmi, karrierizmi, kolaboracionizmi, korrupsionizmi, mashtrimi dhe koketimi me elementet e sferës së interest ruso-sllav në dëm të interest të përgjithshëm të Kombit Shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike.

Një kurs i këtillë i politikës   antikolonialiste shqiptare, pa dyshim se, do të ndihmonte jo vetëm  revidimin e kufijve artificialë kolonialist  mes serbëve dhe shqiptarëve, por, edhe në përshpejtimin e normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës, Tiranës, , Beogradit, Podgoricës, Athinës dhe Shkupit, që do të garantonte shkolonizimin dhe ribashkimin e shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike, sepse pa  zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi kolonial të shqiptarëve, paqja, stabiliteti dhe siguria rajonale, do të jenë të brishta në Ballkan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat