Asociacioni, do të tregojë fytyrën e vërtetë të Ramush Haradinajt

Opinione

Asociacioni, do të tregojë fytyrën e vërtetë të Ramush Haradinajt

Nga: Arben Sylejmani Më: 14 nëntor 2017 Në ora: 23:50
Arben Sylejmani

Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë filluar presionet e tyre ndaj qeverisë së Haradinaj që sa më shpejt të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në bazë të marrëveshjes së Brukselit që Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se 23 pika të kësaj marrëveshjen bien ndesh me frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kërkesa e fundit për themelimin e këtij etniteti politik kundër kushtetues ka ardhur dje nga Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe Ministrit për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq.

“Më duket mua që më nuk do të ketë falje dhe kjo është e rëndësishme, në mënyrë konkrete, ashtu siç është nënshkruar dhe ka pasur pajtueshmëri në Bruksel, duhet të fillojë themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe”, ka thënë Jevtiç nga Beogradi.

Por, themelimi i këtij Asociacioni vetëm në bazë të marrëveshjes së Brukselit, përpos që është kundër kushtetues, e vënë në vështirësi qeverinë e Republikës së Kosovës, në veçanti kryeministrin Haradinaj.

Qeverinë udhëhequr nga Haradinaj e vënë në vështirësi për disa arsyeje. E para është se kjo qeveri varet plotësisht nga Lista Serbe dhe refuzimi i eventual nga ana e ekzekutivit për themelimin e këtij etniteti politik, siç po dëshiron Beogradi përmes Listës Serbe mund të çojë në rënien e qeverisë që për kryeministrin Haradinaj është fatale.

E dyta, e vënë në vështirësi Haradinajn, sepse ai për të pamundësuar rënien e Qeverisë, ekzekutivi duhet të themelojë këtë etnitet politik bazuar vetëm me tekstin e Marrëveshjes së Brukselit pa u marrë parasysh 23 pikat e aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese që në të ardhmen mund të ndiqet penalisht nga ana e drejtësisë për mos zbatim të aktvendimit të kushtetueses.

E treta, e vënë në vështirësi Haradinajn se gjatë kohës që ai ishte në opozitë, së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje pati organizuar një peticion për të kundërshtuar themelimin e Asociacionit dhe marrëveshjen e Demarkacionit, ku arritën të sigurojnë mbi 200 mijë nënshkrime nga ana e qytetarëve të Kosovës.

Për kundërshtimin e këtyre dy marrëveshjes, deputetët e subjektit të tij politik se bashku me dy partitë opozitare, patën hedhur edhe gazë lotsjellës brenda seancës së Kuvendit, që çoi në bllokimin e punës së legjislativit për një periudhë gati gjashtë mujore.

Përfundimisht, pranimi i themelimit të Asociacionit kundër kushtetues, siç po kërkon Lista Serbe, dhe eventualisht pranimi i demarkacionit me versionin aktual tregon se kauza e Haradinajt gjatë kohës së opozitës ka qenë vetëm sa për tu bërë kryeministër, dhe jo për t’i mbrojtur interesat vitale të shtetit të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat